Girona e ka mposhtur 2:1 Real Madridin, që tani mbetet tetë pikë prapa Barcelonës në renditje.
Real Madridi ka pësuar humbjen e dytë këtë edicion në La Liga pas vetëm 10 xhirove. Los Blancos tani janë mposhtur 2:1 nga ekipi katalunas, Girona.
Ekipi i Zinedine Zidane e nisi mirë takimin duke kaluar në epërsi me golin e Iscos në minutën e 12’të, por vendasit përmbysën gjithçka brenda pak minutave në pjesën e dytë.
Fillimisht Cristian Stuani barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 54’ ndërsa Cristian Portu kaloi në epërsi vendasit katër minuta më vonë për rezultatin 2:1, që doli të ishte përfundimtar pavarësisht tentimeve të vazhdueshme të mysafirëve.
Kjo ishte humbja e dytë e Real Madridit këtë edicion, që e lë tani tetë pikë prapa Barcelonës.
