Janë shitur në një ankand në Jeruzalem me vlerën 1.65 milion dollarë, dy shënime të shkruara nga Albert Ajnshtajn që përshkruajnë teorinë e tij se si të jetojmë të lumtur.
Ajnshtajni ia dha shënimet e tij një korrieri në Tokio në vitin 1922 në vend të bakshishit, gjatë kohës kur jepte leksione në Japoni pasi nuk kishte pasur para.
Fizikanti me origjinë gjermane sapo kishte mësuar se kishte fituar një çmim të lakmuar dhe i kishte thënë korrierit se nëse do kishte fat, shënimet e tij do bëheshin të vlefshme për të gjithë.
Ajnshtajni shkroi në shënimet e tij se arritja e një qëllimi për të cilën kemi ëndërruar për shumë kohë, nuk do garantonte domosdoshmërisht lumturinë.
Kur korrieri shkoi në shtëpinë e tij për të bërë një dërgesë, ai nuk kishte para për ta shpërblyer. Në vend të kësaj, ai i dorëzoi të dërguarit një letër me një fjali të shkruar në gjermanisht: “Një jetë e qetë dhe e përulur do të sjellë më shumë lumturi sesa ndjekja e suksesit dhe shqetësimi i vazhdueshëm që përjetohet bashkë me të.” Një shënim i dytë i shkruar në të njëjtën kohë thotë: “Ku ka vullnet, ka një mënyrë.” Ky shënim u shit në vlerën 240,000 dollarë.
Ofertat fituese për të dyja shënimet ishin shumë më të larta se çmimi i parashikuar para ankandit. Organizatori i ankdandit tha se blerësi i një prej shënimeve ishte një burrë evropian i cili nuk donte ti publikohej emri. Thuhet se ai është nipi i korrierit.
