NATO-ja nuk do të jetë e aftë për t’i rezistuar sulmit potencial të Rusisë, thuhet në një raport të brendshëm të cituar dje nga javorja gjermane, Der Spiegel.
Në këtë dokument, me titullin “Raporti i progresit në forcimin e zmbrapsjes dhe aftësinë mbrojtëse të Aleancës”, janë theksuar disa mangësi.
Në këtë kuadër, pos tjerash, theksohet se bile edhe forcimi i Forcës Përgjegjëse të NATO-s ka dështuar të sigurojë se mund të “reagojë shpejtë dhe, nëse është e domosdoshme, në mënyrë të qëndrueshme”.
Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, ka refuzuar ta komentojë raportin e publikuar në të përjavshmen gjermane, por tha se “forcat e aleancës janë më tepër të gatshme dhe të afta të vendosen se sa në çfarëdo kohe në disa dekada” të fundit.
Raportet e NATO-s me Rusinë janë në nivelin më të ulët prej Luftës së Ftohtë dhe konfliktit në Ukrainë.
Pasi Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, NATO-ja ka pezulluar bashkëpunimin e saj civil dhe ushtarak me Moskën, ndërsa Ukraina ka shpallur interesim për anëtarësim në aleancën veri-atlantike.
