Sfida për fjalën e lirë, burgoset 80 vjeçarja në Gjermani

Leda Hysa

Një gjykatë gjermane ka shpallur fajtore Ursula Haverbeck, e  njohur gjithashtu si “gjyshja naziste”, për nxitje të urrejtjes pasi ka thënë se Holokausti është trillim dhe nuk ka pasur dhoma gazi në kampin e përqendrimit në Aushvic.

Haverbeck, tha një vit më parë në Berlin, se Holokausti nuk ka ndodhur dhe askush nuk është asfiksuar në kampin famëkeq të vdekjes në Aushvic, që mori jetët e 1.1 milionë njerëzve midis viteve 1940 dhe 1945, kryesisht hebrenj.

Për këtë arsye 80 vjeçarja është dënuar me 6 muaj burg,

Haverbeck e cila nuk pranoi fajin, pohoi se ajo po citonte një libër kur fliste për ngjarjen. Megjithatë, pasi studioi pamjet gjysmë minutëshe, gjykata vendosi që ajo ishte autorja e “fjalimit të saj” dhe e shpalli fajtore.

Argumenti i avokatit të saj se dënimi i 80 vjeçares shkel të drejtën e Haverbeck për fjalën e lirë, nuk arriti ta bëjë gjyqtarin të ndërronte mendje.

Muajin e ardhshëm, ajo do të gjykohet për akuza të ngjashme në qytetin Detmold, ku ajo po apelon për dënimin me burg. Akuzat rrotullohen rreth letrës së saj drejtuar kryetarit të bashkisë së Detmoldit, në të cilën këmbëngul se Aushvic ishte një kamp pune i thjeshtë.

Sipas ligjit gjerman, nxitja e urrejtjes përbën jo vetëm inkurajimin e urrejtjes ose dhunës ndaj një grupi të caktuar njerëzish, por edhe miratimin, mohimin ose minimizimin e krimeve naziste.

Ata që janë shpallur fajtorë nga gjykata përballen deri në pesë vjet burg. Haverbeck vazhdon të qendrojë në burg, pasi vendimet në rastet e saj janë ende në pritje.

Haverbeck gjithashtu ka marrë dy gjoba dhe një dënim të pezulluar për trazira.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *