Në zgjedhjet e radhës koalicioni i majtë i kryesuar nga PS dhe LSI korri një fitore të thellë mbi koalicionin e djathtë të kryesuar nga PD. Vota që iu dha të majtëve ishte një formë revolte dhe ndëshkimi ndaj autokracisë së Berishës, i cili jo vetëm i preu rrugën e zhvillimit të Shqipërisë, por ka ka çuar buzë humnerës së shkatërrimit edhe PD-në.
Tashmë ajo që vlen për t’u theksuar është përgjegjësia e madhe që qeveria e re do të ketë përballë qytetarëve për të rimëkëmbur vendin. Nëse e majta do të rilindë vendin nga ana ekonomike dhe ajo sociale, ashtu siç premtoi në programin e saj, e djathta (sidomos PD) duhet të rilindë duke u formatuar nga çdo mbeturinë autokratike dhe regresiste për të përqafuar mendimin e ri dhe progresist në mënyrë që të përballet me sfidat e reja që e presin vendin.
Duke pasur parasysh fitoren e thellë të së majtës, e djathta ka detyrën e rëndësishme për të bërë një opozitë të fortë tê bazuar mbi kritikë konstruktive ashtu siç i ka hije një vendi demokratik që aspiron të ndjekë rrugën e progresit dhe zhvillimit. Ky moment i vështirë politik me të cilin po përballet e djathta shqiptare, nuk përjashton mundësinë e tundimit, që deputetë të djathtë, t’i bashkangjiten koalicionit fitues. Në një demokraci opozita është barometri i një qeverie. Sa më konstruktive dhe e shëndoshë është oponenca që i bëhet qeverisë nga opozita, aq më funksionale është vendimmarrja demokratike. Për këtë arsye deputetët e forcave të djathta do t’i shërbejnë më shumë vendit duke bërë një opozitë cilësore në mënyrë që qeveria e re të fokusohet sa më shumë për të ndërmarrë nismat e progresit dhe zhvillimit që do të mundësojë anëtarësimin tonë në BE. Pa opozitë nuk ka sistem demokratik. Pa një sistem demokratik, i cili deri më tani është sistemi më i mirë, nuk mund të ketë zhvillim.
Letër e nënshkruar: Ilir Sinanaj
