Leximi në çdo moshë ruan kujtesën. Një studim i kryer së fundmi arriti në përfundimin se aktivitetet që stimulojnë trurin si të lexuarit apo plotësimi i fjalëkryqeve ngadalësojnë plakjen e trurit. Studiuesit thonë se mbajtja e trurit në aktivitet, sidomos në moshë të thyer, parandalon sëmundje si Alzajmeri apo demenca.
Studimi u krye me 294 persona, të cilëve iu dhanë teste njohurish çdo gjashtë vjet, deri në përfundim të jetës, mesatarisht në moshën 89-vjeçare.
Ata duhej t’u përgjigjeshin edhe pyetjeve nëse kishin lexuar libra apo kishin marrë pjesë në veprimtari që lidheshim me stimulimin e kujtesës gjatë fëmijërisë, adoleshencës, moshës së mesme apo pleqërisë. Pas vdekjes, truri i tyre u ekzaminua për shenja të demencës apo dëmtime të tjera.
Analizat nxorën se ata që kishin marrë pjesë në veprimtari që stimulojnë trurin kishin pasur një rënie më të ngadaltë të kujtesës.
Profesorët e universitetit të Çikagos, të cilët kryen studimin, thonë se aktivitete si të lexuarit ose të shkruarit janë të rëndësishme për të gjitha moshat. / G. Sokoli

Artikull shume i nevojshem sidomos per pensionistet ne Shqiperi.