Ujkani drejt rikthimit në Serinë A, e kërkon Udineze

anazapta

Samir Ujkani mund të rikthehet sërish titullar në Serinë A, këtë radhë me Udineze. Klubi nga Friuli ka hedhur sytë nga portieri shqiptar, pasi Zeljko Bërkiç, nuk do të mund të japë kontributin e tij të paktën deri në janar për shkak të një dëmtimi të rëndë. Gjatë një seancë stërvitore në palestër, 26-vjeçari nga Novisadi ka pësuar një dëmtim aksidental në shpatull, por që rezultoi më i rëndë nga sa mendohej. Shtatlarti serb i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale dhe do t’i duhet të paktën katër muaj derisa të nisë stërvitjen me topin.

Në këto kushte, drejtuesit e Udinezes janë të detyruar të kërkojnë një portier tjetër me eksperiencë në Serinë A. Drejtori sportiv i friulanëve, Kristiano Xhareto, e pranoi se Ujkani mbetet alternativë kryesore për të plotësuar organikën me një tjetër portier, po shtoi gjithashtu se Ivan Kaleva i blerë nga Dinamo e Zagrebit nuk do të jepet në formën e huazimit, sikurse ishte parashikuar, por do të luftojë për një fanellë titullari, me shumë mundësi me Ujkanin. 25-vjeçari shqiptar është në pronësi të Palermos, ku u aktivizua gjatë fazës së parë të sezonit që lamë pas, ndërsa në merkaton e dimrit u transferua te Kievo në formën e huazimit. Qëndrimi në stol te Kievo e shtyn Ujkanin të kërkojë një tjetër destinacion për sezonin e ri, ku sigurisht Udineze do të ishte më i preferuari.

 

Palermo interes për dy kuqezinjtë

Palermo interesohet për dy shqiptarët Armando Vajushi dhe Jurgen Gjasula. Nga sezoni i ri kjo skuadër të garojë në Serinë B të kampionatit italian. Lajmi bëhet i ditur nga palermo24.net, në të cilat thuhet se klubi sicilian është i interesuar për dyshen kuqezi. Vajushi, pas një sezoni të shkëlqyer te skuadra bullgare Litex, është vënë në shitje nga klubi, me qëllim që nga largimi i tij të përfitohet financiarisht. Gjasula është një lojtar i lirë, pasi më 30 qershor i përfundoi kontrata me Duisburgun. Mesfushori tiranas nuk e rinovoi kontratën, kjo edhe për faktin se me drejtuesit e klubit nuk u gjet një e mesme e përbashkët.

 

Share This Article