Pranvera Kola – DITA
Me rritjen e moshës shtohet edhe rreziku për thyerjen e kockave si shkak i sëmundjes së osteoporozës. Sipas të dhënave të raportuara nga strukturat shëndetësore, rezulton se 1 në 3 gra, si dhe 1 në 5 burra mbi 50 vjeç, pësojnë thyerje kockash si shkak i kësaj sëmundjeje.
Specialistët e shëndetit publik thonë se shpesh osteoporoza mendohet si sëmundje e femrave, por shifrat tregojnë se prej saj rrezikojnë në masë edhe meshkujt. “Rreziku i frakturave te meshkujt është më i madh se rreziku i zhvillimit të kancerit të prostatës.
Frakturat janë më të pakta te meshkujt, por kur ato ndodhin kanë një nivel më të lartë paaftësie e vdekshmërie sesa te femrat. Shumica e tyre madje as janë identifikuar, apo trajtuar për këtë sëmundje “të heshtur”, edhe pasi ata kanë pasur një thyerje”, bëjnë me dije specialistët e shëndetit në Institutin e Shëndetit Publik.
Sipas tyre, osteoporoza është një sëmundje gjatë së cilës densiteti i kockës dhe cilësia e saj reduktohet gradualisht, duke e bërë më të thyeshme. Humbja e masës kockore ndodh në mënyrë të heshtur dhe graduale, shpesh pa simptoma deri sa ndodh fraktura e parë.
Në shumë raste është ajo që evidenton osteoporozën, prandaj dhe është quajtur “epidemi e heshtur”. Në “Ditën Botërore të Osteoporozës”, bluzat e bardha të shëndetit publik sqarojnë se në shfaqjen e kësaj sëmundjeje ndikojnë një sërë faktorësh, shumë prej të cilëve ne i kemi në dorë për t’i ndryshuar.
Konkretisht, në listën e faktorëve që ne mund t’i ndryshojmë për të ulur rrezikun për osteoporozë bëjnë pjesë: heqja dorë nga konsumi i alkoolit, duhanit, mbajtja nën kontroll e peshës trupore, shmangia e ushqyerjes së varfër me kalcium dhe me proteina, mungesa e vitaminës D, si dhe moslënia pas dore e aktiviteteve fizike. Rezulton se njerëzit që bëjnë jetë sedentare rrezikojnë më tepër nga thyerja e kockave pas të 50-tave.
Femrat që rrinë ulur për më tepër se 9 orë në ditë, kanë 50 për qind më tepër mundësi për fraktura të legenit sesa ato që rrinë ulur më pak se 6 orë.
Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar udhëzuesin e përgatitur nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik rreth njohjes së faktorëve që favorizojnë zhvillimin e kësaj sëmundjeje, simptomave dalluese, si dhe masave që duhet të merren për parandalimin dhe trajtimin e saj.
Simptomat
Duke qenë se humbja e masës kockore gjatë osteoporozës ndodh gradualisht dhe është e padhembshme, ajo nuk ka simptoma të dukshme që tregojnë se një person është duke zhvilluar osteoporozën. Për këtë arsye osteoporoza quhet “epidemi apo sëmundje e heshtur”.
Megjithatë, disa shenja si dhimbja e lehtë, reduktimi i gjatësisë trupore me disa centimetra, apo frakturat (thyerjet), mund të jenë të lidhura me osteoporozën. Shpesh shenja e parë e osteoporozës është thyerja e kockës.
Një pjesë e mirë e rasteve janë fare pa shenja dhe osteoporoza konstatohet rastësisht mbas kryerjes së një testi të matjes së densitetit kockor.
Testet diagnostikuese
Mjekët thonë se për vendosjen e diagnozës, rekomandohet kryerja e testit të matjes së densitetit kockor (BMD test). Ekzistojnë një numër testesh të ndryshme për të kryer këtë matje, ku këshillohet përdorimi i atyre që kanë rrezatim me doza më të ulëta me rreze X.
Të gjithë individët mbi 50 vjeç, veçanërisht gratë në menopauzë, dhe ata të cilët kanë një faktor rreziku duhet të bëjnë matjen e densitetit kockor. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar vlerat referencë që rrjedhin nga matjet e densitetit kockor.
Kur testi i një personi është – 2.5 ose më i ulët, atëherë vendoset diagnoza osteoporozë, për të cilën mjeku specialist përcakton edhe llojin e trajtimit që duhet të ndiqet lidhur me ndryshimin e stilit të jetesës, si dhe përdorimin e medikamenteve.

Trajtimi që duhet ndjekur
Në varësi nga rezultatet e testit të densitetit kockor, mjeku mund të japë medikamente dhe suplementë për të parandaluar humbjen e masës kockore. Një mjekim i përshtatshëm i kombinuar me ndryshime të stilit të jetesës mund të shmangë shumë nga frakturat.
Trajtimi duhet të ndiqet në çdo rast vetëm sipas përshkrimeve të rekomanduara nga mjeku. Pacienti duhet të bëjë durim, pasi trajtimi zgjat për periudha të gjata kohore, e cila në asnjë rast nuk duhet të jetë arsye për ta ndërprerë mjekimin.
Krahas mjekimit, marrja e mjaftueshme e kalciumit dhe vitaminës D është e domosdoshme mbasi ndihmon për të siguruar efektivitetin maksimal të mjekimit me medikamente.
Këshillat parandaluese
Duke qenë se pas moshës 20 vjeç hollimi i kockave është një proces natyral që nuk mund të ndalet, kujdesi për osteoporozën duhet të fillojë gradualisht që në moshë të re. Mjekët thonë se mënyra më e mirë për të parandaluar dobësimin e kockave është fillimi i aktivitetit fizik dhe ushqyerja e shëndetshme që në fëmijëri, dhe ruajtja e këtyre zakoneve dhe në moshë të rritur.
Kryerja e ushtrimeve të rregullta fizike luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe mbajtjen e masës kockore. Ushtrimet janë individuale, por përgjithësisht shumica e njerëzve kanë nevojë për 30-40 minuta aktivitet fizik, 3 deri 4 herë në javë. Gjithashtu edhe marrja e kalciumit në sasi të mjaftueshme nuk duhet neglizhuar.
Sasia e kalciumit që duhet të konsumojmë ndryshon në stade të ndryshme të jetës. Kërkesat për kalcium janë të larta në vitet e adoleshencës. Me kalimin e moshës aftësia e trupit për të absorbuar kalcium ulet. Ushqimet e pasura me kalcium janë: qumështi e produktet e tij, perimet jeshile si: brokoli, lakra jeshile, disa fruta si portokalli, kajsia, fiqtë e thatë, peshku i konservuar, sardelet, arrat, bajamet, drithërat, lëngjet e frutave, etj.
Bashkë me kalciumin duhet të merrni dhe vitaminën D, e cila është esencilale për absorbimin e kalciumit. Ekspozimi për 15 minuta në ditë në diell i duarve, krahëve dhe fytyrës, është zakonisht i mjaftueshëm për prodhimin e vitaminës D për shumicën e njerëzve.
Kjo vitaminë sigurohet edhe nga ushqimet dhe suplementët. Ushqime të pasura me vitaminë D janë vaji i peshkut, veza, mëlçia, drithërat, etj. Ndjekja e një stili të shëndetshëm jetese është pjesë e kujdesit për kocka të shëndetshme.
Mënjanimi i duhanpirjes, pirja e moderuar e alkoolit dhe mbajtja e peshës trupore brenda kufijve të normës, janë disa faktorë të rëndësishëm. Duhet të dini se kafeina dhe kripa mund të rrisin humbjen e kalciumit nga trupi, prandaj nuk duhet të merren në sasi të tepërta. Megjithëse nuk ka të dhëna bindëse që tregojnë se pijet e gazuara joalkoolike dobësojnë kockat, nuk duhet tepruar me to.
Rreziku nga sëmundja e osteoporozës
- Te femrat mbi 45 vjeç, llogariten më shumë ditë qëndrimi në spital nga osteoporoza sesa nga sëmundje të tjera si infarkti, diabeti, kanceri i gjirit etj. Te meshkujt rreziku i thyerjeve nga osteoporoza është 27 për qind më i lartë se rreziku nga kanceri i prostatës.
- Rreth 50 për qind e njerëzve që kanë pasur një thyerje kocke të mëparshme nga osteoporoza do të kenë një thyerje tjetër të kockave
- Thyerjet e kockave të legenit shkaktojnë sëmundshmëri të madhe me një nivel vdekshmërie 20-24 për qind në vitin e parë pas frakturës.
- Thyerja e kockave të legenit mund të shkaktojë humbjen e funksionit dhe aftësisë për të vepruar vetë, duke shtuar edhe nevojat për shërbimin e kujdestarit.
- Shumica e pacientëve me thyerje për shkak të osteoporozës nuk vlerësohen dhe as trajtohen nga sistemi i kujdesit shëndetësor. Rreth 80 për qind e njerëzve që kanë pasur së paku një thyerje nga osteoporoza kanë qenë të padiagnostikuar, apo të patrajtuar për osteoporozë. Vetëm 40 për qind e personave që trajtohen për një kohë të gjatë me kortizonikë dhe që janë në rrezik të lartë për thyerje nga osteoporoza, janë testuar, apo janë trajtuar për osteoporozën.
14 faktorët që shkaktojnë osteoporozë
- Konsumi i lartë i alkoolit. Njerëzit që pinë më shumë se 2 njësi në ditë alkool rrisin deri 40 për qind rrezikun për frakturë nga osteoporoza.
- Pirja e duhanit. Studimet tregojnë se ata që pinë duhan janë më të rrezikuar se ata që nuk pinë.
- Indeksi i ulët i masës trupore. Nëse ky indeks është më i ulët se 19-20kg/m2, kjo është e lidhur me humbjen e masës kockore dhe rritjen e rrezikut për fraktura.
- Ushqyerja e varfër me kalcium dhe proteina, e cila rrit rrezikun për osteoporozë.
- Marrja e paktë dhe mungesat e vitaminës D. Kjo vitaminë është esenciale sepse ndihmon në përthithjen e kalciumit në gjak.
- Njerëzit që bëjnë jetë sedentare në mungesë të aktivitetit fizik kanë më tepër mundësi për fraktura. Për shembull femrat të cilat rrinë ulur për më tepër se 9 orë në ditë kanë 50 për qind më tepër mundësi për fraktura të legenit sesa ato që rrinë ulur më pak se 6 orë.
- Mosha, humbja e indit kockor në përgjithësi fillon pas moshës 40-50 vjeç, atëherë kur organizmi ynë nuk është në gjendje të zëvendësojë indin kockor me të njëjtin ritëm me të cilin e humbet atë. Kështu me rritjen e moshës rreziku për osteoporozë rritet.
- Gratë në mënyrë të veçantë, sidomos mbas menopauzës, janë më të rrezikuara për osteoporozë. Ndryshimet hormonale të cilat ndodhin në menopauzë janë një nga arsyet pse femrat janë në rrezik më të lartë për osteoporozë sesa meshkujt. Gratë në menopauzë duhet të jenë më vigjilente për shëndetin e kockave të tyre.
- Historitë familjare (familjarë të afërt, sidomos prindërit) me osteoporozë, ose thyerje që rezultojnë pas një goditjeje, apo rënieje fare të vogla tregojnë rrezik për osteoporozë.
- Gjithashtu një frakturë e mëparshme fare pa shkak rrit rrezikun për një frakturë tjetër gati 2 herë.
- Hypogonadizmi te meshkujt. Ashtu si deficiti i hormoneve estrogjen te femrat në menopauzë, deficiti i androgjenëve te meshkujt rrit rrezikun për osteoporozë.
- Përdorimi për një kohë të gjatë i disa medikamenteve si: kortizonikë, hormone të tiroides, atiepileptikë, citostatikë, etj.
- Artriti reumatoid dhe disa sëmundje kronike si malabsorbimi, sëmundje kronike të mëlçisë, hyperthyroidismi, etj.
- Megjithëse faktorët e mësipërm nuk mund të ndryshohen, njerëzit duhet të jenë në dijeni të tyre në mënyrë që të marrin masa për të reduktuar humbjen e masës kockore sa më shpejt të jetë e mundur. Për parandalimin dhe menaxhimin e osteoporozës është e rëndësishme që njerëzit të njohin faktorët e rrezikut individual.
