Armando Sadiku do të lëvizë shumë shpejt nga Lugano, pa pritur fundin e merkatos së verës. Këtë e ka pohuar agjenti i sulmuesit elbasanas, Sokol Haxhia. “Në një mënyrë apo tjetër, Armando do të largohet. Është në treg, kjo tashmë nuk përbën më sekret, dhe shpejt do të luajë me një skuadër tjetër”, thotë Haxhia, po pa thënë se cila do të jetë skuadra e re e sulmuesit. “Është shpejt të thuhet. Kemi dëgjuar disa oferta, por nuk jemi ulur me askënd në tyrezë për të folur”. Përfaqësuesi i lojtarit ka thënë edhe se Sadiku nuk ka preferenca për vendin ku do të luajë, pavarësisht simpatisë së përfolur shpesh për Serinë A. “Nëse ka ofertë nga Bazeli dhe nga Livorno, nuk është e thënë se ai do të largohet nga Zvicra”, thotë Haxhia. Presidenti i Luganos është shprehur më herët se Sadiku nuk do ta veshë fanellën e skuadrës në këtë sezon dhe Haxhiaj shpjegon: “Është e vërtetë. Vitin e kaluar luajti çerek ore me Lokarnon e për këtë shkak nuk mund të lëvizte në janar (futbollistët nuk mund të luajnë për tri skuadra brenda 12 muajve). Për të evituar probleme të këtij lloji, nuk do të dalë në fushë me bardhezinjtë”. Pikërisht për këtë arsye, menaxheri thotë se Sadiku nuk do të presë deri në fundin e merkatos, më 31 gusht, por do të transferohet në një skuadër tjetër brenda pak javëve. Kampionati i ri nis më 13 korrik dhe tashmë mund të thuhet me siguri se Sadiku nuk do të shihet me fanellën e Luganos, për të cilin shënoi 18 gola në sezonin e kaluar.
