Lacio ka ofruar 1.8 milionë euro për të blerë Elseid Hysajn nga Empoli, por klubi toskan e ka hedhur poshtë ofertën e parë të romanëve. Sipas kanalit Sky, duhen e pakta tre milionë që Lacio të blejë mbrojtësin shqiptar, një nga emrat më të përmendur në merkaton veriore në Itali. Palët janë ulur në bisedime, të cilat janë ndërprerë pas kësaj oferte dhe refuzimit të saj, por nuk bëhet fjalë për ndalim përfundimtar të bisedimeve. Përkundrazi, ato sapo kanë nisur dhe ky ka qenë vetëm raundi i parë. Drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, ka konfirmuar dje vetëm faktin që i pëlqen Hysaj, por pa hyrë në më tepër detaje. “Hysaj na pëlqen, por kjo nuk do të thotë se do ta marrim. Gjithçka është e bllokuar për momentin”, është shprehur shkurt Tare. Më i hapur ka qenë homologu i tij tek Empoli, Marçelo Karli, i cili ka bërë të ditur se klubi toskan ka folur me Taren dhe presidentin e Lacios, Klaudio Lotito. “Kemi folur me Taren e Lotiton, ishte një takim miqësore, mbetëm të kënaqur sepse Lacio e ka deklaruar interesimin për Hysajn”, thotë Karli. “Kemi bërë vlerësime të ndryshme, tani të shohim. Në këto momente jemi larg, pasi ata duan gjithë kartonin e djaloshit, jo bashkëpronësinë”. Edhe Tare e ka pohuar një gjë të tillë, duke thënë se Lotito kërkon gjithë kartonin e mbrojtësit. Karli nuk ka përmendur shifra, por ka lënë të kuptohet se diferenca midis kërkesës dhe ofertës vërtitet aty te një milion euro: “Nuk po flasim për Kavanin, një milion mund të jetë pak për disa operacione dhe një hendek i pakalueshëm për disa të tjera. Për ne është i rëndësishëm bashkëpunimi me Lacion, por nuk mund të zbresim poshtë disa shifrave të caktuara. Interesimi i Lacios është serioz, ishte kënaqësi që folëm dhe mendoj se do të shihemi përsëri”. Drejtori i Empolit është shprehur qartë edhe për dëshirën e Hysajt: “Ai do të shkonte me vrap në Romë, Lacio është një klub shumë i rëndësishëm”.
