Ish-drejtori i “TG4”, që ishte një vizitor i rregullt në shtëpinë Berluskoni, foli për mbrëmjet e zhvilluara në shtëpinë e ish-kryeministrit. Ai ishte thirrur në gjyq për t’u përgjigjur në cilësinë e dëshmitarit
Të hënën ish-drejtori i “TG4” në rrjetin televiziv “MEDIASET”, Emilio Fede, dëshmoi në procesin gjyqësor ndaj ish-kryeministrit Silvio Berluskoni, mbi çështjen ‘Rubi’. Fede, si një nga miqtë e vjetër të Berluskonit, u paraqit në gjyq me kërkesë të mbrojtjes, për të dhënë versionin e tij mbi mbrëmjet në Arkore. Dëshmia e tij synon të nxjerrë nga telashet jo vetëm mikun e tij Berluskoni, por edhe veten. Kur e pyetën për vajzën marokene, Rubi, e vendosur në qendër të skandalit, ai shkoi aq larg sa e përshkroi të renë si një “të trashë” me “erë të keqe” dhe ” të papërshtatshme për festat mondane” që organizoheshin në vilën e ish-kryeministrit.
Fede, që u pushua nga puna ndërsa ishte duke mbyllur edicionin informativ të radhës të “TG4”-s, iu dha mundësia që në një sallë gjyqi të mbronte veten. Ai iu përgjigj të gjitha pyetjeve të avokatëve të Berluskonit dhe prokurorëve Ilda Bokasini dhe Antonio Sanxhermano, duke u tërhequr vetëm kur diskutohej mbi përgjimet, që nuk linin mundësi për t’u kundërshtuar. Përtej faktit se të dhënat që jepte ishin larg atyre të vajzave mysafire në vilën “San Martino”, të ashtuquajturat ‘të penduara’. Fede 80-vjeçar u përpoq të tregohej i bindur se “asnjë nga akuzat për përfshirje në rrjetin e supozuar të prostitucionit” nuk e prekte.
Për Feden, Rubi nuk ishte në lartësinë e sallonit të ish-kryeministrit, por të një bordelloje. Marokenia ishte pak elegante si në rrobat që vishte, ashtu edhe në mënyrën se si sillej dhe në shtëpinë e Berluskonit e kishte sjellë Lele Mora. Pavarësisht videos dhe një dëshmie që për prokurorinë vërtetojnë të kundërtën, Fede tha se kurrë nuk e ka ditur që ajo kishte qenë e mitur.
Ai deklaroi se e kishte takuar në shtatorin e 2009-s në një konkurs bukurie, në Mesina e më pas në Arkore më 14 shkurt të 2010-s. “M’u afrua duke më pyetur nëse më kujtohej, por as që nuk e dija kush ishte. Më ka telefonuar disa herë për të më thënë se kishte lexuar në gazetë që do të shkoja në Siçili, duke më kërkuar nëse mund të vinte të më takonte. Përgjigjet e mia kanë zgjatur 5, 10, 25 sekonda, jo më shumë”, u shpreh Fede gjatë seancës. Dhe pastaj, ajo që është e rëndësishme, “asnjë skenë e natyrës seksuale” nuk është regjistruar. Berluskoni nuk shihet kurrë në gjeste intime apo duke puthur ndonjërën nga vajzat në buzë. Madje as skena zhveshjeje nuk kishte.
“Një mbrëmje, njërës i rrëshqiti sytjena dhe gjëja e parë që bëri Berluskoni, ishte të thërriste dikë që t’i sillte vajzës diçka për t’u mbuluar”, tha Fede. Ai shtoi se nuk kishte parë kurrë zarfe parash që destinoheshin për vajzat e ftuara.
“Nuk jam Spinelli. Nuk isha ftuar atje për të bërë llogaritarin. Si mund të isha në dijeni të diçkaje të tillë?” u shpreh ai. “I vetmi ‘ritual’, nënvizoi, ishte shpërndarja e kutive me bizhuteri të shtrenjta. Secila nga vajzat zgjidhte atë që dëshironte, asgjë më shumë se kaq”. Midis dëshmive të tjera, ishte edhe ajo e përkthyesit në drekën e famshme që ish-kryeministri italian i ofroi Mubarakut, në muajin maj të dy viteve të shkuara. Në atë drekë, Berluskoni foli për Rubin. Të hënën e ardhshme është një seancë tjetër e procesit ‘Rubi’, ku vetë ajo do të thirret për të dëshmuar.