Për të dytin vit radhazi u zhvillua Maratona e Tiranës, ku morën pjesë 2500 vrapues nga vende të ndryshme të botës.
Në garën e 21 km për femra fituese u shpall atletja e njohur shqiptare Luiza Gega duke vendosur rekord, ndërsa u shpreh se një pjesë e çmimit prej 2500 euro që fitoi do të shkojë për personat me aftësi ndryshe.
Ndërsa për meshkuj në këtë kategori fitues u shpall Abel Kibet Rop.
Në kategorinë e 10 km, për femra fitoi Olena Popova nga Ukraina, ndërsa për meshkuj Edwin Cheruiyot Melly nga Kenia.
Përsa i përket kategorisë së personave me aftësi ndryshe i pari doli Bledar Suxha, i dyti Erblin Karaj dhe i treti, Adem Demushi.
Në garë mori pjesë edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, sportistë dhe persona të tjerë të njohur.

Maratona e Tiranës u shndërrua sot në një festë sportive për të gjithë qytetin. Me qindra qytetarë të grupmoshave të ndryshme dolën përgjatë rrugëve të kryeqytetit ku ishte përcaktuar itinerari i Maratonës, për të mbështetur sportistët pjesëmarrës.
Ndërkohë, ajo që ra në sy ishte numri i lartë i vullnetarëve, rreth 660, që iu bashkuar nismës për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si nga Kryqi i Kuq, Emergjencat Civile, Rrjeti i vullnetarëve, biznese të ndryshme, ekipi i Tiranës, Eco Volis dhe shkollat e mesme të Tiranës të cilët zgjodhën që këtë fundjavë të linin angazhimet e tyre dhe të kontribuonin për promovimin e qytetit të Tiranës edhe në arenën ndërkombëtare.

Nisur pikërisht edhe nga prania e madhe e pjesëmarrësve nga vendet e tjera, por edhe ata të ardhur nga rrethet, në kryeqytet janë parashikuar një numër aktivitetesh kulturore dhe argëtuese.
Çmimet për fituesit e Gjysmëmaratonës së Tiranës
Femra:
1- Luiza Gega – 1.13.11
2- Zita Kacser – 1.14.53
3- Valentyna Kiliarskaja – 1.16.39
Meshkuj:
1 Abel Kibet Rop – 1.02.
2 – Joel Maina Mëangi – 1.03.42
3– David Nikolli – 1.07.27
Tirana 10 Km
Femra:
1- Olena Popova – 37.06
2- Relaksa Dauti – 39.09
3- Hellen Jepkosgei Kimutai – 40.42
Meshkuj:
1- Edwin Cheruiyot Melly nga Kenia – 30.32
2- Laszlo Gregor – 31.29
3- Tamash Nagy – 32.49
Persona me aftësi ndryshe, 5 Km
1- Vendi I – Bledar Suxha – 17.54
2- Vendi II – Erblin Karaj – 18.05
3- Vendi III – Adem Demushi – 19.07

