Vuani nga pagjumësia, 10 këshilla për ta luftuar

Pranvera Kola

Përpara se të vendoset për trajtimin e pagjumësisë, është e rëndësishme që të identifikohen faktorët mjekësore dhe psikologjike, të cilët mund të jenë shkaktarët e vërtetë të kësaj situate. Trajtimet medikamentoze rekomandohen përgjithësisht për zvogëlimin e simptomave të pagjumësisë akute, ndërsa roli i tyre në menaxhimin e pagjumësisë kronike mbetet jo shumë i qartë. Ndaj në çdo rast duhet të bëhet shumë kujdes me përdorimin e tyre pa kriter.

Përgjithësisht pilulat e gjumit nuk rekomandohen për përdorim afatgjatë. Është e rëndësishme që fillimisht të identifikohen problemet shëndetësore që kontribuojnë në pagjumësi, të tilla, si: depresioni, sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes, si edhe dhimbjet kronike. Për sa i përket trajtimeve jofarmakologjike vlen të përmendet hipnoza, e cila mund të ketë efekte të gjata e të qëndrueshme. Gjithashtu ka të dhëna se edhe meditimi luan një rol shume pozitiv.

Në vijim po ju përmendim disa këshilla të thjeshta, se si mund të veproni për rikthimin e gjumit, duke ndihmuar kështu organizmin që të jetë i shëndetshëm dhe të përballojë më lehtë të gjitha problemet, apo vështirësitë që shfaqen në kryerjen e aktiviteteve të përditshme.

Çfarë duhet të bëni!
1. Rekomandohet të shkoni në të njëjtën orë në shtrat për të krijuar oraret e reflekseve të rregullta të gjumit.

2. Nëse ju del gjumi natën mos u ngrini ose mos hapni televizorin, mos shikoni orën se sa është, por qëndroni në shtrat dhe përpiquni të flini (mund të numëroni ose të kryeni veprime matematike me mend derisa t’ju mundë gjumi).

3. Mos u shtrini për pushimin e drekës pas orës 15:00, dhe jo më shumë se tridhjetë minuta, maksimumi një orë.

4. Asnjëherë mos flini me barkun plot, hani darkë të paktën dy orë para se të shtriheni. Edhe shëtitjet para gjumit janë dobisjellëse. Një ushqyerje e shëndetshme është gjithmonë pozitive.

5. Marrja me aktivitete sportive ndihmon shumë në një gjumë të rehatshëm. Mjaft pozitive janë kur bëhen afër kohës së gjumit.

6. Bëni kujdes që të keni një dyshek dhe krevat të rehatshëm për trupin tuaj, hiqni nga dhoma sende që bëjnë zhurmë si për shembull tik-taku i orës, mbani grilat ulur për të minimizuar zhurmat nga jashtë.

7. Mos pini shumë kafe gjatë ditës dhe sidomos jo pas orës 16.00, si dhe mos abuzoni me alkoolin e konsumin e duhanit.

8. Kryesore janë këshillimet me mjekun tuaj, por edhe me psikologun. Kujdes, mos blini kurrë pilula gjumi në farmaci pa këshillimin e mjekut.

9. Duhet të bëni kujdes me përdorimin e medikamenteve. Përgjithësisht pilulat e gjumit nuk rekomandohen për përdorim afatgjatë.

10. Kontrolloni stresin. Kur keni shumë gjëra për të bërë dhe shumë gjëra për të menduar, gjumi është ai që e pëson i pari. Që të vendosni qetësinë në jetën tuaj, kini parasysh mënyra për ta kontrolluar stresin. p.k/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *