Pranvera Kola – DITA
Nis sot gara për studimet e nivelit të dytë edhe në programet e Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Për tetë ditë me radhë, të gjithë kandidatët që kanë kryer nivelin e parë të studimeve universitare, duhet të aplikojnë për të fituar një nga kuotat e miratuara për pranimet e vitit të ri akademik 2017-2018.
Konkurimi zhvillohet me anë të dosjes së dokumenteve të kërkuara, e cila do të pranohet nga sekretaritë e departamenteve përkatëse deri në datën 20 tetor.
Gara për studimet e nivelit të dytë në këtë fakultet do të jetë më e ashpër për programet e “Masterit profesional”. Kjo pasi studimet e këtij niveli do të ofrohen vetëm në katër degë, ku do të pranohen në total rreth 185 kandidatë.
Ndërsa për nivelin shkencor do të garohet për 639 kuota studimi, të ndara këto për 17 degë të ndryshme studimi. Autoritetet e këtij fakulteti sqarojnë se në këto programe studimi master kanë të drejtë që të aplikojnë të gjithë kandidatët që kanë kaluar me sukses studimet e ciklit të parë, në programe të akredituara, si dhe kandidatët që mund të jenë diplomuar jashtë vendit, por që më parë kanë kryer konvertimin dhe njehsimin e diplomës pranë dikasterit të Arsimit.
Në vendimin e miratuar më herët nga Universiteti i Tiranës, përcaktohet se për të konkurruar në programet e nivelit “Master shkencor”, çdo kandidat duhet që të garantojë nëpërmjet dëshmive përkatëse njohjen e të paktën nivelit B1, të një prej pesë gjuhëve të huaja të BE-së: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, sipas kushteve të përcaktuara nga fakulteti përkatës. Kjo dëshmi e njohjes së gjuhës së huaj nuk do të jetë e nevojshme për kandidatët të cilët konkurojnë për programet e nivelit profesional.
Për të mos rrezikuar djegien e studimeve në këtë cikël, çdo student duhet që të dorëzojë deri në datën 20 tetor, dosjen e kërkuar të dokumenteve. Në mënyrë të detajuar, në këtë dosje duhet të përfshini: Formularin e aplikimit ku përcaktohet dega përkatëse që kërkoni të ndiqni, diplomën, ose fotokopjen e njësuar me origjinalin për studimet universitare të ciklit të parë. Për diplomat e fituara jashtë vendit duhet vërtetimi i njohjes së saj nga MAS, e shoqëruar edhe me fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin.
Kandidati duhet të dorëzojë edhe diplomën e Maturës Shtetërore, së bashku me certifikatën e notave, ose fotokopje të tyre të njësuar me origjinalin, të konfirmuara nga njësia përkatëse arsimore vendore. Kandidatët që e kanë kryer shkollën e mesme para vitit 2010, duhet të dorëzojnë origjinalin e Dëftesës së Pjekurisë.
Nëse nuk posedojnë këtë dokument, mund të paraqesin edhe dublikatë të saj të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme, nën firmën e njësisë përkatëse arsimore, si dhe firmave të lëshuara nga Arkivi i Shtetit, së bashku me listën e notave.
Gjithashtu pjesë e dosjes duhet të jenë edhe dy fotografi, si dhe fotokopje të dokumentit të identifikimit, dhe mandat pagesën e tarifës së konkurrimit. Ndërsa për shtetasit e huaj, kërkohen si dokumente shtesë edhe dëshmia e njohjes së gjuhës shqipe e lëshuar nga Universiteti i Tiranës, si dhe për kategoritë me aftësi të veçanta kërkohen edhe kopjet e librezave dhe statusit që mbajnë.
Shpallja e fituesve do të përcaktohet nga pikët që siguron secili kandidat prej mesatares së studimeve të nivelit të parë dhe ato të shkollës së mesme, sipas formulës së përcaktuar nga vetë drejtuesit e këtij fakulteti.
Prioritet në përzgjedhje do të kenë kandidatët e diplomuar në strukturat universitare publike. Me 25 tetor do të shpallet lista paraprake e fituesve, dhe pasi të jenë shqyrtuar edhe animimet, me 28 tetor do të nisë regjistrimi final i fituesve. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar ndarjen e plotë të kuotave të pranimit për të dyja ciklet e studimit master në degët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës për garën e këtij viti.
Kuotat për pranimet e reja në programet “Master i shkencave”
Biologji Mjedisore 15
Biologji Molekulare 15
Fizikë 20
Bioteknologji Molekulare dhe Industriale 30
Kimi Industriale dhe Mjedisore 50
Inxhinieria Proceseve Kimike 50
Shkencat dhe Teknologjitë ushqimore 50
Kimi me profilin Analiza kimike dhe vetite e lëndës 28
Inxhinieri Matematike dhe Informatike 15
Informatikë 40
Matematikë 15
Mësues në Kimi për Arsimin e Mesëm të Lartë 56
Mësues në Biologji për Arsimin e Mesëm të Lartë 70
Mësues në Fizike për Arsimin e Mesëm të Lartë 25
Mësues në Matematikë për Arsimin e Mesëm të Lartë 70
Teknologji Informacioni 40
Mësues në Informatikë për Arsimin e Mesëm të Lartë 50
Kuotat për pranimet e reja në programet “Master profesional”
Bioteknologji Mjedisore 30
Profesional Informatikë Biznesi 60
Inxhinieri Matematike dhe Informatike 35
Teknologji Informacioni 60
