Intervistë/ Flet konstitucionalisti Niazi Jaho
– Zoti Jaho, pritet shpallja e rezultateve përfundimtare dhe zyrtare të zgjedhjeve të 23 qershorit. Paraprakisht, dihet kush është fituesi dhe kush është humbësi. Madje, ky i fundit e pranoi humbjen. Mbas 8 javëve OSBE/ODIHR-i do të publikojë raportin përfundimtar. Sipas jush, në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, a u arritën standardet ndërkombëtare?
– Mendoj se nuk është e lehtë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje. Së pari, sepse lidhur me standardet e zgjedhjeve nuk ka ndonjë listë shterruese për të përcaktuar kushtet dhe kriteret në bazë të të cilave do të konkludohej se në ç’masë janë arritur standardet evropiane. Së dyti, sepse nocioni i standardeve është kompleks. Parimet bazë zenë vendin kryesor, por ato do të mbeteshin slogane, nëse zbatimi i tyre nuk do të vërtetohej në praktikë. Mjeti më i fuqishëm për këtë është monitorimi i thellë, i gjithanshëm dhe i paanshëm i zgjedhjeve në të gjitha aspektet e këtij procesi.
– Fakti se diferenca e votave ose e mandateve midis koalicionit fitues dhe atij humbës ishte i madh, si dhe fakti tjetër se pas shpalljes së rezultateve paraprake të zgjedhjeve, aleanca e kryesuar nga PD-ja dhe personalisht nga kryetari i PD-së, pranoi publikisht humbjen, a nuk është tregues i plotësimit të standardeve?
– Kjo sigurisht që është pozitive. Meritën për këtë në radhë të parë e kanë zgjedhësit. Atmoferës së qetë paszgjedhore mendoj se i shërbeu pranimi publikisht i humbjes. Megjithëkëtë, faktet e mësipërme mendoj se nuk mund të jenë kriteret bazë për të konkluduar se zgjedhjet e 23 qershorit arritën standardet ndërkombëtare.
– Zgjedhjet e 23 qershorit ishin test i rëndësishëm për integrimin e vendit tonë në BE. SHBA dhe drejtues të institucioneve evropiane i përshëndetën ato. A nuk tregon kjo se në këto zgjedhje u shënuan hapa përpara?
– Përshëndetja dhe mbështetja e shprehur prej tyre mendoj se është një tregues inkurajues se zgjedhësit tanë kanë treguar pjekuri, se zëri i sovranit është dëgjuar, se janë krijuar mundësi më të mëdha për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe marrjen e statusit kandidat për në BE.
– Me sa duket, për t’u shprehur për arritjen e standardeve pritet raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it. A është kështu?
– Sigurisht që raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it do të jetë i plotë. Në të do të evidentohen arritjet, por mendoj se do të tërhiqet gjithashtu vëmendja edhe për shkeljet e vërtetuara. Në këtë kuadër natyrisht do të bëhet fjalë edhe për zbatimin e parimeve që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me standardet. Kam mendimin se në raport, në këtë apo atë masë, do të përfshihen edhe konstatimet që përmenden në raportet e ndërmjetme 15 maj – 3 qershor 2013, si dhe deklarata e gjetjeve dhe konkluzioneve paraprake të 24 qershorit.
Sipas jush, në këto raporte a evidentohen raste që kanë të bëjnë më cenimin e parimeve që duhet të zbatohen në vendet e BE-së apo që aderojnë për integrimin evropian, siç është dhe vendi ynë?
Mendoj se po. Atë që aktualisht nuk e di dhe si rrjedhim nuk mund ta shprehim është: në ç’masë cenimi i këtyre parimeve ka reflektuar në arritjen e standardeve të kërkuara.
– A mund të përmendim disa prej tyre?
1. Pas largimit të LSI-së nga koalicioni qeveritar në Prill 2013, Kuvendi vendosi lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së të [propozuar nga LSI-ja dhe zëvendësimin e tij me një përfaqësues të propozuar nga Partia Republikane që ishte dhe është në koalicion me PD-në. Ky shkarkim çoi në dorëheqjen e tre anëtarëve të propozuar nga opozita dhe të zgjedhur nga Kuvendi. KQZ mbeti me 4 anëtarë dhe vazhdon të jetë me 4 anëtarë. Vendimi i mësipërm i Kuvendit bie ndesh me nenin 18 të Kodit Zgjedhor ku në mënyrë laksative janë parashikuar rastet e ndërprerjes para kohe të mandatit të anëtarit të KQZ-së. Një veprim i tillë rriti mosbesimin ndaj veprimtarisë së KQZ-së. Fill pas kësaj, vetë KQZ-ja (4 anëtarët e mbetur) në kundërshtim me nenin 32 të Kodit Zgjedhor, vendosi ndryshimin edhe në përbërjen e KZAZ-ve në një kohë kur ato ishin konstituar. KQZ-ja mori në shqyrtim kërkesën e Partisë Republikane për caktimin si part që ka të drejtë të paraqesë propozime për anëtarë të KZAZ-ve (shih vendimin nr. 265, datë 23.04.2013 të KQZ-së). Ky vendim i KQZ-së, sipas raportit të OSBE/ODIHR-it, datë 24 qershor, krijoi “përshtypjen se KQZ-ja veproi në mënyrë politike, gjë që u përforcua edhe në vendimin e saj për të rikompozuar komisionet zgjedhore të niveleve më të ulëta” (shih raportin, f.1, përkthimi shqip). Në të dy raportet e OSBE/ODIHR-it paraqitet shqetësimi se KQZ-ja me 4 anëtarë nuk është funksional (KQZ-ja është organi më i lartë shtetëror për administrimin e zgjedhjeve) se ajo ka miratuar vendime me 4 vota, kur ligji kërkon votim të cilësuar.
Në raportin e ndërmjetëm të OSBE/ODIHR-it që evidenton problemin e mësipërm thuhet se: “KQZ-ja vazhdon të funksionojë me katër anëtarë. Ka lloje të veçanta vendimesh të Kodit Zgjedhor që shprehimisht kërkojnë miratim nga një shumicë e cilësuar prej pesë votash, duke përfshirë certifikimin e rezultateve dhe ndarjen e mandateve. Së fundmi KQZ ka miratuar akte normative, të cilat kërkojnë pesë vota me shumicë të thjeshtë prej katër votash. Nga ana tjetër, KQZ ka shmangur miratimin e vendimeve të nevojshme për të ndryshuar aktet e vjetëruara. Deri tani, KQZ po vepron pa miratimin e rregullave të saj procedurale, ashtu siç e kërkon ligji”. (Shih raportin, f4, përkthimi shqip).
2. Për mungesë konsensusi, KQZ nuk arriti të miratojë ndarjen e mandateve sipas zonave zgjedhore. Ajo u nxitua dhe iu drejtua Kuvendit për të vendosur këtë çështje, kur afatet ligjore lejonin që auditët teknicienë të emëruar nga KQZ-ja sipas nenit 61 të Kodit Zgjedhor të ushtronin kontroll në Ministrinë e Brendshme (Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes civile dhe në zyrat e gjendjes civile pranë njësive të qeverisjes vendore). Rezultatet e kontrolleve të tilla mund të krijonin klimën e konsensusit dhe miratimin e vendimit përkatës. Por lidhur me këtë çështje gaboi edhe Kuvendi që vendosi miratimin e ndarjes së mandateve që u zbatua në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, gjë që bie ndesh me nenin 76, pika 3 të Kodit Zgjedhor. Duke trajtuar këtë problem në faqen 4 të r4aportit të OSBE/ODIHR-it të datës 24 qershor 2013, thuhet se: “KQZ-ja ishte e ndarë politikisht dhe e paaftë të miratojë ndarjen e mandateve. Në mungesë të një propozimi nga KQZ-ja, parlamenti e mori vendimin dhe e bëri shpërndarjen e mandateve në bazë të statistikave të vitit 2009 (në vend të atyre të vitit 2013) e cila është në kundërshtim me parimet e procesit të rregullt ligjor të barazisë së votës”. Kjo, siç thuhet në raport, bie ndesh me pikën 7.3 të Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së të vitit 1990.
3. Megjithëse, sipas raportit të OSBE/ODIHR-it zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit ishin konkurruese me pjesëmarrje aktive të qytetarëve, vazhdon atmosfera e mosbesimit midis dy forcave më të mëdha politike. Vëzhguesit ndërkombëtarë në konkluzionet paraprake të Deklaratës së 24 qershorit 2013, një paragraf të veçantë i kanë kushtuar rasteve të zbehjes së vazhdueshme të kufijve midis institucioneve shtetërore dhe interesave partiake, gjë që bire ndesh me pikën 54 të Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së të vitit 1990 dhe pikave 1, 2 dhe 3 të kodit të praktikës së mirë në çështjet zgjedhore të Komisionit të Venecias. Në këto konkluzione thuhet se: “Pretendimet për blerje votash dhe presioni mbi punonjësit e sektorit publik, ku përfshihen rastet e pjesëmarrjes së detyruar në tubime dhe shkarkim nga puna janë vlerësuar nga MVZ-ja dhe OSBE/ODIHR-i si të besueshme kanë ndikuar negativisht në klimën parazgjedhore”. (Shih f.2 të Deklaratës së gjetjeve dhe konkluzioneve paraprake datë 24 qershor 2013, përkthimi shqip).
Kam mendimin se çështjet e mësipërme do të trajtohen në raportin përfundimtar jo vetëm sepse ato janë rrjedhojë e monitorimit, por do t’i shërbejnë parandalimit të zgjedhjeve në të ardhmen.
– Në raportin përfundimtar, a mendoni se do të ketë sërish rekomandime?
– Për këtë jam i bindur. Kjo del jo vetëm nga raportet e ndërmjetme që përmendëm më lart, por edhe nga intervista që shefja e misionit vëzhgues të ODIHR-it, zonja Koni Mekormak i ka dhënë Vizion Plus. Rekomandimet sigurisht që synojnë përmierësime të mëtejshme në Kodin Zgjedhor, megjithëse kam patur dhe kam mendimin se nuk është normale që pas çdo zgjedhjeje të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor. E them këtë edhe për faktin se si raportet e mëparshme të OSBE/ODIHR-it dhe në raportet e ndërmjetme lidhur me zgjedhjet e 23 qershorit është theksuar dhe vazhdon të theksohet thuajse i njëjti konstatim. Konkretisht: “Kuadri ligjor që rregullon zgjedhjet parlamentare nëse zbatohet në mënyrë të plotë dhe efektive përgjithësisht siguron një bazë të shëndoshë për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike”. Në këtë vështrim, veç të tjerave, ndoshta duhet parë metodologjia që zbatohet në shqyrtimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Ka mundësi që ajo të mos jetë transparente dhe gjithëpërfshirëse. Mundet që nxitimi të dëmtojë cilësinë. Nuk përjashtohen edhe rastet e nurimeve për interesa të ngushta partiake. Meqë ndodhemi para zgjedhjeve të organeve të qeverisjes vendore (2015) do të ishte mirë që puna në drejtim të përmirësimit të legjislacionit në fushën zgjedhore, të mos vonohej.

Eshte shume e rendesishme qe institucionet qe merren me zgjedhjet duhet te jene kopetente per zbatimin e ligjit, te jene te pavarura nga partite politike.Une e vleresoj me noten kater kete komision zgjedhor i cili nuk eshte i afte te kryeje detyrat me elementare qe i cakton ligji.Me ndryshimin e kodit zgjedhor ne proporcional kombetar, kuvendi duhet te largoje menjehere keta persona nga KQZ dhe te caktoje atje njerez me integritet.