Do të mblidhet sot senati spanjoll për të diskutuar planet e qeverisë për t’i hequr Katalonjës disa prej fuqive pas përpjekjeve të rajonit për pavarësi.
Gjasat janë që të miratohen masat e emergjencës, ku përfshihet pezullimi i Presidentit katalanas.
Ndërkohë nga ana tjetër Parlamenti rajonal i Katalonjës, po shikon mundësinë e shpalljes së pavarësisë.
Debati nisi të enjten, pasi Carles Puigdemont nuk i shpalli zgjedhjet e reja, ashtu siç pritej gjerësisht dhe në vend të kësaj i bëri thirrje ligjvënësve katalanas t’i japin ata një përgjigje ngërçit të krijuar.
Separatistët e vijës së ashpër vazhdojnë të këmbëngulin për shkëputje.
“Ne do të vazhdojmë të ndjekim rrugën e një Republike Katalanase”, tha njëri prej tyre, ligjvënës i CUP-së së ekstremit të majtë, e cila i ofron mbështetjen kyçe koalicionit qeverisës pro-mëvetësisë.
Të shtunën e kaluar, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy njoftoi se kishte kërkuar aktivizimin e Nenit 155 të Kushtetutës, sipas të cilit, qeveria qendrore mund të ndërhyjë dhe të marrë në dorë qeverisjen e Katalonjës.
Presidenti i Katalonjës, Puigdemont po atë ditë i kërkoi Parlamentit të hapte një debat dhe të lejonte një votë lidhur me planet e qeverisë qendrore.
Komentet e tij u panë si një kërcënim i nënkuptuar për të shpallur zyrtarisht pavarësinë, pasi më parë ai deklaroi një ngrirje të planeve, siç duket, për të fituar kohë për negociata.
