Në një intervistë për gazetën “Dita”, drejtori i spitalit rajonal të Gjirokastrës kërkon të merren masa për të rregulluar situatën në institucionin që ai drejton, duke kërkuar bashkëpunimin e të tjerëve
GJIROKASTËR – Të dehur apo endacakë që “përplasen” dyerve të spitalit e që nuk ngurrojnë as të konfrontohen me mjekët. Është ky shqetësimi më i madh me të cilin përballet institucioni më i madh shëndetësor në jug të vendit, spitali rajonal “Omer Nishani” në qytetin e Gjirokastrës.
Ndërsa performanca e spitalit rajonal “Omer Nishani”, si përsa u përket kushteve, aparaturave apo stafit ka ardhur në rritje, drejtues të këtij institucioni ngrenë zërin për atë që e cilësojnë problem jo vetëm për stafin, por edhe si fenomen shqetësues shoqëror.
Genci Sinojmeri, drejtor i spitalit, pohon për gazetën “Dita” se nuk kanë munguar as takimet me institucionet kompetente për zgjidhjen e kësaj problematike.
“Reparti i urgjencës mbetet më problematiku, sepse është reparti i parë që përballet me çfarëdolloj situate. Ne kemi bërë përmirësim cilësor si të stafit, ashtu edhe të aparaturave. Problemet janë kryesisht gjatë orëve të vona të natës, ku nuk mungojnë rastet kur persona apo grupe njerëzish vijnë të dehur dhe krijojnë situata të ndryshme apo, kur kërkojnë të lihet trajtimi i një pacienti dhe të kujdesen për ta dhe më tej kalojnë edhe në konfrontim me stafin.
“Të braktisurit përfundojnë në spital”
“Një problem i jashtëzakonshëm që dua ta ngre edhe si shqetësim qytetar është edhe ai i personave të braktisur, që enden rrugëve dhe që përplasen te ne. Shumë shpesh ne marrim telefonata edhe nga salla operative e policisë së Gjirokastrës për njerëz të braktisur, të cilët duhet t’i marrë autoambulanca. Kjo për mua si drejtues institucioni, është e papranueshme.
“Ambulanca shkon e merr pacientin, e sjell në spital, e ekzaminon, i bën të gjitha ekzaminimet e duhura dhe rezulton se ai person nuk është i sëmurë dhe deri sa të gjendet se ku do shkojë ai njeri, mbetet në spital. Dua të theksoj se nuk është spitali rajonal “Omer Nishani” institucioni që strehon njerëzit e braktisur.
“E kam ngritur këtë shqetësim edhe në institucione të tjera dhe pres që të zgjidhet, sepse është një problem që veçanërisht gjatë muajve të fundit është bërë shumë shqetësim për institucionin tonë”, shprehet Sinojmeri.
“Të gjithë në spital”
Gjithashtu, sipas drejtorit të spitalit, sistemi i referimit mbetet ende një pikë shqetësuese. “Sistemin e referimit e kemi implementuar shkallë- shkallë dhe duhet kuptuar nga të gjithë e në radhë të parë nga komuniteti. Pra, të gjithë pacientët që paraqiten në spitalin rajonal “Omer Nishani” për të marrë shërbim qoftë në vizita ambulatore apo spitalore, duhet të kenë dokumentacionin përkatës. Konstatojmë se kemi njëfarë ndërgjegjësimi nga banorët e Gjirokastrës, por problemet më të mëdha vijnë nga pacientët nga rrethet e Tepelenës dhe Përmetit, të cilët edhe në mungesë të mjekëve specialistë apo mjekëve të familjes vijnë direkt për vizitë në spital pa pasur dokumentacionin e kërkuar dhe detyrimisht pastaj duhet t’i nënshtrohen pagesave.
Ne po punojmë shumë, duke ushtruar edhe kontrolle të herëpashershme, së bashku me strukturën e auditit të brendshëm, por edhe me struktura të tjera, si: ISKSH apo DSHP në mënyrë që spitali përfundimisht të çlirohet nga kjo barrë e një fluksi pacientësh, të cilët më parë duhet të kalojnë nga mjeku i familjes e më tej t’i drejtohen institucionit për ekzaminime të mëtejshme.
Edhe në këtë pikë është urgjenca që përballet, sepse banorët janë mësuar që për çdo shqetësim t’i drejtohen asaj. Natyrisht që urgjenca është e predispozuar t’i përgjigjet çdo lloj problematike, por ka shumë raste që nuk kanë asnjë lidhje me këtë shërbim dhe kjo krijon shqetësim në këtë repart, ku problematika është mjaft e mprehtë, sepse nuk kanë munguar as rastet e konfrontimeve ndërmjet stafit mjekësor dhe familjarëve të pacientëve, të cilëve u është kërkuar dokumentacioni.
Të gjitha këto raste i kemi denoncuar. Janë vetëm 7 nozologjitë që trajtohen si urgjenca, të tjerat duhet të plotësojnë dokumentacionin apo t’i nënshtrohen sistemit të referimit”, thekson më tej drejtori Sinojmeri.
Aktualisht pranë spitalit rajonal “Omer Nishani” janë 16 mjekë specialistë, por ka edhe mungesa. Ky institucion mbulon nevojat shëndetësore të pacientëve nga 5 rrethet jugore: Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Sarandë e Delvinë.
Somario: Nuk kanë munguar as rastet e konfrontimeve ndërmjet stafit mjekësor dhe familjarëve të pacientëve, të cilëve u është kërkuar dokumentacioni
Somario: Shumë shpesh ne marrim telefonata edhe nga salla operative e policisë së Gjirokastrës për njerëz të braktisur, të cilët duhet t’i marrë autoambulanca
Ky Genci, qe si drejtor vjedh me tendera edhe leket e benevrekeve te te semureve, qe ka nderruar nja 10 parti deri tani, kur kandidonte per LSi shkonte dhe u bente presion mjekeve per efekt elektoral ne spital, se perse nuk pranonin njerezit per vizita, ndersa tani kerkon te mos pranohen njerezit neper spitale, sikur e ka spitalin e babait, apo sikur eshte roje i rezidences se Ilir Kryemadhit.