Një shije nga e kaluara mes Kinës dhe Shqipërisë, bashkë në një ekspozitë

Ornela

 Entela Resuli – DITA

Ai dhe pikturat e tij udhëtojnë shumë jashtë vendit.  Muaji shtator e gjeti Helidon Halitin në Kinë, ku sëbashku me një prej akuarelistëve të famshëm kinez, Xiaocheng Li, ekspozoi punët në Muzeun e Shantosë, një nga më të famshmit në Kinë. Një muaj më pas ishte radha e kinezit të vinte në Shqipëri dhe në të njëjtën formë të realizonin një ekspozitë të përbashkët në Muzeun Historik Kombëtar.

Dy ditë pas mbylljes së ekspozitës ne biseduam me Halitin për të na folur më shumë rreth aktivitetit të tij, i cili është shpesh në lëvizje dhe një marrëdhënie tërheqëse që vazhdon ende me Kinën në fushën e pikturës.  Ai na thotë me bindje se nuk do të hap më ekspozita në Shqipëri, për të kjo ishte e fundit,  jo si i është sosur durimi, por kjo e dëmton shumë ekonomikisht, pasi  këtu nuk të shërben askush në këtë drejtim, gjithçka duhet ta bësh vetë. Ndryshe është në një vend të huaj. Desitnacioni i radhës i Helidonit është bienalja e Indisë

-Helidon, këto ditë sapo keni mbyllur një ekspozitë të përbashkët me një piktor kinez, disa javë më parë ishit ju në Kinë ku hapët atje një ekspozitë. I kthyet vizitat njëri-tjetrit?

Ky është një projekt që ka filluar para 1 viti, i propozuar nga unë dhe i miratuar nga kuratori i famshëm kinez me ndikim botëror z.Zhou Tianya. Ne jemi prezantuar në bienalen që ai organizon në qytetin e Shenzhenit. Unë kisha konkurruar mes 4000 akuarelistëve nga e gjithë bota dhe u përzgjodha atëherë një nga 133 artistët e bienales, më pas u takuam rastësisht në një bienale akuareli në Itali dhe unë i ftova në Shqipëri për festivalin që organizoja. Ai erdhi me dy mjeshtra të tjerë dhe njëri prej tyre është Li Xiaocheng. Pasi konceptuam bashkëpunimin dhe diskutuam për një ekspozitë të përbashkët me 40 punime secili, fillimisht në Kinë dhe më pas në Shqipëri. Dhe ja ku të dyja ekspozitat sot janë realizuar, me harmoni dhe reciprocitet maksimal.

Helidon Halitin

-Çfarë është “Home and abroad” dhe pse zgjodhët këtë temë?

Temën e zgjodhi kuratori kinez dhe unë rashë dakord me të. Në bisedat e ndryshme mbi bashkëpunimin e dikurshëm të Shqipërisë dhe Kinës, vura re se kishte ende një nostalgji të theksuar dhe shprehja, që nuk ka rëndësi një vend i vogël, por mjafton tek ai të gjesh një energji dhe miqësi të madhe. Kuratori mendoi ta perceptonte këtë ekspozitë mbi këtë shije të mbetur nga e kaluara, aspak e harruar. Për mua nuk përbën kusht, unë i bindem kuratorit deri në fanatizëm, megjithëse kam patur shumë pak raste ku të mos kem qenë unë kuratori i ekspozitave të mija, i konceptoj që në fillesat e telajove të bardha deri sa ajo merr formë, apo braktiset shpesh nga unë. Në këtë rast kuratori kishte 200 piktura përpara, të dy autorëve dhe bëri përzgjedhjen përkatëse, siç ju e patë në ekspozitën e Tiranës, e cila ishte e njëjta në tematikë dhe numër punimesh me të Kinës.

-Kush është mjeshtri kinez  Li Xiaocheng dhe çfarë të përbashkëte keni me njëri-tjetrin?

Piktori kinez është pedagog dhe dekan i Akademisë së Arteve në mediumin e akuarelit në qytetin e Chantou, si dhe Presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare të Akuarelit, një personalitet i fushës dhe me ndikim të madh. Këtë e vura re në ditët e qëndrimit tim në Kinë. Është një artist me karrierë të gjatë brenda Kinës dhe ka shumë vite që po ekspozon jashtë saj, kryesisht në Europë. Përpara ekspozitës tonë në Tiranë, ai ishte në një ekspozitë në Itali. Është artist shumë i ngrohtë dhe tejet i tonuar, shumë modest dhe tejet i mençur, këtë e kuptova kur fliste në gjuhën e tij dhe përkthyesja nga kinesçe në shqip na iluminonte.

Pikërisht aty qëndronte edhe habia, po bashkëpunoja me një njeri të cilit i njihja shpirtin nëpërmjet veprës së tij, por ende jo urtësinë nëpërmjet mënyrës së shprehurit. Pra jemi dy gjuhësh ne artistët ose më shumë, në atë të folur, siç na e jep urdhrin truri ynë dhe nëpërmjet artit, ku gjejmë liri të plotë por jo deshifrim analog.

-Cila është lidhja e tij me Shqipërinë?

Lidhja e tij me Shqipërinë ishte vetëm nga filmat shqiptarë, gojëdhënat për Shqipërinë në rininë e tij, që Shqipëria është një vend shumë i bukur, shumë i dashur dhe se femrat shqiptare ishin shumë të bukura. Ndërkohë që vjet në Maj e konstatoi që janë shumë të bukura vërtet, si për të vërtetuar shprehjen “e vërteta vjen në kohë, por jo në kohën e duhur”. Ai tashmë është 62 vjeç.

-Çfarë kuptoni ju nga punimet e piktorit kinez?

Unë tek punimet e tij pashë, një artist të konsoliduar në tonalitet dhe në mendim, por vura re një përpjekje për t’u çliruar dhe për tu afruar më shumë abstragimit të formës, por jo të përmbajtjes.

Vizitova studion e tij, vura re tentativën për t’u bërë më i çliruar në penelata dhe në shije artistike, ngërçi i mënyrës së jetesës nuk i lejonte të pësonte deformacionin artistik që në qoftë se nuk e ke të lindur, i fiton nga “paaftësia fizike”ose mënyra e jetesës, gjë që artisti kinez ende nuk e kishte. Një artist kinez duhet të pikturoj dhe të duket , dallohet si i tillë, një turk si turk, një amerikan si i tillë e me radhë. Li Xiaocheng është një artist kinez dhe dallohet si i tillë, por në Shqipëri sugjerimet e kuratorit ishin të tilla. Mendoj që ai të vinte me 40 objekte nga studio e tij të cilat ndjehej që i kishte pikturuar me dashuri, disa nga ato pothuajse të përjetshme, në material apo kujtesë dhe disa efimere në material dhe të pandryshueshme në memorie.

-A është Kina një treg i mirë për pikturën?

Kina është një treg i shkëlqyer për pikturën, por si në gjithçka emborike, duhet të gjesh institucionin e duhur të të pranojë që të futesh në këtë treg të jashtëzakonshëm. Nuk është e rëndësishme ku e bën ekspozitën, por kush e sheh, kush e viziton atë. Në bienalen e Shenzhenit, punën time e panë njerëzit e duhur.

– Ju Helidon udhëtoni dhe keni hapur ekspozita në disa vende të botës, na trego ato më interesantet?

Ekspozita ime në Paris, Monte Carlo, Amsterdam dhe Athinë kanë qenë nga me interesantet, por eksperienca që përjetova në Kinë ishte unike. Për herë të parë në jetën time nuk pashë snobizëm europian, skepticizëm shqiptar, por vura re seriozitet dhe vlerësim maksimal. Dhe siç më tha mjeshtri kinez – “nuk ka rëndësi përmasa, por energjia që ke brenda dhe Helidoni këtë energji e ka” – tha ai në një nga mediat shqiptare. Çmimi “Mjeshtër i Madh” që mora në Hong Kong si dhe prodhimi i penelave me emrin tim më ka dhënë një sadisfaksion të jashtëzakonshëm që më mbajti deri në Rinas, kur shkela aty, u ndjeva sikur kisha bërë një faj, por një faj të mrekullueshëm për mua… ende kështu ndjehem në atdhe.

-Cili është destinacioni i radhës?

Unë sapo mbarova një ekspozitë në Tiranë e cila është e fundit për mua në atdhe, jo se më kanë shterur energjitë, por në kushtet që jetojmë është shumë e dëmshme ekonomikisht të bësh ekspozita dhe unë këtë luks nuk e kam më. Do bëj ekspozita jashtë ku të më afrojnë “shërbime” maksimale dhe sa më me pak kosto për mua. Askush nuk do ndërtonte një kështjellë në qoftë se nuk rrezikon.

Destinacioni i radhës është bienalja e Indisë ku jam i ftuar special për të ekspozuar dhe për të demonstruar përpara artdashësve dhe studentëve. Sapo të kthehem do ngujohem në studion time duke pritur të më rriten krahët. Helidon domethënë dallëndyshe në greqisht dhe në shqip do të thotë thjesht një emër.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *