KLSH padit për shkelje dy nënkryetarët dhe 9 punonjës të Bashkisë së Durrësit

anazapta

Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon në Prokurori dy nënkryetarë të Bashkisë së Durrësit dhe 9 punonjës të saj, me akuzën e shkeljeve në dëm të buxhetit të shtetit.

KLSH bën të ditur se pas auditimit në Bashkinë Durrës u konstatuan shkelje të rënda ligjore në lidhje me zbatimin e procedurave të prokurimit në “Rikonstruksioni i bulevardit kryesor Dyrrah”, zhvilluar në vitin 2011, me dëm ekonomik në vlerën 19,327,868 lekë dhe në prokurimin “Gjelbërimi në qytet”, zhvilluar në vitin 2012, me dëm ekonomik në vlerën 7,084,896 lekë.

“Në të dyja prokurimet, shkeljen kryesore e përbën fakti që Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka skualifikuar operatorët ekonomikë (OE) me ofertë më të ulët dhe ka kualifikuar padrejtësisht OE me vlerë më të lartë, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm ekonomik Bashkisë.

Sipas KLSH, për të gjitha shkeljet e konstatuara, në prokurimin për “Rikonstruksioni i bulevardit kryesor Dyrrah”, me dëm ekonomik në vlerën 19,327,868 lekë, mbajnë përgjegjësi Zh. V., zv.kryetar i Bashkisë, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, dhe D.B., I.S., M.L. dhe K.T., në cilësinë e anëtarëve të Komisionit, të cilët gjatë përmbushjes së detyrës së tyre funksionale, kanë skualifikuar dhe kualifikuar padrejtësisht operatorët ekonomikë, veprime këto të cilat, referuar përmbajtjes së dispozitës penale, neni 258 i Kodit Penal, mbartin elementët e veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Për të gjitha shkeljet e konstatuara në prokurimin për “ Gjelbërimi në qytet”, me dëm ekonomik në vlerën 7,084,896 lekë, mbajnë përgjegjësi A. Ç., ZvKryetar i Bashkisë, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, si dhe E. K. dhe K. T., në cilësinë e anëtarëve të Komisionit, të cilët gjatë përmbushjes së detyrës së tyre funksionale, kanë kualifikuar padrejtësisht operatorët ekonomikë, veprime këto të cilat, referuar përmbajtjes së dispozitës penale, neni 258 i Kodit Penal, mbartin elementët e veprës penale te “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Punonjësit

KLSH ka kryer kallëzim penal për Grupin e ngritur për “Kolaudimin dhe marrjen në dorëzim”, pasi nuk ka zbatuar e plotësuar procedurat ligjore në përmbushje të kritereve teknike të vendosura në kontratën e furnizimit me palma, sipas specifikimeve teknike të kërkuara nga autoriteti kontraktor në tenderin me objekt “Gjelbërimi në qytet”, duke i shkaktuar dëm ekonomik Bashkisë  në vlerën 21,960,000 lekë. Për këtë mbajnë përgjegjësi z. E.L, V.Sh., S.Gj. dhe A.Gj, anëtarë të Grupit të Kolaudimit.

Përsa më sipër, për të gjithë këta drejtues e punonjës, në të trija këto raste, KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurori.

 

Share This Article
1 Comment
  • KLSH mos bej gjoja sikur po punon,,,,leri bashkite dhe jepi prioritet CEZ ikini atje edhe kontrolloni DOLLAPET & SIRTARET se po bjene kerdine me vjedhje,,,,,,,,,,,,,, apo keni urdher nga gjyshi I menderosur ,,,,,,,,,,,?????????????

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *