Vrasja e dyfishtë në Gjirokastër, si dhe pse nisi sherri

Leda Hysa

Marrëveshja e prishur për ndërtimin e murit që ndante shtëpinë e Aleko Kostës me shtëpinë e djalit të xhaxhait të tij, Apostol Kosta, u bë shkak për tragjedinë e ndodhur në Gjirokastër.

Autori i krimit të dyfishtë, 73 vjeçari Apostol Kosta, kishte arritur të gjente gjuhën e përbashkët me kushëririn e tij 7 vite më parë për zhvendosjen e murit ndarës me 25 cm, hapësirë të cilën pensionisti do ta përdorte për shkallët e katit të dytë. Por, pavarësisht kësaj, më vonë mes tyre pati mosmarrëveshje duke bërë që çështja të shkonte në Gjykatë.

Kjo e fundit vendosi në favor të Aleko Kostës dhe shembjen e murit. Por, vendimi i Gjykatës vetëm sa ka përshkallëzuar konfliktin që përfundoi me vrasjen e 61 vjeçarit dhe bashkëshortes së tij, mëngjesin e së mërkurës në banesën e tyre. Në vendin e ngjarjes, policia ka sekuestruar kallashnikovin, 17 gëzoja, si dhe një granatë.

Autori ndodhet ende në spital, ku edhe i është komunikuar arrestimi në flagrancë.

Lidhur me zanafillën që solli tragjedinë, burime nga grupi hetimor saktësojnë se fillimisht ka pasur një marrëveshje mes dy djemve të xhaxhallarëve për ngritjen e murit rrethues që ndan shtëpitë.

Sipas të dhënave nga grupi i hetimit, ky mur, që u bë objekt konflikti deri në vrasje, është ndërtuar në marsin e 2010-s, fillimisht me miratimin verbal të Alekos.

Në atë periudhë ai ka qenë në emigracion dhe ka rënë dakord me djalin e xhaxhait për murin dhe më pas, ky i fundit të kujdesej edhe për banesën e tij.

Muri do t’i vinte në ndihmë 73 vjeçarit, si pikë bazike për shkallën që do t’i lejonte korridor ajror për në katin e dytë të banesës. Muri u ndërtua nga vetë Apostoli. Por çështja është hapur sërish mes tyre pak vite më vonë, pasi viktima ka konstatuar se muri ishte ndërtuar rreth 25 cm më tej në pronën e tij.

Fillimisht ai e ka biseduar me Apostolin këtë çështje, por ky i fundit i ka rikujtuar marrëveshjen e 2010-s që ishte lidhur mes të dyve dhe që, për më tepër, nuk përbënte kërcënim pronësor për Alekon ndërtimi i tij. Kjo bëri që 61 vjeçari ta çonte në Gjykatë pretendimin e tij rreth dy vite më parë.

Nga kjo situatë marrëdhëniet mes dy djemve të xhaxhallarëve u përkeqësuan, duke bërë që mes dy familjeve të mos kishte raporte të mira.

Fitimi i çështjes në Gjykatë do të thotë për 73 vjeçarin se duhej të prishte, përveç murit ndarës, edhe shkallët e katit të dytë.

Ndërkaq, autori i krimit të dyfishtë ndodhet i izoluar në spital në Tiranë dhe të shtunën pritet që ndaj tij të jepet masa e sigurisë.

Gjendja e tij shëndetësore paraqitet kritike pas tentativës për vetëvrasje, ku qëlloi veten me dy plumba. Gjykatësja, prokurori dhe avokati i caktuar nga shteti do të udhëtojnë nga Gjirokastra në drejtim të Tiranës, për të zhvilluar këtë seancë jashtë ambienteve të Gjykatës.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *