Europa League, tri shqiptare në fushë

anazapta

Kukësi do të jetë skuadra e parë shqiptare që del në fushë sot, në takimet për raundin e parë kualifikues në Europa League. Skuadra nënkampione e Shqipërisë luan në Talin të Estonisë, për skuadrës vendase, Flora, takim që nis në orën 18:30, gjysmë ore më herët se ndeshja e Laçit kundër Differdange të Luksemburgut. Skuadra kuksiane është debutuese në Evropë dhe të paktën në aspektin e përvojës është pa dyshim inferiore ndaj kundërshtarit, që, për më tepër, është praktikisht kombëtarja e Estonisë. Megjithatë, Kukësi ka një numër të madh lojtarësh që kanë përvojë të madhe ndërkombëtare, falë aktivizimit me klube të tjera në kompeticionet evropiane, por edhe me ekipet kombëtare të moshave të ndryshme. Skuadra estoneze mori pjesë në Champions League sezonin e kaluar, ku eliminoi Shamrok Rovers të Irlandës në raundin e parë kualifikuese, ndërsa në të dytin u mund nga Bazeli. Dje skuadra e Armando Cungut ka bërë edhe stërvitjen në stadiumin ku do të luhet ndeshja, për t’u familjarizuar me terrenin dhe nuk ka asnjë problem për formacionin.

Gjysmë ore më pas, në fushë do të zbresë Laçi, i cili pret Differdange të Luksemburgut. Takimi do të luhet në stadiumin “Skënderbeu” në Korçë, pasi stadiumi i Laçit nuk i plotëson kriteret e UEFA-s për të zhvilluar ndeshje zyrtare ndërkombëtare. Fituesit e Kupës së Shqipërisë janë favoritë për t’u kualifikuar më tej, duke dashur edhe të përmirësojnë kurrikulumin e tyre evropian. Kjo është hera e dytë për Laçin që luan në Europa League dhe hera e parë është për t’u harruar. Pas barazimit 1-1 në shtëpi, bardhezinjtë u shpartalluan 7-1 në ndeshjen e kthimit në Bjellorusi, kundër Mogilev. Edhe Laçi nuk ka probleme me formacionin dhe i gatshëm është edhe Erion Vucaj, i cili pati një dëmtim të lehtë dy ditë më parë.

Në mbrëmje, në “Niko Dovana” të Durrësit është radha e Teutës për të bërë ndeshjen e saj evropiane. Skuadra durrsake, e cila pret Daçia Kishinjev të Moldavisë, është shumë më tepër e familjarizuar me të tilla ndeshje, krahasuar me pjesëmarrësit e tjerë në Evropë, përfshirë edhe Skënderbeun, që luan në Champions League. Megjithatë, dy përfaqësimet e fundit në Evropë nuk janë nga ato për t’u mbajtur mend. Durrsakët u eliminuan nga Metalurg Rustavi i Gjeorgjisë vitin e kaluar në Europa League, duke u mundur në të dyja ndeshjet me rezultatin e përgjithshëm 1-9, ndërkohë që edhe pesë vjet më parë e kishin mbyllur me një humbje të thellë, 2-6 me Slaven Belupo të Kroacisë. Skuadra moldave ka qenë më e suksesshme dhe në të dy sezonet e fundit e ka kaluar nga një raund kualifikues, për t’u eliminuar më pas dy herë nga skuadra suedeze. Vjet arriti të fitonte 1-0 me Elfsborgun, i cili përmbysi shifrat 2-0 në takimin e kthimit në Suedi. Një gjë e tillë do të thotë se, ndonëse kundërshtari nuk ka emër sugjestionues, Teuta duhet të impenjohet seriozisht e të mos e konsiderojë aspak të lehtë kalimin e turit.

 

Ndeshjet e sotme

Flora – Kukësi       18:30

Laçi – Differdange   19:00

Teuta – Dacia        20:00

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *