Grumbullimi i yndyrave në mëlçi është një tjetër problematikë e shpeshtë mjekësore që po haset edhe në
vendin tonë. Mjekët thonë se është normale që mëlçia të përmbaje disa yndyra, por në rastet kur sasia e tyre shkon në më shumë se 5-10 për qind të peshës së këtij organi, atëherë mëlçia juaj është e dhjamosur dhe rrezikon nga një sërë ndërlikimesh shëndetësore. Ajo që konsiderohet si më shqetësuese në këtë sëmundje, është mungesa e shenjave të dukshme klinike që në stadet më të hershme, çka bën që pacientët për vite me radhë të mos e dinë që janë të prekur.
Mjekja Ilda Xhelili, tregon për “Dita”, se janë të shumta shkaqet që ndikojnë në dhjamosjen e mëlçisë. Në vijim të shkrimit, gjeni të detajuara këshillat për rastet në të cilat dhjamosja e mëlçisë nuk shkaktohet nga përdorimi pa kriter i alkoolit.
Kur ndodh dhjamosja e mëlçisë?
Dhjamosja e mëlçisë është grumbullimi i sasive jonormale të yndyrës brenda mëlçisë. Si rezultat i yndyrës së grumbulluar, edhe qelizat e mëlçisë do të grupohen në mënyrë jo normale. Megjithëse konsumimi i tepruar i alkoolit është një shkak shumë i zakonshëm i dhjamosjes së mëlçisë (mëlçia yndyrore), ekziston edhe një formë tjetër e mëlçisë yndyrore (sëmundja joalkoolike e mëlçisë) në të cilën alkooli është përjashtuar si shkak.
Konkretisht, çfarë është dhjamosja joalkoolike e mëlçisë?
Sëmundja joalkoolike e mëlçisë është një manifestim i një anomalie të metabolizmit brenda mëlçisë.
Mëlçia është një organ i rëndësishëm në metabolizmin (trajtimin) e yndyrave. Mëlçia prodhon dhe transporton yndyrat në të gjithë organizmin. Ajo gjithashtu largon yndyrën nga gjaku që është çliruar nga indet e tjera të organizmit. Nëse në gjak gjenden sasi të mëdha yndyre dhe po ashtu prodhohen edhe në mëlçi, atëherë do të kemi grumbullime të mëdha yndyre në mëlçi. Në këtë patologji, përveç grumbullimit të yndyrës ka edhe inflamacion (infeksion) të qelizave të mëlçisë dhe si pasojë, qelizat e mëlçisë dëmtohen, pastaj vdesin duke u zëvendësuar me ind fibrotik (ind jofunksional). Trajtimi i kësaj sëmundjeje është mjaft i rëndësishëm, kjo sepse së pari është një patologji me tendenca në rritje kohët e fundit dhe së dyti kjo sëmundje është një shkak i rëndësishëm i cirrozës së mëlçisë me ndërlikimet e saj, si për shembull gjakderdhja e aparatit tretës, mosfunksionimi total i mëlçisë, apo edhe kanceri i saj.
Cilët janë shkaktarët më të zakonshëm të kësaj situate?
Shkaqet e sëmundjes joalkoolike të mëlçisë janë komplekse dhe ende jo plotësisht te sqaruara.
Megjithatë, faktorët më të rëndësishëm janë prezenca e obezitetit dhe e diabetit. Kur sasi të mëdha yndyre janë të pranishme si rezultat i obezitetit, atëherë organizmi stimulon prodhimin e shumë hormoneve dhe proteinave, të cilat hidhen në gjak dhe kanë ndikim në qelizat e të gjithë trupit. Një nga efektet e shumta është edhe nxitja e rezistencës ndaj insulinës së qelizave, duke çuar në rritjen e niveleve të sheqerit në gjak dhe shfaqjen e diabetit. Insulina prodhohet nga pankreasi dhe është nxitësi kryesor i marrjes së sheqerit (glukozës) nga qelizat e gjakut.
Në fillim të situatës pankreasi e kompeson vetë rritjen e nivelit të sheqerit në gjak, duke prodhuar më tepër insulinë. Por me kalimin e kohës fuqia e tij bie. Sheqeri është një burim i rëndësishëm energjie për qelizat dhe nëse ato nuk e marrin atë mjaftueshëm, atëherë ato fillojnë të ndryshojnë mënyrën e tyre të të funksionuarit. Në këtë situatë edhe qelizat e mëlçisë rrisin thithjen e acideve yndyrore nga gjaku dhe i grumbullojnë ato brenda vetes.
Përveç kësaj dhe vetë mëlçia prodhon më tepër yndyrë duke rritur kështu sasitë e grumbulluara. Shkaqe të tjera (përveç alkoolit) mund të përmendim sëmundjen Wilson (sëmundjen e grumbullimit të yndyrës), disa medikamente që e favorizojnë, si për shembull kortizonikët e përdorura afatgjatë, metrotraksati (që përdoret në sëmundjet reumatizmale për periudha të gjata), etj.
Cilat janë shenjat më të shpeshta klinike të kësaj sëmundjeje?
Kjo sëmundje e mëlçisë, rrallë shkakton simptoma të dukshme klinike. Megjithatë, kjo patologji
dyshohet kur në testet rutinë, gjenden vlera jo normale të testeve të mëlçisë, ose në ekografitë e kryera për arsye të tjera, si për shembull për shqetësimet që shkaktojnë gurët e tëmthit. Në rastin kur sëmundja është e avancuar, atëherë do të mbizotërojnë shenjat e cirrozës së mëlçisë. Kjo situatë mund të përfshijë hemorragji të ndryshme (gjakderdhje) për shkak të pamundësisë së mëlçisë për të prodhuar proteinat e mpiksjes së gjakut (koagulimi i gjakut), gjakderdhje të aparatit tretës si rezultat i presionit të lartë që ushtrohet në enët e gjakut të zorrëve, grumbullimit të ujit në bark (ascit), si rezultat i presionit të lartë në venat e brendshme të mëlçisë dhe paaftësia e saj për të prodhuar proteinën më të rëndësishme të gjakut, albuminën. Po ashtu, mund të kemi ndryshime mendore (encefalopati të ndryshme), si rezultat i paaftësisë së mëlçisë për të eliminuar kimikatet nga trupi që janë toksike (helmuese) për trurin. Situata mund të avancojë deri në koma.
Si trajtohet dhjamosja joalkoolike e mëlçisë?
Së pari kjo sëmundje kërkon ndryshimin e stilit të jetesës, medikamentet duhet të përdoren vetëm sipas simptomave klinike dhe përshkrimit të mjekut specialist. Në rastet e rënda mund të lindë nevoja e ndërhyrjes kirurgjikale, apo edhe si fazë finale, transplanti i mëlçisë.
Çfarë regjimi ushqimor duhet të ndjekin këta pacientë? 
Këta pacientë duhet të jenë nën kontrollin e vazhdueshëm të mjekut edhe për mënyrën e të ushqyerit. Është e rëndësishme të përdoren më shumë fruta dhe perime të freskëta dhe të kufizohen produktet shtazore. Kujdes duhet bërë edhe me përdorimin e alkoolit. Nuk ka të dhëna të plota të efekteve të dëmshme të alkoolit (më pak se 2 pije në ditë për meshkujt dhe më pak se 1 pije në ditë për femrat). Sasira më të mëdha duhet të shmangen nga të gjithë, përfshirë edhe individët me sëmundjen joalkoolike të mëlçisë.
Po në lidhje me peshën, çfarë kujdesi duhet të kenë pacientët?
Humbja e peshës dhe aktiviteti fizik janë trajtimet më premtuese për këtë sëmundje. Mund të jetë e mjaftueshme një rënie deri në 10 për të peshës trupore. Ushtrime fizike rezultojnë në reduktimin e yndyrës së mëlçisë dhe gjithashtu në zvogëlimin e inflamacionit të saj. Efektet afatgjata të rënies së peshës dhe ushtrimit fizik në lidhje me pacientët që kanë hyrë në fazën e cirrozës së mëlçisë duhen diskutuar patjetër me mjekun specialist. Shkalla e ushtrimit dhe e rënies në peshë duhet të përcaktohen në varësi të situatës shëndetësore individuale. Pranvera Kola/Dita
