Italia u kualifikua për në play off të Botërorit pas fitores së Belgjikës me Bosnje–Hercegovinën.
Rivalja i Shqipërisë në grupin G do të jetë një nga 8 skuadrat europiane që do të diskutojnë kualifikimin për në finale si të dytat në grupet përkatëse.
Italia siguroi këtë vend pas fitores 3–0 të Spanjës ndaj Shqipërisë dhe barazimit të saj me Maqedoninë. Por azurrët nuk e kishin të sigurt vendin në play off deri sa përfundoi takimi i Sarejavës, ku Belgjika fitoi 4–3.
Italia kërkon kualifikimin për të 14 herë në finalet e Kupës së Botës, por atmosfera në skuadër nuk është fare e mirë.
Mediat italiane raportojnë se trajneri Gianpiero Ventura është në qendër të sulmeve nga futbollistët me më shumë eksperiencë.
Shkak është rreshtimi i skuadrës, që sipas zërave në dhomat e zhveshjes, nuk është produktiv i një futbolli bindës, për një skuadër 4 herë kampione bote.
Pas ndeshjes me Maqedoninë, Buffon dhe lojtarë të tjerë janë mbledhur pa stafin teknik, duke analizuar ndeshjen dhe marrë përgjegjësitë.
Ky takim e ka ulur disi pushtetin e trajnerit përballë lojtarëve
Italia do të kërkojë patjetër fitoren ndaj Shqipërisë në Shkodër, për të qenë e sigurt që do të arrijë vazon e skuadrave të mëdha në mënyrë që në play off të shortohet si skuadër favorite.
Mendohet se Italia do të rreshtohet me modulin 4–2–4. Ndërkohë që kundër kësaj skeme janë senatorët e ekipit.
Ata kërkojnë që skuadra të luajë me skemën e ish-trajnerit axurr 3-5-2, pasi me këtë skemë Italia ka bërë ndeshje të mira dhe ka pasur rezultat.
