Nesër në “Wanda Metropolitano”, Atletico Madrid do të presë Barcelonën. Trajneri i “Los Colchoneros” nuk ka ndërmend t’i jap asnjë avantazh miqve, as kur bëhet fjalë për terrenin e lojës. Pyetjes për mundësinë që fusha të ketë një gjatësi të lartë bari për të penguar qarkullimin e shpejtë të topit nga Barcelona, argjentinasi iu përgjigj shumë qartë:
“Nuk jam kopshtar, por trajner. Por kur shkohet te shtëpia e të tjerëve darkohet me pjatat dhe gotat e tyre, ndërsa në shtëpinë time do të darkohet me pjatat dhe gotat e mia. Në fushën time, luhet ashtu si dua unë.”
“Janë një nga skuadrat më të forta të planetit, sot ndoshta vetëm Real Madrid ka diçka më shumë, por nuk janë dobësuar edhe pas largimit të Neymar dhe nuk e kanë humbur dëshirën për fitore, – vazhdoi Simeone duke folur për Barcelonën.
Eshtë e vërtetë që në kampionat nuk i kemi mundur kurrë, por kemi barazuar me ta ndeshjen më të rëndësishme të historisë, që na solli titullin kampion në vitin 2014 dhe i kemi eliminuar në gjysmëfinalen e Champions League. Ata na kanë mposhtur më shpesh, por uroj që ky trend të ndryshojë në stadiumin tonë të ri.”
Simeone do të dëshironte me kënaqësi të shmangte Lionel Messi, që sapo vjen nga tre gola të shënuar kundër Ecuador, që i dhanë Argjentinës “biletën” për në Kupën e Botës. “Ishte shembulli i radhës që është më i miri në botë,” – tha “El Cholo”. Megjithatë trajneri i Atletico e ka një “yll” në ekip: “Për ne Griezmann është futbollisti vendimtar në metrat e fundit. Sa më i freskët është, aq më efikas është. Jemi përgatitur për një ndeshje me intensitet të lartë. Duam ta çojmë ndeshjen sipas strategjisë tonë.”
