Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë 23 vjeçari Hermes Beqiri, i cili u plagos mbrëmë në qytetin e Shkodrës.
Ai ishte një personazh i njohur për policinë pasi ka qenë i arrestuar dhe dënuar më parë për vjedhje.
I riu u dërgua me urgjencë nga qyteti verior për në Tiranë për mjekim të specializuar duke parë gjendjen e rëndë, por nuk arriti që t’i mbijetonte plagës nga plumbi që mori.
23 vjeçari u qëllua pas një sherri mes një grupi të rinjsh gjatë një debati për një tavolinë në një lokal.
Hermes Beqiri e zuri tavolinën duke vendosur kapelën e tij, por grupi i tre të rinjve debatuan për vendin dhe më pas u larguan për t’u kthyer pas disa minutash me armën e zjarrit duke e qëlluar.
Forcat Shqiponja vunë në pranga Elvis Hoxhën 3 orë pas atentatit. 17 vjeçari është arrestuar në një banesë në ndërtim, teksa po qëndronte i fshehur, ndërsa u gjet edhe arma e krimit, tip kallashnikov.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth 19:20 minuta në një lokal pranë “ish- zooteknikës”, kur Elvis Hoxha qëlloi mbi Hermes Beqirin, i cili ndodhej së bashku me 3 persona të tjerë brenda ne lokal.
Bashkë me Elvis Hoxhën është arrestuar edhe një 17-vjeçar tjetër me inicialet D. H., i cili ka qenë bashkëpunëtor në krim. Sipas Drejtorit të Policisë Shkodër, Gjovalin Loka, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit.
Policia e Shkodrës bëri me dije se ka arrestuar edhe 21-vjeçarin Bekim Turishta me akuzën e moskallëzimit të krimit.
