Hidheni “topin” në Greqi!

editor

Artan Xh. Duka

Poterja greke në Himarë nuk është as e para dhe as e vetmja pas viteve 90 dhe ajo që ka ndodhur rëndom ka qënë lepe-peqja dhe heshtja zyrtare prej nesh. Me përjashtim të qeverisë Rama.

Politika greke e di fare mirë që kërkon qiqrra në hell. E di por sërisht provokon dhe përmënd vënd e pa vënd veton ndaj integrimit në BE.

Sot e ka rradhën prapë Himara të bëhet lajm me zor. Njësoj sikur të bëhet fjalë për Athinën! Një lloj repeteje, një kthim në pikën Zero, pavarësisht heshtjes apo reagimit të mefshtë zyrtar tonit në vite.

Ndaj dhe sot lind pyetja nëse po fiton apo jo kauza shqiptare duke ndukur gjuhën politika zyrtare apo ndoshta thënia e gjërave troç mund të jetë më produktive për ne?

A është heshtja flori?

Heshtja ende justifikohet me merakun se Greqia mund të na prishë punë me integrimin në BE, mund të bëjë “fshesë” mes emigrantëve, të ulë traun e doganës, të mos begenisë takim kryeministrash etj. Por ja që sërisht trazohet Himara, sërisht përmëndet veto dhe provokimi se rruga për në BE kalon përmes Athinës etj!

Dhe nuk ka si ndodh ndryshe. Greqia, sikurse dhe Serbia, kanë një hall të madh. Janë zgjeruar në kurriz të kombit shqiptar dhe kanë bërë genocid ndaj tij. Dhe sa kohë nuk bëjnë “ekzorcizëm” historik, duke filluar me një ndjesë shtetërore, janë të dënuar të vuajnë “karmën” negative të 1913. Në mungesë të vullnetit për reflektim, ata nuk kanë opsion tjetër veçse të mbrojnë “plaçkën” e vjedhur të 1913. Himara apo “shashkat” e tjera (vorioepiri, garazhet e “minoritarëve” etj) janë thjesht tymnaja për të  mbajtur kutinë e Pandorës të mbyllur fort. Ato janë thjesht kauza “fiction” që spostojnë vëmëndjen nga kauzat reale si çështja çame, të drejtat e mohuara të arvanitasve dhe emigrantëve, tokat që kanë zot deri në gjirin e Artës etj.

Integrimi në BE e fuqizimi i faktorit shqiptar është gjëja e fundit që duan fqinjët tanë. Imagjinoni efektin që do të ketë në rajon një Shqipëri në BE. Politikat absurde greke do të marrin fund. Të parët çamët, nuk do t’i pengojë më kush të shkojnë e gëzojnë pasurinë në Greqi. Faktori shqiptar do të konsolidohet pakthim dhe zëri arvanitas do ndjehet fort, shqiptarët e Greqisë do të flasin në Parlamentin Europian dhe paradokse e turpe historike si ligji luftës, mohimi i minoritetit arvanitas, mohimi i genocidit çam, presioni asimilues ndaj emigrantëve etj do të pataksin këdo në Bruksel.

Ndaj dhe veto greke nuk është thjesht retorikë. I bie të jetë jetike për nacionalizmin e populizmin atje dhe në pamundësi për t’a deklaruar hallin e madh që u la 1913 në derë (po shtyve kufirin e tjetrit, domosdo do pranosh e respektosh edhe minoritetin që krijon ai), opsioni i vetëm mbeten sebepet që serviren si “argumente” për veton ndaj integrimit në BE.

Përse duhen hapur “letrat” me Greqinë?

Në këto kushte, sfida për debat publik e zyrtar për çështjet e nxehta që refuzohen edhe të njihen nga Greqia, nuk do të na dëmtojnë aq sa na ka dëmtuar heshtja vite me rradhë. Fqinjësia e mirë ngrihet mbi bazën e drejtësisë dhe respektit dhe sikurse Rama nxit Serbinë të njohë Kosovën si shans edhe për atë vetë, edhe Greqia do shpëtojë nga makthi i së shkuarës duke qënë objektive ndaj saj. Komunikimi troç do të ofrojë shans për të gjithë. Ai mundëson:

Së pari, fqinjësinë e duhur e vëllazërore mes dy popujve binjak në rajon (me miliona shqiptarë në atë anë të kufirit) që ndajnë zakone dhe tradita mijravjeçare bashkë, ngushton hapësirat për nacionalizmin në rajon dhe konsolidon paqen në kufirin jugor të BE. Dhe nuk bëhet fjalë për reciprocitet që ka vlerë kur palët janë në të drejtat e tyre dhe kanë ç’shkëmbejnë por për drejtësi historike përballë mosreagimit ndaj krimit të së shkuarës. Reciprociteti tingëllon hakmarrje dhe kjo nuk shpie kund.

Së dyti, teston iluzionin se vetëm heshtja ndaj politikave provokuese atavike në rajon, hap rrugën drejt BE dhe i bën “bllof” kërcënimit me veto të politikës greke pas të cilës nuk është Himara apo sebepet që thuhen por halli i madh me gjenezë 1913 (paradoksalisht, pikërisht hapja e letrave, do të parandalonte edhe veton greke). Por, nëse ndodh veto, do dalin në pah edhe arsyet reale historike pas saj dhe “topi” do të shkonte përfundimisht në Greqi. Kësisoj, Himara, vorioepiri, varrezat etj, do të rreshtnin së bezdisuri më këdo në Shqipëri e Perëndim.

Së treti, hapja e letrave do të rriste më tej dinjitetin e shtetit shqiptar në botë sepse do të hidhte dritë mbi rolin unik të Shqipërisë në stabilitetin rajon paçka se mbetet më e prekura në rajon që prej vitit 1913 dhe ka për ironi një fqinj refraktar, anëtar i … BE! Shqipëria duhet të refuzojë të etikohet për nacionalizëm. Thjesht po kërkon të drejta që perëndimi i ka të shënjta vetë dhe drejtësi për çështjet e nxehta të ligjit të luftës, genocidit çam etj. Tek e fundit, dera e BE nuk u mbyll as për Serbinë e luftrave!

Së katërti, nga ballafaqimi korrekt nuk humbet emigracioni shqiptar në Greqi. Përveçse të stabilizuar në masë, ata janë më së pari jetik për mirëqënien e vetë shtetit grek dhe “fshesat” do të ishin bumerang për të.

Së fundi, ekspozimi i dosjes shqiptare në gadishullin Ilirik do të testonte koshiencën dhe vullnetin demokratik të BE dhe Greqisë si pjesë e saj. Alibi si ligji për minoritetet, Himara, varrezat etj nuk do të pinin më ujë sepse dhe “ufo”-t do e kuptojnë se lepuri fle gjetkë. Duke djegur alibitë, kjo qasje ekspozon arsyet reale dhe ato bëhen kryefjalë.

Gjeopolitika perëndimore, SHBA e BE, e tejkalon atë greke në gadishullin Ilirik ndaj veto greke, edhe nëse ndodh, nuk mund të marrë peng gjatë integrimin në BE ndërkohë që fatura për Greqinë do jetë diskretitimi i vëndit që mburret me demokracinë më të lashtë në botë!

Gjithkush në perëndim po ngre sot shqetësimin se Rusia trazon ujrat në gadishullin Ilirik. Për rrjedhojë një veto absurde greke rrezikon të perceptohet si reminishencë e frymës së shkuar bizantino-ortodokse që kërkon të marrë peng aspiratën e rajonit për integrim në BE dhe veçanërisht të Shqipërisë si shtet më pro-amerikan në botë. Nëse kështu, integrimi në BE i Shqipërisë është edhe sfidë perëndimore ndaj obskurantizmit bizantin e lindor. E vetmja mënyrë për t’a mësuar është të thuhen gjërat troç.

Ndërkohë kauza shqiptare në Greqi ka nevojë për publicitet. Sikurse shpurat zyrtare greke zbarkojnë vënd e pa vënd në Shqipëri me alibi pafund, deputetët tanë, qeveritarët, media shqiptare etj, duhet të dalin matanë kufirit dhe të verifikojnë e denoncojnë në terren dramën shqiptare atje. I kanë mjetet, imunitetin, kauzën dhe askush nuk mund t’i ndalojë në epokën e komunikimit palimit përveçse me çmimin e skandalit që merr dhenë. Ia kanë borxh historisë t’a hedhin “topin” në Greqi!

 

Share This Article
4 Comments
  • Mirenjohje per kete shkrim.
    Politika Greke meriton kete top qe Ju trajtoni Por le te shtojme dhe Nje tjeter me arome mutoalbanezi…
    E meritojne se Kane vite qe perfitojne ne kurrizin e Shqipes……Duhet te mesojne vendin qe u takon,mjaft u mesuan me bythen e Sales,ky I gjati ka vetem te gjatin per greket…..
    Tung

  • Artan Duka shkruan nder te tjera edhe per rolin dhe marredheniet e Brukselit me Tiranen dhe Athinen per çeshtjen çame. E verteta eshte se Brukseli e njeh shume mire kete problematike. por per interesat e tij e le ne heshtje. Parlamenti Europian ka aprovuar edhe disa rezoluta per çeshtjen çame, por i takon zyrtareve shqiptare t’i gjejne keto rezoluta dhe t’ia bejne te njohura publikut dhe politikes europiane. Ne sitin 27.al gjeta rastesisht nje deklarate te 6 eurodeputeteve per Camerine, qe po e sjell ketu.Ja seç shkruhej ne kete deklarate e titulluar”Kur në Bruksel hartohej Memorandumi për Çamërinë:- “Vetëm kur pakica kombëtare çame në Greqi dhe ajo greke në Shqipëri do të gëzojnë të njëjtat të drejta, vetëm atëhere marrëdhëniet midis popujve grek dhe shqiptar, do të jenë vërtet të forta dhe të sinqerta.”
    Gjashtë eurodeputetë në Bruksel, kane nisur përpjekjet për ta ndërkombëtarizuar Çështjen Çame, si çështje e të drejtave të njeriut. Ishte shkurti i vitit 2004, kur përmes një memorandumi drejtuar komisionierit të BE-së për marrdhëniet me jashtë, gjashtë eurodeputetët kërkonin që popullsia çame të lejohej të kthehej në trojet e veta në Çamëri. Propozimi drejtuar komisionerit të Bashkimit Europian, përgjegjës për marrëdhëniet me jashtë, Cris Patten, vinte nga eurodeputetët Marko Panela, Mauricio Turko, Marko Kapato, Xhanfranko del’Alba, Benedeto dela Vedova dhe Olivier Dypui. Në memorandumin e tyre, ata theksonin që vetëm, kur pakica kombëtare çame dhe ajo greke në Shqipëri do të gëzojnë të njëjtat të drejta, vetëm atëhere marrëdhëniet midis popujve grek dhe shqiptar, do të jenë vërtet të forta dhe të sinqerta.Ishte koha, kur kishte nisur të trajtohej në kancelaritë europiane çështja e genocidit grek ndaj Çamërisë. Në fillim të vitit 2004, Grupi Ndërkombëtar i Krizave kishte publikuar një raport të detajuar rreth Çështjes së Çamërisë duke e cilësuar genocid ndaj popullësisë së Çamërisë, si jo një ikje e kësaj popullsie me dëshirën e saj, siç pretendon Athina zyrtare.Eurodeputetët Panela, Dypyi, Turko, Kapato, Del’Alba dhe Dela Vedova theksojnë se në qershor të 1944-ës, 44 mijë shqiptarë të besimit mysliman, u dëbuan me forcë nga tokat e tyre në Çamëri me akuzën se kishin bashkëpunuar me pushtuesit italianë dhe gjermanë. Për këtë akuzë, eurodeputetët i referoheshin raportit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, ku përjashtohej kategorikisht pretendimi grek ndaj Çamërisë. Ata kishin evidentuar me dokumenta e fakte zyrtare genocidin grek ndaj popullsisë së Çamërisë. Ndaj dhe gjashtë eurodeputetët e kishin të qartë idenë, kur theksonin në Parlamentin Europian se dëbimi i popullsisë së Çamërisë, shënon edhe epilogun e genocidit të kësaj popullsie, të cilës, për më shumë, iu konfiskua gjithë pasuria, duke përfshirë këtu trojet e shtëpive, tokat bujqësore, bagëtitë e të tjera.Njëkohësisht eurodeputetët Panela, Dypyi, Turko, Kapato, Dela Vedova dhe Del’Alba i bëjnë thirrje përfaqësuesit të Komisionit Europian që të ndërmerren veprime konkrete me qëllim që popullsia çame e besimit musliman që është dëbuar nga Çamëria, të lejohet të kthehet në tokat e saj, të gëzojë të drejtat e rikthimit të pronës si dhe t’i njihet dhe të përfitojë dëmshpërblim për humbjet që ka pësuar gjatë gjithë këtyre viteve.Njëkohësisht në raportin e Grupit Ndërkombëtar te Krizave, theksohet se politika e dëbimit të çamëve nga Greqia ka filluar të vihet në zbatim që në vitet ‘20 të shekullit të kaluar, pra shumë përpara Luftës së Dytë Botërore. Në raport pohohet se dëbimi i parë i çamëve nga vatrat e tyre u bë gjatë shkëmbimit të popullsive ndërmjet Greqisë dhe Turqisë së Ataturkut në vitet 1920. Grekët e Bosforit u vendosën atëhere në veriperëndim të Greqisë në tokat e çamëve myslimanë, të cilët qeveria greke i dëboi drejt Turqisë”.
    Siç shihet Brukseli e njeh çeshtjen çame. I takon Tiranes tani, qe siç thote edhe Artan Xh. Duka ta hedhe topin ne fushen greke. Pra ta ngreje zerin ne te gjitha kancelarite europiane per te drejtat e popullsise çame te debuara si pasoje e genocidit grek. Dhe te shohim pastaj se çfare do te beje Greqia per disa haure te prishura ne Himare.
    Nga Katarakti

  • Bravo per shkrimin EKSELENT!

    Kete duhet ta lexojne edhe ata te rinj qe studiojne ne shkollen e Diplomacise ne Tirane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *