Mjekët e rinj që duhet të regjistrohen për testin e licencës

Pranvera Kola

Në testin e licencës që do të zhvillohet në fund të vitit kanë të drejtë që të hyjnë të gjithë mjekët e diplomuar, të cilët janë regjistruar provizorisht tek Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekut, dhe që kanë shlyer të gjitha detyrimet sa i takon vlerësimit të dijeve të fituara gjatë ndjekjes së praktikës profesionale 3-mujore. Mjekët e rinj që do të japin për herë të parë gjatë sezonit të fundvitit provimin e shtetit për licencën, duhet të regjistrohen pranë Urdhrit të Mjekut, duke dorëzuar dosjen përkatëse të dokumenteve. Në të kundërt nuk kanë të drejtë që të testohen për të fituar lejen e ushtrimit të profesionit gjatë këtij viti.

Regjistrimi për testin e licencës
Sa i takon regjistrimit, drejtuesit e Urdhrit bëjnë me dije se kërkesës për të hyrë në provim, këta kandidatë duhet që t’i bashkëngjisin edhe formularin e aplikimit, fotokopjen e letërnjoftimit, kopje të noterizuar të diplomës së studimeve universitare, fotokopje të noterizuar të suplementit të diplomës të lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë, në mungesë të tij duhet të dorëzoni listën e notave.

Pjesë e kësaj dosjeje duhet të jenë edhe libreza e plotësuar e Praktikës Profesionale që lëshohet nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, raporti mjeko‐ligjor, dëshmia penalitetit, vërtetimi nga prokuroria që nuk jeni në ndjekje penale, si dhe 2 fotografi të formatit të pasaportës. Ndërsa të gjithë ata që janë regjistruar zyrtarisht për provimin e shtetit në sezonet e shkuara, por që nuk kanë mundur ta marrin provimin, për ta ridhënë sërish duhet që të bëjnë vetëm rinovimin e disa dokumenteve.

Për këtë kategori kërkohet rinovimi i dëshmisë së penalitetit, raporti mjeko‐ligjor, si dhe vërtetimi nga prokuroria që konfirmon se nuk jeni në ndjekje penale.  Lidhur me suplementin e diplomës, bëhet me dije se nëse ky dokument nuk do të dorëzohet deri në momentin e regjistrimit zyrtar për provimin e shtetit, mund të dorëzohet më pas kur të tërhiqni licencën nga Urdhri i Mjekëve.

 

Tarifat dhe kushtet e testimit
Sipas procedurave të përcaktuara, kandidatët të cilët do të vlerësohen në testin me alternativa, me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profesionale, pasi rezultojnë mbetës. Këta kandidatë duhet të presin testimet e vitit të ardhshëm për të ridhënë sërish testimin e licencës.

Kandidatët që testohen për herë të parë gjatë këtij sezoni do të shlyejnë një tarifë prej 10 mijë lekësh. Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të hyrjes në provim. Kandidatët që nuk arrijnë që të marrin provimin pas 5 tentativash, nuk kanë më të drejtë të ushtrojnë profesionin për të cilin janë diplomuar, pasi kaq është dhe numri maksimal i mundësive që ligji jep për të fituar licencën e një profesioni të rregulluar.

Pyetjet e provimit

Qendra e Shërbimeve të arsimit ka detajuar fondi i mijëra pyetjeve, nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Kështu çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet online në faqen e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit www.akp.gov.al. p.k/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *