Betejat mendore të intelektualëve

Ornela

Moikom Zeqo

 

Roli i intelektualit shqiptar në shoqëri?

Ç’përfaqëson intelektuali?

Pyetje të thekshme, të befta, të vetëkuptueshme.

Por përgjigjet shpesh nuk e zbulojnë thelbin.

Funksionon mekanizmi i referencave dhe citimeve të pafundme.

Mëtohet klasifikimi dhe kuptueshmëria e fjalës intelektual, simbolika e funksionit etj.

Të gjitha këto mund të kenë një karakter formal, gati të pashmangshëm.

Mund të flitet shumë për intelektualin, shpesh si një qenie “e përzgjedhur”, madje si “mrekulli krijuese”, jo shumë larg nocionit të Providencës, apo të mistifikimit të një domosdoshmërie historike.

Formulat verbale në këtë rast nuk janë shumë të fuqishme, komentojnë, por nuk zbulojnë substancën.

Në përgjithësi arsimimi i njerëzve krijon iluzionin masiv të lindjes së një elite intelektualësh, me atë rregull që krimbi në krisalidë shndërrohet patjetër në flutur, por ja që nuk është kështu.

Të shkolluarit, madje dhe statistika e Profesoriatit shqiptar, në morinë e pafundme dhe virtuale të universiteteve publike dhe private në Shqipëri nuk e shpjegon dot dallimin midis intelektualit dhe pseudointelektualit, midis intelektualit të vërtetë, të pavarur dhe të ashtuquajturit intelektual klientelist, dukuri kjo e frikshme në Shqipëri.

Edhe teza e formalizuar dhe publicitare, politizuese pra dhe manipuluese  e Sartrit për “angazhimin” e intelektualit në Shqipëri nuk është shumë mbushamendëse.

***

Në librin e George Steiner “After Babel” nyjëtohet ekzistenca e intelektualit si një hulumtues i paepur dhe mjeshtër i së vërtetës shkencore.

Kjo e vërtetë është universale dhe u përket të gjithë popujve dhe njerëzve në sensin e mëvetësisë së saj dhe vizionit.

Në epokën e madhe të mediave elektronike, të shtypit të printuar, të gazetarisë shumëdimensionale, është krijuar gjithsesi dhe një konfuzion të përcaktimit dhe të dallimit të intelektualit dhe opinionistit ose përcjellësit instrumental të ngjarjeve të politikës.

Aq më tepër kur sekti i politikanëve, përgjithësisht intelektualë mediokër, guxojnë të artikulojnë ide politike, apo dhe të ushtrojnë stile ligjërimi, që e kanë mistifikuar së tepërmi propagandën, domethënë gënjeshtrat publike të standardizuara.

Niveli mediokër i klasës politike shqiptare-kam parasysh këtu edhe tërë koleksionin e deputeteve –gati anonimë, në shumicen e tyre, si përfaqësues, kinse të popullit në Kuvend,tregon veç të tjerave, pse personalitetet e vërteta të kulturës, të diturit etj., pothuaj janë shmangur nga tërë vendimmarrjet e rëndësishme  dhe qeverisja e vendit.

Nuk është aspak e rastësishme.

Shqipëria është atdheu, ku nuk përfillen nga oligarkët e pasurisë, që kanë zaptuar strukturat më të eperme të politikës asnjë autoritet i vërtetë (jo fallco) i kulturës, shkencës, dijes dhe vetëdijes dhe dinjitetit kombëtar.

Pse ka ndodhur kështu?

Kjo duhet spjeguar!

Po nga kush?

Aq më tepër që dhe mediat nuk janë më të lira dhe të pavarura, dhe të ashtuquajtura disiplina të komunikimit janë përcjellëse të servilizmit politik dhe të ideve bazë zotëruese të përpunuara në inkubatorë të disa sistemeve të mbyllura të zotëruesve të pushtetit të parasë, të pushtetit, por dhe të opinioneve.

Në këtë situatë tejet të rëndë, të kamuflimit dhe të një agresioni të galvanizuar të gënjeshtrës publike, kërkimi i së vërtetës është një çështje substanciale, sa shkencore, aq dhe shoqërore dhe humanitare.

Jam skeptik të shprehem në mënyrë pozitiviste se intelektualët në Shqipëri janë në një nivel kaq të lartë arsyetimi dhe kthjelltësie.

Përkundrazi.

***

Shihni skotën e të ashtuquajturve opinionistë, të cilët për 26 vjet ndërthurin thashethemnaja dhe marrëzira, të pashembullta , për politikën dhe shoqërinë.

Është e vështirë të gjesh një fjalë të mençur dhe dëlirësuese midis kësaj katrahure.

Nga intelektualët e mëdhenj shqiptarë janë pak shëmbëlltyra që do t’i konsideroja të denja për t’i përmendur.

Do të përmendja Migjenin dhe  intelektualin më të ditur të shekullit XX ,Fan Nolin.

Intelektualët e tjerë për arsye të ndryshme nuk i kanë rezistuar klientelizmit politik, qoftë klientelizmit komunist, qoftë klientelizmit antikomunist.

Përgjithësisht intelektuali ka një mision historik.

Ai nuk është thjesht zejtar i përsosur i fjalëve.

Ai kërkon të vërtetën e pashmangshme.

 Vetëm e vërteta na bën të lirë.

 Vetëm e vërteta na çon përpara.

 Vetëm e vërteta na ngre më lart.

Kjo e vërtetë nuk lidhet vetëm me Shqipërinë. Por dhe me tërë botën.

***

Në 27 Prill 1994 kam botuar esenë time “Parlamenti ndërkombëtar i intelektualëve”.

Sapo kisha lexuar një apel të shkrimtarëve të shquar të botës nxitur dhe nga shkrimet e shkrimtari të madh spanjoll Joan Gojtisolo, autori i “Letra nga Sarajeva”.

Gojtisolo hodhi idenë e një Parlamenti të Intelektualëve përparimtarë të botës.

Morice Blanckot, sëbashku me Roland Bartin, Mishel Leirisin dhe Robert Antelmonin përgatitën dhe botuan në Reveë Internacionale, një projekt sintetik dhe programor, që kërkonte nga intelektualët që bashkërisht e pa mbrojtje e stërhollime të merrnin mbi vete përgjegjësinë për atë që ndodh rreth tyre njësoj sikur ndodh brenda tyre.

100 shkrimtarët më të shquar të Europës dhe të Amerikës, midis tyre Zhak Derrida, Pablo Fuentes, Pierr Burdie, Eduart Glissani, Toni Morisoni, Breyten Breytenbah, Umberto Eco dhe sidomos Salman Ruzhdie e krijuan këtë Parlament për të reaguar ndaj krimeve të përbindshme të luftës ,që ndodhën në Sarajevë, ndaj gjenocidit dhe padrejtësive në botë.

Pra këta shkrimtarë janë universalizuar në rolin e tyre, duke sulmuar me të drejtë tabunë e monopolit të politikës ndërkombëtare, për të ringjallur të vetmen doktrinë të pavdekshme në shekullin tone: Humanzimin!

E përmend këtë fakt për të treguar se ç’mund të bëjnë njerëzit e letrave kur kuptojnë botën dhe vetveten.

Për sa i përket Shqipërisë, realiteti duket më i ndërlikuar dhe herë-herë fatal.

 Statusi i njeriut të kulturës së njeriut nga politika është gati zero, ndonjëherë edhe nën zero.

Personalitetet e mëdha të kulturës, të dijes, nuk përfillen fare nga klasa mediokre e politikanëve shqiptarë.

Nuk luajnë asnjë rol në vendimmarrjet politike që kanë të bëjnë me fatin e qytetarëve shqiptarë dhe të perspektivës së kombit tonë.

Është e vërtetë që intelektualët shqiptarë duke pësuar dhe privacione, madje dhe marxhinalizime, përsëri kanë guxuar të thonë të vërtetën, ta shprehin pathyeshmërinë e tyre ndaj lirisë së mendimit.

 Por jemi ende larg ndikimit të fjalës iluminuese dhe shpresëdhënëse të këtyre intelektualëve në shoqërinë shqiptare, ku ende nuk ka lindur dhe nuk është realizuar me dinjitet dhe e pavarur edhe shoqëria civile.

Është një betejë mendore.

 Fitoret e vërteta të një populli janë fitoret mendore.

Në këtë pikë shqiptarët janë ende të prapambetur, por nuk duhet të jemi-dhe as unë nuk jam fatalist në vonesat historike.

Konceptualisht ne mund t’i kapërcejmë këto vonesa.

Por ende mungon nderimi për kulturën, për Shqipërinë kulturore.

Share This Article
6 Comments
  • Shkrim disi filozofik per botekuptimin e lexuesve “normale”, zoti Moikom, e megjithate s’do rri pa shkruajtur nja dy fjale, me teper per t’ja ngacmuar pak nervat (sigurisht, nese i kane mbetur nja dy fije) nje pseudo-intelektuali qe me siguri te ka lexuar, por nga frika e perballjes direkte, do te preferonte me mire te fshihej prapa gishtit.

    Me modestine qe ju karakterizon, ju i cilesoni Migjenin dhe Fan Nolin si dy nga intelektualet me te shquar te kombit, dhe kjo fale veprimtarise se tyre patriotike ne sherbim te interesave jetike te shqiptarizmit. Spikatje dhe vlereism mjaft i sakte ky, edhe pse qe te dy keto pena te arta i perkasin periudhes se nje shekulli me pare.

    Po sot?

    Ajo qe bie ne sy eshte mungesa ne rrethin e intelektualeve me ne ze te aktualitetit dhe kohes qe kemi perjetuar te njerit apo tjetrit shkrimtar te shquar te letersise shqiptare. Ketu nuk eshte vendi te permendim emra konkrete, por pyetja qe lind eshte, se si duhet ta kuptojme kete “lenie ne harrese” ? Cfare na pengon t’i rendisim dhe ata perkrah figurave te ndritura te Migjenit dhe Fan Nolit ?

    Nje pergjigje (aspak filozofike) si kjo me poshte, sigurisht qe nuk do te mjaftonte per ju zoti Moikom, por ajo besoj se reflekton mendimin “sagllam dhe te pafiltruar” te mases.

    Po te lexohen dhe kuptohen sa me drejt shpjegimet tuaja rreth mediokritetit te “intelektualit”, mistifikimit ekstrem te propagandes, klientelizmit, servilizmit politik, manipulacioni permes fabrikave te mendimit (think-tanks), etj., dhe pikesedyti, po t’i referohemi faktit, se pothuajse asnje prej ajkes se krijimtarise letrare te kohes (fjala eshte per shkrimtarë si Salman Ruzhdie, Zhak Derrida, Pablo Fuentes, Pierr Burdie, Eduart Glissani, Toni Morisoni, Breyten Breytenbah, Umberto Eco) nuk kane kane kandiduar perjetesisht dhe paturpesisht per marrjen e cmimit nobel, atehere vetekuptohet dhe lenia ne harrese e pseudo-intelektualeve.

    Edhe nje here pershendetje !

  • Pas ketij shkrimi ju personalisht do jeni i papelqyeri i zgjedhur I cdo politikani. Kjo per mendimin tim nuk eshte gje e keqe . Politika ka nevoje per intelektualin shume me teper se e anasjellta.Mendoj se intelektualet duhet te kene nje (1)forum te tyrin ku te hedhin idete per zhvillimin e KOMBIT dhe ku politikanet do te mund te pervjedhin cfare do t’u duhet per suksesin e tyre personal. Do te ishte nje sakrifice intelektuale e pranueshme per sa kohe do u mesonte atyre qe I dituri duhet respektuar dhe pyetur.
    Me nderim
    Artan Sejko

  • Fitoret e verteta te nje populli janë ato mendore, por kur mendimet dhe idete pervidhen dhe shfrytezohen nga politikanet vetem per interesat e tyre personale (keshtu sic propozon ky Sejkoja), atehere e ashtuquajtura “fitore popullore” kthehet per ta shpejt ne humbje. Tipike per kete lloj “keshilltaresh” eshte se profecirat te tyre as mish as peshk kujtojne se mund t’ua ngulisin ne mend bile dhe akademikeve. Mungesa e ndikimit të fjales iluminuese te intelektualeve te vertete prej tyre konsiderohet si “sukses”. Eshte ky ndoshta shkaku se pse antivlerat kane filluar te mposhtin vlerat?

  • Aman i dashuri Moikom Zeqo!
    Dergoja kete shkrim nji intelektualit qe na cau menderen e nuk len artikull pa ia ba komentin ne oreksin e tije.Baza intelektuale e tije asht te shaje,te fyej e te pjellin idena qe as truni i nji intelektualit vertete te mirefillt nuk do i shkonte mendja deri ne ate nivel derengjeje.
    E bana kete komente ma shume qe do e lexoj intelektuali.Po kurr per ju te merreni me karavellon intelektual.Te iu them te drejten ne komentuesit jemi te nivelit ordiner qe nuk krahasohet me Juve.E megjithekete ne ju “denigrojme” e ju “keshillojme” si te ishim ajka e diturise edhe pse jemi me 5 gram shkollim.Sepse baza e “filozofise” tone asht te dallome nepermjet synit dhe veshit cfare asht mire dhe cfare asht keq.Taman si nallbanet qe mbathin kuaj e gomer.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *