E si “nuk qenkam nga Vranishti?!”

DITA Online

 

Një esé mbi librin “Vranishti në shtëpitë tona” të Duro Mustafait

 Përparim Hysi

Sado pak hipotetike pyetja ime, sikur e ka marrë përgjigjen. Sado që jam nga Fieri, të qepet një mik si Duro Mustafai dhe, o të bën nga Vranishti, o bjerë e vdis! Nuk flas me apriori, por me  fakte. Kam gati gjashtë vjet që, të paktën, dy herë në javë takohemi me njëri-tjetrin dhe as që vihet në dyshim që, tanimë, jemi miq. Kam gati gjashtë vjet që Duro Mustafai më ka bërë bashkëpunëtor në shkrime në gazetën “Hora” fillimisht dhe, po kështu, kur “Hora” po me përgatitës Duron dhe me sponsorizim të inxhinierit Besnik Reshat Hasanaj (edhe ky nga Vranishti) u kthye në revistë, enkas për Vranishtin, Duroja gjithmonë do gjente paksa vend o për një poezi apo shkrim tjetër timin.

Kështu, pak nga pak, po bëhesha vranishjot. Por ja, sot që po shkruaj, nuk kam nga ia mbaj. Më dhuroi librin “Vranishti në shtëpitë tona” dhe më duket (me të vërtetë që më vjen mirë), sikur me këtë libër më ka dhënë “tapitë” e një copë trualli nga Vranishti.

*       *     *

Emri “Vranisht” përmendet që në shekullin XIII-të, është me origjinë pellazgo-ilire dhe në formën e parë ka qenë Uranista. Sa dokumentohet për këtë emër, supozohet si “perëndia e qiellit” (nga Uran) dhe për këtë shkruan Çabej i madh, por dhe francezi Roberto D’Angjeli.

Fshati ka një shtrirje të madhe, gati 23 km katrore. Është me lugina e pyje dhe Mali i Çikës ka lartësinë 2045 metra. Në kadastrën turke figuron nga shekulli XV-të dhe, në regjimin komunist arriti me 350 shtëpi dhe me 1600 banorë.

Është fshati i monumenteve, si: Qyteza e Horës, Kalaja e Horës, Guri i Qytezës, Guri me Qiell” apo Sofra e Zotit. Veç tyre ka ura mesjetare të tipit “me kurriz” apo siç quhen me termë historik si “ura e Vezirit”; ka ujësjellës që nga koha e Ali Pashë Tepelenës; në Vranisht apo nga Vranishti në shekullin XV-të, pas vdekjes së Skënderbeut janë shpërngulur banorë dhe janë vendosur në Hora, në Kalabri; thonë që në Vranisht ka qenë dhe Gjon Kastrioti, i biri i Skënderbeut; ka qenë kryerilindësi Avdyl Frashëri; ka qenë Ismail Qemali.

Vranishti e ka djegur barotin në të mirë të Atdheut dhe ka një nga kapedanët e Luftës së Vlorës që quhet Sali Vranishti; ka dëshmorë të LNÇL dhe Heroin e Popullit Hysn Çino.

Vranishti veç luftëtarëve është fshati që ka nxjerrë njerëz me dije në fusha të ndryshme, si: dijetar Sali HallkokondiA, akademik Teki Tartari etj. Nga Vranishti është një nga rektorët e Universitetit “Ismail Qemali”, Bilal Shkurti. Ka këngëtarë e valltarë me emër, si Tare Selmani, Çelo Jonuzi, Arap Çeloleskaj, Etem Shkurti e të tjerë.

 

Përveç monumenteve të natyrës,Vranishti ka një bukuri përrallore, ka ujëra të kristalta dhe ajër të freskët; ka malin e Çikës, malin e Bogonicës,Valin e Vranishtit, Lëmin e Lejlerëve në majën e Bogonicës, të cilët i japin fshatit një bukuri të veçantë. Vali i Vranishtit ndodhet në kurriz të Bogoncës në lartësi 1000 m dhe ka formën e një stadiumi rrethor me një sipërfaqe prej 2 km katrorë.

Vranishti ka 5 mëhalla (lagje): Mëhalla e Vranishtit (si mëhalla “mëmë”) dhe pas kësaj lindën të tjerat, Mëhalla e Reçe, Mëhalla Alikonde, Mëhalla Gjike, Mëhalla Gjoke.

*      *    *

Vranishjotët kanë dhënë kontribut historik për Atdheun, dhe kjo është arsyeja që Këshilli Bashkiak i Qarkut Vlorë, disa rrugëve të qytetit u ka vënë emrat e vranishjotëve me emër, si të  Zenel Çelos, Pasho Ramadanit, Sali Vranishtit, Azem Sulos, Hysen Çinos, Shaban Seferit, Sali Hallkokondit, Rrapo Metos, Xhemil  Dukës, Shakohoxhenjëve, Maman Saliut dhe Anita Bitrit.

Nga Vranishti dolën 24 partizanë dhe çeta e parë partizane u formua më 25 gusht 1943. Kjo çetë mori emrin e kapedan Sali Muratit dhe për komandant pati Maman Saliun, kurse komisar Jonuz Mersinin; nga Vranishti ka qenë, i katërti i “Kodrës së Kuqe”, Muharrem Llanaj (i lënë në harresë, sado që ishte me Vojo Kushin e dy shokët e tjerë, Xhorxhi Martinin e Sadik Stavelecin; dëshmori i parë në krahinë ka qenë Shaban Seferi; ky dëshmor ka qenë dhe poet se kishte botuar tre vëllime me poezi dhe këngë nga viti 1934-1942 dhe la në dorëshkrim: “Hormova” dhe “Rrufeja e djalërisë”.

Shkolla e Vranishtit mban emrin “Hysen Çino” dhe ka përgatitur mbi 4000 nxënës. Së pari është hapur në vitin 1913 nga mësuesi Merçan Selami. Vranishti ka 58 martirë (burra, gra, fëmijë) të vrarë nga nazistët gjermanë në Operacionin e dimrit në vitin 1943-1944.

Në librin e ilustruar me foto dhe dokumente autentike ka edhe shumë gjëra të tjera interesante. Por unë mendoj se dhe me  kaq sa u thashë, meritoj që të jem nga Vranishti!

Tek i mbyll këto përshtypje kaq modeste të mia, nuk  kam si mos vë në dukje atë punë aq profesionale, të shkrimtarit dhe gazetarit me përvojë, Duro Mustafai, që u kujdes për ta bërë Vranishtin edhe “pronë” të atyre që nuk janë nga Vranishti, një prej të cilëve jam unë.

 

Share This Article
2 Comments
  • Perparim Hysi,me PENE QENDISTARE, ne Vranisht .

    Me te lumte Perparim Hysi…
    Qe na ben te therresiem VRANISHTIOT.
    Gjithnje, sa hap komputerin,shoh emrat e autoreve Qe i kam dobesi. Ne titujt e tyre,m’i mberthen syte Perparim Hysi,Sot,ma bllokoi shikimin nje fotopllakte,e jashtezakonshme:” Vranishti ne shtepite TONA”.
    M’i lumte realizesit:sa ju i nderuar Papi,qe si gjithnje, jeni pikant.
    Autorin, te nderuarin;gazetar dhe shkrimtar me pervoje, Durro Mustafaj e kam dobesi,sot kaluar te 80 vite jete,me arresimin dhe kulturen,Ai ballor me PENE.
    Po mjeshteria Yte i nderuar Perparim, ne paraqitien e ketij libri, eshte per t’u nenvizuar,si nje ESE e rralle. Pergezime te nderuarit perparim Mustafait dhe Juve si gjithnje;O “PENA e DASHURISE”.
    VO..Per koefidence Papit: dhe….
    ,Kur te lexosh e shkruash per Zavalanin e”Dangellise Naimjane”, do te te bejme pashaportizimin atje…besoj nuk do e quash me”detyrim e percaktim”. Jane tre emrtime te ralla: “Dangellia Naimjane”,”Vellezerit Frasheri” dhe “Guri Naimit”! besoj te mjaftojne te na shkruash, me tej se nje ESE.
    Me konsiderate,thuajse bashkemoshatari..

    Toronto22-!0-2017 Guri Naimit D.(Dh.Xhoga )

  • Komenin e kam bere…pse nuk vihet?!, ..odjema apo cupa?! Ketu flitet per nje liber te shkelqqyer sa ate artikull me perkushtim,letrar dhe artistik, te Perparim Hysit.
    Prape s’ka gje..e di qe ju kam bezdis shume,po keto komunikime me ju,dhe dhe vetem me ju,mediat, jane “Trinitrina” per mua, tashme 80 e kusur vite..si ne asfiksi..pa eren e atdheut, nje jete rritur breza te tere…
    Mos me qortoni po hallin ma qani.
    Guri Naimit D.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *