Strakosha “hero”, Lazio bën surprizën, Juventus thyhet në shtëpi

Gazeta Dita

Lazio ka fituar 2-1 ndaj Juventus në “Allianz Stadium” duke arritur “Zonjën e Vjetër” në kuotën e 19 pikëve, në vendin e dytë të Serie A, në një ndeshje që do të mbahet mend gjatë, sidomos për paraqitjen e portierit shqiptar Shtrakosha. Bardhekaltërit bënë një përmbysje epike, pasi pjesa e parë u mbyll në avantazh për vendasit, por në fund patën nevojë që Strakosha të priste penalltinë e Dybala, që të mernin tre pikët.

Skuadra e Simone Inzagi ka 19 pikë pas 8 ndeshjeve të para, aq sa Juventus dhe Inter, që ka luajtur një ndeshje më pak, derbin që do të zhvillojë nesër ndaj Milan. Serie A kryesohet nga Napoli që ka 21 pikë pasi i ka fituar të shtatë ndeshjet e luajtura.

Juventus, i drejtuar nga Masimmiliano Allegri, e gjeti golin në mesin e pjesës së parë me anë të Douglas Costa, teksa edhe “VAR” tregoi se goli i shënuar nga braziliani ishte i rregullt, duke shuar plotësisht protestat e Lazio. Kampionët e Italisë e mbyllën pjesën e parë në avantazh, por u shtangën nga miqtë, sapo nisi pjesa e dytë. Ciro Immobile tundi rrjetën pas vetëm dy minutash lojë, kur pas pasimit të marrë nga Luis Alberto, mposhti portierin Gianluigi Buffon me një diagonale të saktë në ecje e sipër.

Ende pa kaluar dhjetë minuta nga goli i barazimit, Lazio befasoi sërish, këtë herë me 11-metërsh. Immobile u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke arritur kuotën e 11 golave në Serie A, ku është golashënuesi më i mirë, me një gol më shumë se Dybala. Në gjithë ndeshjet e sezonit, përfshi kombëtaret dhe Kupat e Europës, Immobile ka shënuar 15 gola gjithsej, më shumë se çdo sulmues tjetër në pesë kampionatet elitare të Europës.

Në fund të ndeshjes, Lazio pati fat teksa Paulo Dybala goditi shtyllën, megjithatë vlen për t’u përmendur paraqitja e shkëlqyer e portierit shqiptar Thomas Strakosha. Në minutën e katërt shtesë, Juventus arriti të fitojë një 11-metërsh, pas faullit të pësuar nga zonë nga Bernardeschi. Edhe në këtë situatë u mor parasysh “VAR”, por sërish Strakosha mbeti i pathyeshëm duke hipnotizuar Dybala dhe duke pritur goditjen e tij.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *