Insulti cerebral i njohur si “goditja në tru” ndodh kur qarkullimi i gjakut në tru ndërpritet dhe për pasojë qelizat e trurit në këtë zonë fillojnë të vdesin nga mungesa e oksigjenit dhe lëndëve ushqyese. Masa dhe vendndodhja e qelizave të dëmtuara përcaktojnë shkallën e goditjes, e cila nëse nuk kapet në kohë mund të shkaktojë dëmtime të pakthyeshme të trurit, deri në humbje të jetës.
Miliona qeliza të trurit vdesin çdo minutë kur goditja është e patrajtuar. Mjekët këshillojnë se në këto raste duhet të veproni sa më shpejt që të jetë e mundur për marrjen e ndihmës së specializuar mjekësore. Janë një sërë simptomash që ndihmojnë të kuptoni se po rrezikoni nga insulti cerebral.
Duhet të kërkoni ndihmë të menjëhershme nëse hasni një nga këto simptoma:
- Mpirje ose humbje të ndjeshmërisë në fytyrë, krahë ose këmbë, veçanërisht në njërën anë të trupit.
- Probleme me të folurin ose të kuptuarit. A është e folura jo e kthjellët?
- Probleme me shikimin në njërin apo të dy sytë.
- Probleme në ecje, humbje të ekuilibrit.
- Dhimbje koke pa shkak të përcaktuar.
- Sa më shpejt të drejtoheni tek mjeku kur keni simptomat e mësipërme, aq më të larta janë mundësitë tuaja për t’u shëruar.
