Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është duke proçesuar numërimin e fundit për zgjedhjet për kryetarë komunash.
Si rëndom, procesi i pasqyrimit të votave në uebfaqen e KQZ’së komplikohet. Megjithatë, sipas rezultateve të orës 1:00 pas mesnate, pasqyra është kjo:
Në Deçan Bashkim Ramosaj i AAK’së fiton pa balotazh me 63.18%.
Në Gjakovë, pas numërimit të 90% të votave, do të ketë balotazh mes të Ardian Gjinit të AAK’së dhe Mimoza Kusari-Lilës të Alternativës. Gjini ka 40.36 %të votave, ndërsa Kusari-Lila 31.82 %të votave.
Në Drenas pa balotazh ka fituar Ramiz Lladrovci i PDK’së.
Në Gjilan janë numëruar 74.42 %të votave. Ky rezultat e vendos Lutfi Hazirin e LDK’së të parin me 43.56 për qind, ndërsa në balotazh hyn Sami Kurteshi i Vetëvendosjes me 26.86 për qind.
Në Dragash janë numëruar 84.75% e votave e atje do të ballafaqohen Selim Kryeziu i LDK’së (37.94 %) me Shaban Shabanin e PDK’së (28.12%).
Për herë të parë Istogu shkon në balotazh. Nga 87.3% e votave të numëruara, Haki Rugova i LDK’së është ndalur në 43.85 %të votave, i ndjekur nga Gani Dreshaj i AAK’së me 37.07 për qind.
Në Kaçanik janë numëruar 82.98 % e votave. Aty po zhvillohet garë e ngushtë për vendin e dytë. I pari është Besim Ilazi i PDK’së (39.21%), i dyti Basri Kodra i VV’së (21.69%) e Shkëlqim Jakupi i LDK’së me 19.59 për qind.
Në Klinë kryetari aktual Sokol Bashota i PDK’së do të duhet që edhe për katër javët e ardhshme t’i bindë qytetarët se meriton edhe një mandat. Ai ka marrë 37.48 % të votave, ndërsa për balotazh luftojnë Zenun Elezaj i AAK’së me 24.54 %të votave dhe Besim Hoti i LDK’së me 24.11 për qind. Në këtë KQZ ka numëruar 83.87 % të votave.
Në Fushë Kosovë nuk do të ketë balotazh, pasi Burim Berisha i LDK’së ka fituar mandatin e katërt si kryetar komune me 63.45 %kur KQZ ka numëruar 82.22 % të votave.
Për herë të parë, VV prin në Kamenicë. Qëndron Kastrati ka fituar 34.28 % të votave dhe në balotazh e pret Shaip Surdullin e LDK’së që ka 28.39 %të votave. KQZ nga kjo komunë ka numëruar 89.29 %të votave.
96 %të votave janë numëruar në Mitrovicë. Valdete Idrizi e PDK-së prin ngushtë para Agim Bahtirit të AKR’së. E para ka 29.7 % e i dyti 27.13%.
As në Lipjan s’do të ketë balotazh. KQZ ka numëruar 92.68 % të votave dhe fitues është Imri Ahmeti i LDK-së me 59.53 % të votave.
94.29 % të votave janë numëruar në Obiliq. Kryetari aktual Xhafer Gashi i AAK-së është fare pranë kuotës së 50 përqindëshit (49.18%). Nëse Obiliqi shkon në balotazh, do t’i duhet të garojë kundër Mehmet Krasniqit të LDK-së (27.78%).
Në Rahovec prin Smajl Latifi i AAK-së (33.26%) i ndjekur nga Idriz Vehapi i PDK-së (29.68%). Janë numëruar 97.44 %të votave.
Ajo që pak kush e ka pritur ka ndodhur në Pejë. Gazmend Muhaxheri i LDK-së ka fituar pa balotazh me 50.31%.
Podujeva për herë të parë hyn në balotazh nëse vazhdon rezultati sikur i 88.29 %të votave të numëruara. Agim Veliu i LDK’së prin me 48.42 për qind, i ndjekur nga Ajet Potera i VV’së me 29.84%.
KQZ ka numëruar vetëm 76.69 %të votave në kryeqytet, Prishtinë. Sipas tyre, Shpend Ahmeti i VV-së prin me 44.52 për qind, ndërsa në balotazh do të përballet Arban Abrashin e LDK-së (35.89%).
Në Prizren janë numëruar 85.84 %e votave. Shaqir Totaj i PDK-së është i pari me 30.04, ndërsa në balotazh hyn Mytaher Haskuka i VV-së me 21.92%.
Siç pritej, në Skenderaj kandidati i pavarur Bekim Jashari ka fituar pa balotazh mbi 85 %të votave.
Në Shtime do të ketë balotazh mes Naim Ismajlit të PDK-së dhe kandidatit të pavarur Fatmir Rashiti.
LDK-ja që udhëhiqte me Suharekën tani do të hyjë në balotazh si e dyta. Sali Asllanaj i LDK-së do të garojë në balotazh me Bali Muharremajn e AAK-së.
Në Ferizaj, Agim Aliu i PDK-së po udhëheq me rreth 39 %të votave, duke lënë prapa Muharrem Sfarqën e LDK-së me të cilin do të përballet në balotazh.
Në Vushtrri me 80 %të votave të numëruara, Ferit Idrizi i PDK-së ka 32.82 %të votave ndërsa LDK e VV përballen fort për pozitën e dytë. Xhafer Tahiri i LDK-së ka 26.06 %të votave, ndërsa Besim Muzaqi ka 25.29 % të votave.
Malisheva është komuna e vetme në të cilën në balotazh hyn Nisma. Nisma që udhëheq me këtë komunë në balotazh hyn si e para me Ragip Begajn që ka marrë 39.97 %të votave. Ai ndiqet nga kandidati i PDK-së që ka 27.72 % të votave.
Vitia është komuna e radhës e cila nuk do të ketë balotazh. Sokol Haliti i LDK-së ka fituar shumicën e nevojshme për t’iu shmangur balotazhit.
