Osteoporoza, si duhet trajtuar sëmundja që dëmton kockat

Pranvera Kola

Osteoporoza nuk është e shërueshme, por ajo mund të trajtohet. Specialistët e shëndetit publik thonë se ndonëse nuk ka shërim për sëmundjen e osteoporozës, janë një sërë masash që mund të merren për të parandaluar dhe ngadalësuar dëmtimin e kockave. Sipas mjekëve, mjekimi është specifik për çdo rast.

Kur zgjidhet trajtimi medikamentoz për osteoporozën merren në konsideratë një sërë faktorësh, si: seksi (disa preparate përmbajnë hormone), mosha (disa janë më të përshtatshme për moshat e reja), niveli i humbjes së masës kockore, problemet e tjera shëndetësore që mund të ketë personi (nëse ka pasur kancer gjiri, ose mpiksje gjaku nuk duhet të marrë estrogjen), preferencat personale (e preferon lëng, pilul, spray nazal, apo injeksione), etj.

Krahas përdorimit të medikamenteve, mjekët japin edhe disa këshilla praktike që duhet t’i ndiqni gjatë përditshmërisë për të ngadalësuar zhvillimin e kësaj sëmundjeje, këshilla që kanë të bëjnë kryesisht me stilin e jetesës. Rekomandohet që të konsumoni sa më shumë fruta dhe perime. Studimet kanë treguar se nëpërmjet ushqyerjes me një dietë të ekuilibruar, të pasur në fruta dhe perime, mund të sigurohen mjaft element ushqyes të nevojshëm për të pasur kocka të shëndetshme të cilat nuk rrezikojnë nga thyerjet, apo ndërlikime të llojeve të tjera.

Mjaft i rëndësishëm është edhe përdorimi i multivitaminave, ose suplementëve të tjerë për njerëzit të cilët nuk marrin mjaftueshëm minerale dhe vitamina nga konsumimi i ushqimeve të ndryshme. Kjo përfshin njerëzit që kanë çrregullime gastrointestinale që kanë probleme me thithjen e vitaminave dhe mineraleve në organizmin e tyre.

Duhet të dini që marrja e tepruar e natriumit, proteinave dhe kafeinës mund të shkaktojë humbje të kalciumit, prandaj është e rëndësishme për shëndetin e kockave që marrja e tyre mos të jetë mbi normat. Moshat mbi 50 vjeç, kanë nevojë për 1200 mg kalçium çdo ditë.

Krahas kalciumit nuk duhet të neglizhohet edhe marrja e vitaminës D, e cila është shumë e rëndësishme për të pasur kocka të shëndetshme. Kjo pasi kalciumi nuk përthithet lehtë nga organizmi pa ndihmën e vitaminës D. Gjithashtu duhet të dini që kockat bëhen më të forta me rritjen e aktivitetit fizik.

Pirja e duhanit vështirëson absorbimin e kalciumit, shpejton rënien e densitetit kockor dhe favorizon frakturat, ndaj nuk është asnjëherë vonë të përfitosh nga lënia e duhanit. p.k/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *