Çfarë ka ndodhur me kredinë shqiptare

editor

Bankat shohin gjithnjë e më shumë me mosbesim tek biznesi, ndërsa ky i fundit demotivohet për t’ju afruar bankave për hua, nga mosbesimi dhe përqindjet shumë të larta të interesit

 

Në maj 2013, në krahasim me majin e vitit 2012, kredia për ekonominë u rrit vetëm me 11.7 milionë euro, kur në të njëjtën periudhë maj 2011-maj 2012 ishte shtuar me 436 milionë euro. 554.7 miliardë lekë. Viti 2013 ka nisur duke shënuar situatën më pesimiste të kreditimit, po të kemi parasysh muajin janar, kur kredia arriti 551.4 miliardë lekë, nga 554.7 miliardë që ishte në muajin e fundit të vitit 2012. Edhe për shkurtin e muajt e tjerë deri në maj, gjendja ka vijuar njëlloj. Shqipëria është karakterizuar nga një ulje e ndjeshme e kreditimit të ekonomisë dhe biznesit. Nga vendi i parë në rajon i para tre viteve, në vitet e fundit ritmet e rritjes së kreditimit kanë qënë thuajse të pandjeshme. Viti 2010 u mbyll me një rritje prej rreth 10 për qind, nga 50-60 për qind që ishte në dy vite para tij, ndërsa dinamika e 2011 dhe 2012-es ishte sërish problematike. Ndërsa kreditë e këqija njohin vetëm rritje, bankat kanë hasur vështirësi të konsiderueshme në procedurat për konfiskimin dhe shitjen e kolateraleve të këtyre kredive. Bankat tregtare tregojnë një situatë që ka vijuar të përkeqësohet dhe një tregues që sa vjen dhe bëhet më shqetësues për ekonominë. Në këtë situatë, bankat shohin gjithnjë e më shumë me mosbesim tek biznesi, ndërsa ky i fundit demotivohet për t’ju afruar bankave për hua, nga mosbesimi dhe përqindjet shumë të larta të interesit. Kreditë e këqija vetëm shtojnë atmosferen e mosbesimit dhe të frikës. Rritja e vazhdueshme e kredive me probleme është kthyer në shqetësim dhe per institucionet ndërkombëtare (FMN, Banka Botërore, etj.). Ato kanë kërkuar në vijimësi ndërhyrje nga ana e qeverisë për ta ndalur këtë rritje. Nuk ka qenë një kërkesë publike, por raportet e tyre të publikuara flasin qartë për nevojën që ka ekonomia shqiptare që qeveria të ndërhyjë për të ndihmuar kthimin e besimit në tregun bankar. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë rekomanduar që të merren masa konkrete nga qeveria, që te lidhet shlyerja e faturave që kjo e fundit u ka bizneseve me borxhet që këto u kanë dhe duhet t’ua paguajnë bankave tregtare.  Por këto kërkesa kanë hasur në vesh të shurdhër nga kjo qeveri në ikje. Nga ana tjetër, kredia në këta gjashtë muaj të parë të vitit 2013 nuk ka qenë për bizneset dhe qytetarët, por vetëm për qeverinë. Kjo qeveri në ikje i ndërtoi ëndrrat e saj për mandat të tretë me borxhet e marra pa asnjë fre në bankat e nivelit të dytë. Në pesë muaj e parë të këtij viti, pjesën më të madhe të parave e ka kërkuar qeveria, e cila ka rritur defiçitin jashtë çdo parashikimi. Kështu, të dhënat e qeverisë të majit treguan se hendeku mes shpenzimeve dhe të ardhurave arriti në nivele rekord, me një rritje 223 për qind, krahasuar me të njëjtin nivel të një viti më parë. Të gjitha këto para qeveria u detyrua që t’i merrte borxh nga sektori bankar. Në vlerë defiçiti shënoi 387 milionë euro, duke e tejkaluar planin e miratuar për vitin 2013 dhe duke shënuar në përqindje 166 për qind më shumë sesa parashikimi. Qeveria ka tharë në tregun bankar të gjitha ato para që mund t’i merrte biznesi privat. Një kataklizmë, rrënim i vërtetë me kredinë!Në kohë të tilla, huamarrja e lartë e qeverisë shpesh nga ekspertët është kritikuar, pasi kjo krijon më pak hapësira për hua për biznesin. Zgjerimi i borxhit të qeverisë në sektorin bankar në këta muaj u nxit tejet masë dhe në mënyre fatale nga gara elektorale.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *