Bizneset do të kenë një zonë të lirë ekonomike në Tiranë, me një impakt të drejtpërdrejtë e të matshëm në zhvillimin e qytetit dhe stimulimin e rritjes ekonomike. I pranishëm në eventin “Tirana Business Matching”, me temë “Sfidat për rritjen e investimeve dhe aftësisë konkurruese të ekonomisë shqiptare”, kryebashkiaku Erion Veliaj, tha se po punohet intensivisht për të bërë realitet zonën ekonomike të Tiranës, e cila do të lehtësojë edhe sipërmarrjen dhe gjenerojë vende të reja pune.
“Gjithmonë e më shumë qytetet po zënë peshë në axhendat ekonomike. Shumë shpejt do të aplikojmë për statusin e një zone të lirë ekonomike në zonën e Kasharit. E di që për shumë biznese që e kanë marrë vendimin për t’u transferuar në Shqipëri, sfida e zgjerimit dhe e negocimit të pronave dhe aseteve është një dhimbje koke. Besoj se me dispozitat ligjore që do ta lejojnë bashkinë të jetë një operator i zonave të lira ekonomike, do të jemi shumë shpejt në fazën e aplikimit”, tha Veliaj. Kreu i Bashkisë saktësoi se zona do të shtrohet në një sipërfaqe me mbi 60ha. “Kemi identifikuar terrenin, janë mbi 60ha të cilat do të jenë të gatshme për bizneset”, shtoi ai.
Bulevardi i Ri është një tjetër projekt madhor që është konceptuar si një hapësirë zhvillimi. Veliaj tha se ndryshimi më i madh që ka ndodhur është se sot Bashkia e Tiranës i mendon dhe planifikon projektet e saj duke llogaritur impaktin e tyre ekonomik, sikurse është zona tek Bulevardi i Ri. Më tej, Veliaj theksoi se për herë të parë Tirana ka një hapësirë të pajisur jo vetëm me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, por edhe me një plan të mirëfilltë zhvillimi, që do të kthehet në kantierin e madh të Tiranës së gjeneratës tjetër.
Gjithashtu,Veliaj theksoi se si rezultat i këtyre projekteve, ka pasur një reagim pozitiv nga qytetarët e bizneset, që ka ardhur qoftë në formën e rivlerësimit të pronave në shumë zona, por edhe në gjallërimin e aktivitetit ekonomik. Në takimin e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, me mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, u bënë bashkë drejtues korporatash, politikbërës ekonomie, personalitete të huaja dhe ekspertë të cilët diskutuan rreth mbështetjes së sektorëve prioritarë, si: infrastruktura, energjia, turizmi, bujqësia dhe agro-përpunimi, inovacioni dhe teknologjia apo tregjet financiare. Ndërkohë, Sipërmarrës nga Italia, Austria, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kroacia, Kosova, Maqedonia si dhe shumë vende të tjera prezantuan mundësitë e tyre konkrete të bashkëpunimit me palën shqiptare.
