Tirana siguron ndihmën e Holandës për menaxhimin e ujit të pijshëm dhe trajtimin e ujërave të ndotura. Bashkëpunimi është finalizuar gjatë vizitës dy ditore që po zhvillojnë në Amsterdam kryebashkiaku Erion Veliaj dhe kreu i Përgjithshëm i UKT-së Redi Molla, të cilët i janë bashkuar punimeve të konferencës për “Javën Ndërkombëtare të Ujit”.
Nëpërmjet këtij memorandumi, Autoriteti Rajonal i Ujit në Delflandit të Holandës dhe kompania “Dunea” do të japin mbështetjen e tyre në zbatimin e praktikave më të mira sa i takon përmirësimit të eficiencës dhe performancës së shërbimeve të ujit dhe të trajtimit të ujërave të ndotur në qytetin e Tiranës.
Pas nënshkrimit të memorandumit, kryebashkiaku Veliaj theksoi se kjo marrëveshje shënon fillimin e një bashkëpunimi të gjatë për shkëmbimin e përvojave më të mira në fushën e shfrytëzimit të burimeve hidrike dhe për zhvillimin e qyteteve. “E vlerësoj shumë dhe jam i lumtur që po shoh diçka konkrete, sa i përket fillimit të bashkëpunimit tonë”, theksoi Veliaj. Me tej ai zhvilloi takime edhe me përfaqësues të biznesit atje, të cilët i ftoi të investojnë në Tiranë, ndërsa i njohu ata me avantazhet konkurruese që ofron kryeqyteti shqiptar për zhvillimin e sipërmarrjeve.
Sipas Veliajt, Tirana është një ndër bashkitë më të hapura dhe më transparente. Ndërkaq, me ftesë të autoriteteve drejtuese të Universitetit Erasmus të Roterdamit, Veliaj prezantoi para studentëve dhe të ftuarve transformimin që ka pësuar kryeqyteti në këto dy vite dhe vizionin e tij për të ardhmen. Duke veçuar projektin e sheshit “Skëndërbej”, Pazarin e Ri, Bulevardin e Ri, apo edhe këndin e madh të lojërave të Liqeni Artificial.
Kryebashkiaku përshkroi për të pranishmit përpjekjet e Bashkisë së Tiranës për të sjellë ndryshimin në kryeqytet dhe energjinë pozitive me të cilën kanë ndodhur ndryshimet në këto dy vjet. Gjithashtu, ai vuri në dukje edhe nismën për rikonstruksionin e të gjitha çerdheve dhe kopshteve të Tiranës brenda një kohe shumë të shkurtër.
