Jurgen Gjasula ka firmosur me Liteksin e Bullgarisë, duke konfirmuar një simpati në rritje të klubit bullgar me futbollistët shqiptarë dhe anasjelltas. Lajmin e ka bërë të ditur mbrëmë vetë klubi i Liteksit, i cili ka publikuar në faqen e tij në internet marrëveshjen me futbollistin kuqezi, pa dhënë detaje të tjera. Gjasula do të zëvendësojë në skuadër futbollistin më të mirë bullgar, Georgi Milanov, i cili është shitur te CSKA e Moskës, duke u dhënë fund spekulimeve për një kalim te CSKA e Sofjes, ku tani është president dhe trajner Hristo Stoiçkov. Gjasula, i cili e mbylli sezonin e fundit me Duisburgun në Gjermani, mund të luajë që sot ndeshjen e parë me Liteksin, në miqësoren kundër Pelisterit. Gazetat bullgare kanë vënë në dukje suksesin e shqiptarëve në skuadrën e Liteksit, duke nisur me Alban Bushin e Altin Haxhin, që kanë fituar titullin kampion, për të vazhduar me asin e ri, Armando Vajushi. Në skuadrën bullgare është edhe një tjetër lojtar nga shkodran, Edon Hasani, i cili nuk ka pasur shumë hapësirë në skuadër, pavarësisht se shihet si një talent me vlera për të ardhmen. 27-vjeçari Gjasula është bashkuar tashmë me skuadrën e tij të re, duke e çuar në tre numrin e shqiptarëve atje, të paktën përkohësisht, pasi Vajushi është një nga emrat që lakohet në merkato brenda e jashtë Bullgarisë.
