Na ishte njëhere një prift, një spiun dhe një sekser. Prifti donte të fuste ilegalisht në Itali, dhe më pas në Vatikan, 20 milionë euro të depozituara në Zvicër nga disa miq të tij sipërmarrës. Për t’u shpëtuar kontrolleve (dhe si rrjedhojë taksave) korruptoi me 400 mijë euro një karabinier, ish spiun i shërbimit sekret civil, dhe lidhi disa nyje me një sekser me njohuri të gjera në qarqet e larta financiare. Por ja që banda e çuditshme ngeci në rrjetën e policisë dhe të tre, javën e shkuar e gjetën veten duke e parë diellin pas hekurave.
Për fat të keq kjo nuk është një përrallë por një histori reale që mbart një lëmsh të turbullt relatash midis “njerëzve të zotit”, pasanikëve që duan të fshehin dhe lajnë paratë, dhe një mori mizash qe fluturojnë rreth mjalit, secila duke ofruar shërbimet e veta. Sipas prokurorisë ngjarjet rrodhën në këtë mënyrë. Peshkopi Nunzio Scarano, ish-kryellogaritari i pasurive të tundshme (aksione, bono thesari, para cash etj) të Selisë së Shenjtë, në bashkëpunim me Giovanni Ziton, karabinier në shërbim tek Ministria e Jashtme, ish-spiun, djali i një krye-spiuni, dhe Giovanni Carenzion, sekser me precedentë penalë, donte të realizonin një plan alla-James Bond. Me një avion privat, spiuni duhet të sillte nga Zvicra në Itali një valixhe 44 kiloshe (këto janë bisedat e tyre telefonike të gjurmuara nga policia), mbushur me 20 milionë euro cash. Këto para supozohet ti përkasin familjes D’Amico, sipërmarrës të fuqishëm në fushën e transportit detar të cilët i derdhnin Imzotit 20 mijë euro në muaj, zyrtarisht për “bamirësi”.
Por thelbi i problemit është se ky lumë me euro me burim të panjohur do përfundonte tek sportelet e “Institutit për Veprat Fetare” (IVP), praktikisht banka e Vatikanit, një det i zi dhe i thellë në mes të Italisë dhe Europës ku sekreti është absolut. Prej më shumë se tre vitesh prokurorët e Romës po kërkojnë të hedhin puhiza drite mbi operacionet financiare të IVP-së dhe sa më shumë ndriçojnë transaksionet aq më shumë kuptojnë se bëhet fjalë për një “vazo të Pandorës”. Klientët e bankës janë të paidentifikueshëm, dhe po ashtu parave që hyjnë nuk ju kuptohet origjina dhe atyre që dalin nuk ju merret vesh destinacioni.
Aq delikate është situata saqë vetë Papa Françesku ka vendosur të vëri dorë mbi “bankën e Zotit” (në sistemin qeverisës të Shtetit të Vatikanit, Papa ka autoritetin dhe pushtetin e një mbreti absolut). Si fillim vetëm me deklarata të tipit “Shën Pjetri nuk kishte një llogari bankare”, apo “për Vatikanin një bankë është e dobishme, por deri në njëfarë mase”. Më pas duke emëruar një Komision Mbikqyrës mbi gjithë sistemin administrativ të bankës të përbërë nga bashkëpuntorët e tij më të ngushtë. Dhe së fundmi duke “dorëhequr” (dëbuar do ishte e pakëndshme) dyshen që vendoste dhe firmoste çdo veprim të IVP-së, drejtorin (Paolo Cipriani) dhe zvëndësdrejtorin (Massimo Tulli).
Nëpër koridoret e Selisë së Shenjtë përflitet se kjo është vetëm një antipastë e revolucionit kopernikan që Papa Bergoglio ka në plan për financat vatikane. Me pak fjalë nuk do tolerohen më operacione financiare dhe spekulative, por çfarë arkëtohet do shpenzohet për të ndihumar të varfërit. Bindja e Papës është se dëmi që histori të tilla i shkaktojnë imazhit dhe reputacionit të Kishës Katolike është shumë herë më i lartë sesa dobitë që vijnë nga pasuritë e IVP-së. Por jo vetëm: si mund të bashkëjetojë “kisha e varfër” aq e dashur për Mario Jorge Bergoglion, më një sistem pushteti ekonomiko-financiar që dyshohet të funksionojë si lavatriçe për para të pista?
“Kisha nuk është një sipërmarrje”, u shpreh Papa Françesku disa ditë më parë. Nëse, siç thoshte teologu gjerman Martin Luther, “paraja është jashtëqitja e djallit”, ndoshta ka ardhur momenti që në Vatikan të nisin pastrimet.
*PhD – E Drejta Kushtetuese Italiane dhe Europiane – Verona. Shkruajini autorit në [email protected]
