Humbet “garda e vjetër” e De Biazit, ndryshimet e Panuçit para Turqisë

Leda Hysa

Që Panuçi nuk ka frikë nga eksperimentet dhe nuk pranon alibi në lidhje me mungesat, kjo u pa qartë në sfidat e rëndësishme eliminatore ndaj Italisë dhe Spanjës, kur surprizoi bindshëm edhe në zgjedhjet e tij, sepse fundja, siç vetë ai pranoi, “është më tepër sulmues sesa De Biazi” dhe idetë e tyre për futbollin janë totalisht të kundërta.

Në këtë aspekt, Kristian Panuçi ka treguar se jo vetëm nuk ka frikë të eksperimentojë, por ndoshta edhe të tentojë diçka më surprizuese, edhe pse fati nuk i është përgjigjur siç ai ka dashur.

Përpara miqësores me Turqinë, ai nuk mundi që të ketë në dispozicion lojtarë të rëndësishëm në mesfushë si Amir Abrashi dhe Burim Kukeli, që të dy të dëmtuar.

Ndërkohë, një tjetër problem fizik, edhe pse të paralajmëruar, ka pasur edhe Migjen Basha.

Mesfushori i Barit iu bashkua listës së gjatë të mungesave duke hapur kështu një “gropë” të thellë dhe të vështirë për t’u mbushur në pritje të testit të radhës, por nga ana tjetër, trajneri i Shqipërisë i ka lejuar vetes edhe luksin që të mos grumbullojë edhe Ergys Kaçen, ndonëse në gjendje perfekte fizike.

Në pritje të ndeshjes me Turqinë, ai do të ketë hapësirë edhe për të parë në aksion lojtarë të rikthyer në kombëtare si Lilaj, apo prurje të reja si Ramadani e Qaka, por mbi të gjitha mesfushorin e AEK-ut, Astrit Ajdareviç. Mbi të do të jenë të drejtuara shumica e syve dhe ai mund të jetë një nga titullarët.

Për Turqinë, Kristian Panuçi ka provuar një formacion 4-3-3, një projektim sulmues në kundërsulm, por që mund të transformohet në një 4-5-1 në mbrojtje, me dy krahët e repartit ofensiv që do të ndihmojnë deri në mbrojtje.

Zgjedhjet e para pritet të jenë Berisha në portë; Lenjani, Mavraj, Ajeti e Hysaj në mbrojtje; Xhaka, Lila dhe Ajdareviç në mesfushë dhe Grezda, Sadiku e Roshi në sulm.

Ndërkohë, në nxehje dhe shanse për titullarë kanë edhe Latifi në sulm, Aliji e Veseli në mbrojtje, por edhe Strakosha në portë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *