Nderohet me Urdhrin e Misionarit të Paqes (Medaljen e Artë) lideri i Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë, publicisti Maksim Rushi
Vepror Hasani
“Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet kishte marrë vendimin të më nderonte me Medaljen e Artë “Urdhëri i Misionares së Paqes, shenjtores Nënë Tereza”. Kështu e nisi rrëfimin e tij, publicisti i mirënjohur dhe bashkëpunëtori i shumë gazetave shqiptare, Maksim Rrushi, lindur në Shalës të Kolonjës më 1 qershor 1952, tashmë prej disa vitesh kryetar kombëtar i Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë. Lajmi më la të emocionuar, vijoi ai. Gjithnjë kisha dashur të isha në shërbim të njerëzve dhe ja, tashmë ëndrra ime ishte bërë realitet; po vlerësohej nga një institucion mjaft i rëndësishëm, që ka për mision paqen ndërkombëtare, i akredituar në Kombet e Bashkuara, në Bashkimin Europian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili operon në Ballkan dhe në mbarë botën, madje edhe në Shqipëri. Misioni u vjen në ndihmë vendeve të pazhvilluara ose të përfshira në kriza politike, luftëra apo katastrofa natyrore etj. Vendimi ishte marrë prej Bordit të drejtuesve të Misionit të Lobimit”.
Kur humba shikimin
“Vijoja të isha i emocionuar, tregon më tej Maksim Rushi. Të pranishëm ishin: Kryetar Nderi i Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet, ambasador, prof. dr. Madhu Krishan, njëherazi kryetar i Akademisë për Paqe Universale Globale; guvernatori i misionit në Tiranë, dr. Shefki Hysa; aktivistja e mjaftvlerësuar Lumturi Vladi etj. I pranishëm me letër-falënderimet e tij ishte dhe peshkopi, dr. Jose Moreno, konsull i Përgjithshëm i Misionit Diplomatik Amerikan në Botë dhe i Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet. Emocionet e mia u bënë edhe më të forta, kur hodha supeve veshjen e ceremonisë së rastit…
Atë çast m’u kujtua mëngjesi i një dite të largët. Kur u ula te makina e shkrimit për të shkruar lajmet e ditës, vura re se shkronjat mbi letër më dilnin të mjegulluara. Kisha vite që shkruaja si korrespondent për gazetat qendrore të Tiranës, por kurrë më parë nuk më kishte ndodhur kështu. Vështrimi im kishte filluar ta humbiste kthjelltësinë. Ndoshta drita e syve do të më braktiste pak e nga pak; ndoshta një ditë do ta gjeja veten mes territ të plotë. U trondita, por brenda shpirtit tim kisha një vendim: edhe sikur të shndërrohesha në person me aftësi të kufizuar do të përpiqesha të isha i vlefshëm për veten dhe njerëzit.
Edhe motivacioni për dhënien e Medaljes së Artë, i përshkruante përpjekjet e mia në shkallën sipërore, ku thuhej: “Për angazhim të shkëlqyer dhe kontribut të çmuar në fushën e Edukimit dhe Botimit, për frymëzimin e koekzistencës sociale dhe paqen ndërkomunitare, si rol model, publicist dhe gazetar, si drejtues i suksesshëm i institucioneve publike, si misionar paqeje, si aktivist i mirënjohur i të drejtave të njeriut, si promotor i misionit të së ardhmes, që sjell paqe dhe prosperitet për gjithë njerëzimin”.

Vendlindja ime
“Këto ishin fjalët që shkruheshin në motivacion, kujton Maksim Rushi. Ato fjalë më çuan sërish te vitet e mia të e hershme. Shikimin e humba, por si korrespondent nuk hoqa dorë. Të shkruarit ishte pasioni im. Veçse për një gjë jam i sigurt: shpirtin e artistit ma ka dhuruar vendlindja, Shalësi i Kolonjës. Nuk keni qenë ndonjëherë atje? Kur udhëton nga Erseka drejt Leskovikut në kilometrin 22 do të gjeni një pllakë ku shkruhet: rruga “Pandeli Evangjeli”. Edhe ai ka qenë nga Shalësi, kryeministër i Shqipërisë, i cili më 16 tetor 1921, formoi kabinetin e ri qeveritar. Me të hyrë në këtë rrugë do të gjeni një botë tjetër: ajër të pastër, gjelbërim që të shoqëron ngado, thëllëza, cërre, kunadhe, sorkadhe, lepuj e derra të egër, lule të shumëllojta, burime dhe vreshta, ku pihet verë në çdo stinë e mishi piqet në hell.
Vendet e shenjta janë të shumta, si: Shën Gjergji, Shën Harallmbi, Shën Kolli, Shën e Premtja, Shën Mëria, Shën Milli, Shëndëlliu, Shën Thanasi, Shën Vasili etj. Të gjitha këto e bëjnë Shalësin një fshat të rrallë. Vlerat shpirtërore, arsimdashëse, vlerat demokratike, bashkëpunimi, toleranca, mirëkuptimi, respekti për njëri-tjetrin etj i kanë shoqëruar njerëzit brez pas brezi. Në familjet e shalsllinjëve është e natyrshme të gjesh prindër të përkushtuar, fëmijë të edukuar, njerëz të dashur e punëtorë që në thelb kanë dashurinë e vërtetë për vendin, për njëri-tjetrin dhe miqtë e tyre. Aty njerëzit janë të bekuar, lindin me shpirtin e madh të artistit”.
Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë
Më 4 dhjetor 2012, lindi Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë. Sot mund të them pa droje se ia kemi dalë mbanë, dhe kjo fal bashkëpunimit me intelektualë të zotë e të përkushtuar dhe përkrahjes që kam patur nga dy vajzat e mia. Sot kemi bashkëpunim me shoqatat homologe të Kosovës dhe të vendeve të tjera të botës me qëllimin e vetëm, kapërcimin e pengesave dhe vështirësive, me të cilat përballen qytetarët me aftësi të kufizuara në Shqipëri. Peshkpoi dr. Jose A.P Moreno më shkruante: “Është një kënaqësi e madhe për mua t’u drejtohem përmes kësaj letre vlerësimi për angazhimin si kryetar Kombëtar i Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë. Ju jeni vërtet jo vetëm një lider model i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, por edhe një aktivist i mirë shoqëror që keni përballuar çdo lloj vështirësie që ju kanë shkaktuar strukturat burokratike të pushteteve të ndryshme”.
