“Mbrojtja më e mirë është sulmi”. Ndoshta kjo shprehje vlen për shumë skuadra, por jo për Barcelonën, atje ku “sulmi më i mirë është mesfusha”! Po, sepse një nga arsyet kryesore pse katalanasit kanë pasur sukses me trajnerin Ernesto Valverde deri tani është kontributi i madh i mesfushorëve në shënimin e golave.
Madje, që tani është kaluar rekordi i sezonit të kaluar me trajnerin Luis Enrique, sepse linja e dytë e ofensivës së Barcelonës ka shënuar plot shtatë gola: Denis Suarez (dy), Paulinho (dy), Ivan Rakitic, Sergi Roberto dhe Sergio Busquets (nga një).
Në sezonet e kaluara, me vetëm 11 ndeshje të luajtura, mesfusha katalanase ka shënuar maksimumi vetëm tre gola. Ky repart ka ndihmuar së tepërmi yllin Lionel Messi, duke e lejuar atë të shkojë në kuotën e 14 rrjetave në të gjitha kompeticionet.
Sulmi ende nuk e ka gjetur veten. Ndihmësi kryesor i argjentinasit, Luis Suarez, deri tani ka shënuar dy gola, ndërsa të tjerët (Ousmane Dembélé, Gerard Deulofeu, Pablo Alcacer dhe Arda Turan) ende nuk e kanë shënjestruar portën.
