Gjashtë të plagosur në kufirin Kosovë – Serbi

anazapta

Gjashtë persona janë plagosur mbrëmë me armë zjarri nga xhandarmëria serbe në fshatin Mirofc të Podujevës, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton KTV.
Sipas Policisë së Kosovës, në këtë zonë kufitare ka pasur shkëmbim zjarri në të dyja drejtimet. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se dyshohet të ketë pasur shkëmbim zjarri ndërmjet disa personave që, sipas tij, dyshohet se kanë qenë duke prerë dru në mal.

“Rreth orës 19:40, në fshatin Mirofc të Podujevës, në brezin kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, dyshohet të ketë pasur shkëmbim zjarri në mes të disa personave që kanë qenë duke prerë dru dhe disa personave nga ana tjetër e kufirit. Nga informacionet e pranuara në terren, dyshohet edhe për 6 persona të plagosur nga armët e zjarrit. Të plagosurit janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, ka theksuar Baki Kelani.

Sipas tij, Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me këtë rast. Ndërkaq mediet serbe raportojnë se gjashtë shqiptarë janë plagosur në kufirin Kosovë-Serbi gjatë një konflikti të armatosur me xhandarmërinë serbe.

”Grupi shqiptar ka sulmuar me armë automatike patrullën e xhandarmërisë në territorin e Serbisë, në fshatin Borovac të Kurshumlisë”, ka thënë komandanti i këtij njësiti serb, Bratislav Dikiq.

Ai ka shtuar se në vend të ngjarjes është gjetur një traktor me dru, sharra motorike dhe pjesë të gardërobës, ndërsa për këtë sulm janë informuar EULEX-i dhe KFOR-i./ Koha.net

Share This Article
1 Comment
  • Keqardhje per te plagosurit, por kjo tergon qe Serbia e njeh Kosoven si shtet i pavarur, perderi sa ka patrulla ushtarake qe ruajne kufirin Kosove Serbi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *