Ringritja e një biblioteke

Ornela

Ferdi Brahushi

Njëzet vjet më parë, në vitin e mbrapshtë 1997 ka ndodhur një nga krimet më të shëmtuara në historinë e kulturës sonë kombëtare. Si në vitet hitleriane dhe në periudhat më të errëta të inkuizicionit mesjetar, iu vu flaka dhe u dogj biblioteka e Institutit të Lartë Bujqësou të Tiranës (sot Universiteti Bujqësor). Ajo ishte një nga bibliotekat më të pasura të llojit të vet në Ballkan. Ndodhi ajo që ndodhi, por faji mbeti jetim, edhe sot e kësaj dite nuk ka një përgjegjës për krimin, nuk ka asnjë të ndëshkuar.

Sidoqoftë, këtu do të flasim për ringritjen e kësaj biblioteke me histori të madhe. Bibliotekat janë institucione të rëndësishme për shoqërinë, ato janë vendi i dijes, historisë, i qetësisë shpirtërore dhe ideve novatore, ndaj mbeshtetja e bibliotekave përben një detyrim në çdo kohë.

Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) si një nga qendrat më të rëndësishme të edukimit dhe kërkimit shkencor në vend, i ka dhënë një rëndësi të veçantë dhe mbështetje të vazhdueshme forcimit të kapaciteteve dhe infrastrukturës së Bibliotekës së tij “Mentor Përmeti”.

Në këtë kuadër më datë 17 Nëntor 2017 Biblioteka Shkencore “Mentor Përmeti” me mbështetje të Projektit Erasmus+ LNSS, organizon “Dita Kombëtare e Vëmendjes ndaj Bibliotekave”, për ndërgjegjësur shoqërinë dhe institucionet shtetërore për rolin e rëndësishëm që kanë bibliotekat në ditët e sotme, si burime të sigurta informacioni për nxënësit, studentët, stafet akademike dhe specialistët e fushave të ndryshme, në avancimin e tyre drejt botës së dijeve.

Biblioteka e Universitetit Bujqësor të Tiranës ka një histori të përbashkët me atë të Universitetit Bujqësor. Është krijuar në vitin 1951 përkrah auditorëve të dhe kabineteve të Institutit të Lartë Bujqësor të Tiranës, me vendndodhje në Laprakë. Në vitin 1956, me transferimin e Institutit të Lartë Bujqësor në Kodër-Kamëz, biblioteka sistemohet në një nga sallat e Korpusit kryesor Për kushte më të mira pune transferohet në godinën dykatëshe në afërsi të ish- shkollës së Dakes. Në vitin 1975 biblioteka vendoset në ambientet e Pallatit të ri të Kulturës dhe merr fizionominë e plotë të një institucioni me standarde unike.

Në rrugën e zhvillimit biblioteka ka synuar arritjen e standardeve bashkëkohore në shërbim të studentëve, pedagogëve e specialistëve të fushës së bujqësisë.

Ndër vite kjo bibliotekë u bë ndër bibliotekat më në zë për pasurimin e fondeve, duke u vlerësuar ndër bibliotekat më të rëndësishme në Ballkan për llojin e vet. Nga 136 volume ne vitin 1951 arriti ne mbi 250 mijë volume ne vitin 1997.

Roli i bibliotekës rritet ndjeshëm pas viteve 1973, kur ajo merr atributet e Bibliotekës Shkencore. Ndërkohë, biblioteka realizonte marrëdhënie shkëmbimi dhe huazimi me 132 institucione shkencore dhe 32 biblioteka të huaja.

Bibliografitë korente e retrospektive, buletinet informues dhe referues, katalogët përmbledhës dhe punime të tjera informative për librin dhe periodikun shqip dhe të huaj krijonin hapësira për shfrytëzimin e informacionit lehtësisht nga përdoruesi.

Në vitin 1995 nëpërmjet projekteve SARA dhe GTZ u realizua automatizimi i pjesshëm i bibliotekës, u instalua rrjeti i brendshëm lokal, u organizuan sallat me fond të hapur, u vu në funksionim qendra e informacionit, u pajisën dhe u mobiluan ambientet etj.

Në marsin e vitit 1997 turma të papërgjegjshme, pasi morën gjithçka që mund të merrnin, i vunë flakën dhe dogjën tërësisht fondin e bibliotekës duke kthyer në shkrumb e hi vlera të pallogaritëshme të nje pune 40-vjeçare.

Vitet pas ’97-ës i kanë fshirë gjurmët e dhimbshme të djegieve e shkatërrimeve. Falë ndihmës së Qeverisë Shqiptare, të fondacioneve, shoqatave, personave privatë, bibliotekave brenda e jashtë vendit etj., u bë e mundur që Biblioteka e Universitetit Bujqësor t’i kthehet normalitetit. Organizimi dhe funksionimi i saj është ndërtuar në përputhje me objektivat arsimore e studimore të Universitetit. Në vitin 1999 bëhet rikonstruksioni i saj me financimin e Qeverisë Shqiptare.

Në Marsin e vitit 2015 Biblioteka Shkencore merr emrin e akademikut të shquar të bujqësisë shqiptare, Prof. Mentor Përmeti.

Biblioteka ka aktualisht një fond prej 20.000 libra dhe rreth 10.000 volume periodike. Organizon shërbim ndërbibliotekar me vende të ndryshme të botës.

Në vitin 2011, biblioteka jonë u përfshi në Projektin Tempus Developing Information Literacy for Lifelong Learning and Knoëledge Economy in Ëestern Balkan Countries”, në të cilin universiteti ynë përfitoi zhvillimin e programeve të aftësimit të informacion dhe përdorimin e tyre në kurrikulat mësimore. Pjesëmarrja në këtë projekt për punonjësit e bibliotekës solli një rritje të aftësisë për të kuptuar nevojat për informacion, për të lokalizuar, vlerësuar dhe përdorur me efektivitet informacionin e nevojshëm

Në vitin 2012, Biblioteka Shkencore e UBT u përfshi në një Marrëveshje Bashkëpunimi me Institutin e Shkencave të Informacionit (IZUM) të Sllovenisë “Agreement on Cooperation in Developing the National Bibliographic System COBBIS AL”. Ky bashkëpunim mundësoi trajnimin e stafit të bibliotekës sonë për krijimin e bazës lokale të të dhënave. Biblioteka jonë është më e mira, midis bibliotekave të tjera publike dhe universitare, në krijimin e regjistrimeve bibliografike në bazën e të dhënave (katalogun online).

Në vitin 2015 Biblioteka Shkencore “Mentor Përmeti” u përfshi në Projektin ERASMUS+ “Library Netëork Support Services- LNSS: modernising libraries in Western Balkan countries through staff development and reforming library services”.

Objektivi i këtij projekti është: Forcimi dhe modernizimi i bibliotekave dhe përmirësimi i nivelit të kompetencave dhe aftësive të stafit të bibliotekave në institucionet e arsimit të lartë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Sfida kryesore me të cilën përballemi është transformimi i vetvetes nëpërmjet bibliotekave elektronike moderne, duke nxitur përfshirje më të madhe të stafit të bibliotekave universitare në kërkimin shkencor. Është i nevojshëm një rol më aktiv i bibliotekave në procesin e të mësuarit dhe të mësimdhënies. Bibliotekat duhet të promovohen si “qendra të aftësimit në informacion dhe të të mësuarit gjatë gjithë jetës, të kenë qasje për të gjithë lexuesit për të nxitur zhvillimin e aftësive të mendimit kritik.

Një sërë aktivitetesh janë kryer nga Biblioteka “Mentor Përmeti” në kuadër të këtij projekti.

U fillua puna me hartimin e “Planit strategjik  2015-2020”. U përcaktua qartë misioni, vizioni, objektivat dhe prioritetet e bibliotekës sonë. Misioni i Bibliotekës “Mentor Përmeti” është: Zhvillimi i shërbimeve të informacionit, novatore dhe me cilësi të lartë; i burimeve të informacionit dhe mjediseve për të mbështetur kërkimin shkencor, të mësuarit dhe mësimdhënien e Universitetit; mbështetja e studentëve, stafit akademik dhe specialistëve të fushave të bujqësisë në avancimin e tyre drejt botës së dijeve.

Vizioni: Biblioteka të bëhet vendi fizik dhe virtual ku shkohet për të mësuar dhe për kërkim shkencor; të jetë vërtetë “bërthama” e komunitetit të Universitetit Bujqësor, duke siguruar shërbime të ndryshme, mjete dhe partneritet në fushën akademike.

Ndër aktivitetet e rëndësishme, që promovojnë punën tonë dhe afrojnë lexuesin në bibliotekë, janë edhe ekspozitat. Në 65 vjetorin e krijimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës u organizua ekspozita “65 vjet rrugëtim nëpër dije”, ku u ekspozuan tekstet e pedagogëve të universitetit tonë, nga krijimi i tij dhe deri sot. Një ekspozitë tjetër ishte ajo me librat më të vjetër të bibliotekës sonë me titull: “Botime retrospektive 1899-1940”.

Për të afruar studentët sa më shumë pranë bibliotekës dhe librit, dhe për të forcuar bashkëpunimin me ta, kemi organizuar konkurse për logon dhe sloganin e bibliotekës, për foton më të bukur për bibliotekën, etj. Kemi shpallur fitues dhe kemi ndarë çertifikata për fituesit. Jemi bërë bashkë me studentët në aktivitetet që ka organizuar Forumi Ekonomik Studentor në bashkëpunim edhe me organizata të tjera studentore, të zhvilluara në sallat e Bibliotekës Shkencore “Mentor Përmeti”.

Për të sensibilizuar komunitetin që e do librin dhe bibliotekën dhe për të pasuruar fondet e bibliotekës është zhvilluar një fushatë për mbledhjen e librave të dhuarua me titull: “Dhuroji një libër bibliotekës së universitetit tënd!”. Nga ky aktivitet u dhuruan një numër i konsiderueshëm librash nga pedagogë, studentë dhe ish-studentë të UBT, kërkues shkencorë, etj.

Për rritjen e kapaciteteve të stafit të UBT për aftësimin në informacion, pjesëmarrësit në këtë project organizuan  trajnimin me titull: “Capacity Building of the AUT staff on information literacy – Ndërtimi i kapaciteteve të stafit të UBT në aftësimin në informacion”.

Gjithashtu, në sallat e bibliotekës sonë, u organizua trajnimi me temë: “Transformimi i bibliotekës në qendër fleksibël informacioni”, ku punonjëse të bibliotekës, që janë pjesëmarrëse në këtë projekt, bënë prezantimet  e tyre në prani të pjesës tjetër të stafit të bibliotekës, të stafit administrative të UBT, si dhe të ftuarve nga bibliotekat e tjera universitare.

Puna vijon me hartimin e Strategjisë së Politikave të Zhvillimit të Koleksioneve, dhe kemi bashkëpunuar me pedagogët e Universitetit tonë në hartimin e moduleve trajnuese dhe informacionin online në ndihmë të studentëve, stafit akademik, stafit të bibliotekave dhe punonjësve të univeristetit, etj.

Një aktivitet shumë i rëndësishëm, në kuadër të Projektit ERASMUS+ LNSS është edhe “Dita Kombëtare e Vëmendjes ndaj Bibliotekave”. Në këtë aktivitet Biblioteka Shkencore “Mentor Përmeti” është nismëtare dhe ndiqet nga bibliotekat e tjera universitare dhe publike të vendite tonë. Kemi bërë takimet përgatitore për këtë aktivitet me koleget tona, duke filluar nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, Biblioteka e Kryeministrisë, Biblioteka e Akademisë së Shkencave, Biblioteka e Universitetit të Arteve dhe në vijim me shumë biblioteka të tjera të vendit, me institucionet publike dhe organizatat jo qeveritare, duke i ftuar të na bashkohen në këtë nismë. Jemi prezantuar në një stendë në “Panairin e Librit 2017”, me botimet e pedagogëve tanë, me libra të vjetër të fondit të bibliotekës sonë, me vepra të profesorëve të shquar të UBT-së që nuk jetojnë më, etj.

Është momenti që bibliotekat të bëhen të dukshme me vlerat dhe punën e tyre, të kërkojnë vëmendje për të qenë në hapin e zhvillimeve të kohës, në këtë shoqëri të teknologjisë dhe informacionit.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *