Sëmundjet që nuk duhet t‘i trajtoni me antibiotikë

Pranvera Kola

Për gjendjet gripale, kollën, rrjedhjen e hundëve, dhimbjet e fytit, bronkitet dhe disa infeksione të sinuseve, apo të veshit që masivisht shkaktohen nga viruset, nuk është e nevojshme që të përdoren antibiotikët për trajtimin e tyre.

Bakteret dhe viruset janë përgjegjëse për shkaktimin e shumë sëmundjeve, për trajtimin e të cilave jo në çdo rast është i nevojshëm përdorimi i antibiotikëve. Përdorimi pa kriter i antibiotikëve po vërehet në masë së fundmi edhe në vendin tonë, çka është shndërruar në problem madhor për shëndetin publik.Kjo pasi jo vetëm që është shtuar niveli i sëmundshmërisë, si dhe i kostos që duhet për trajtimin e këtyre sëmundjeve. Ndërkohë që nuk janë të pakta edhe rastet kur abuzimi me përdorimin pa kriter të antibiotikëve ka vënë në rrezik edhe jetën e pacientit.

Sipas ekspertëve shëndetit publik, duhet të dini që antibiotikët janë medikamente të rëndësishme që përdoren vetëm në trajtimin e infeksioneve të shkaktuara nga bakteret, e jo sikundër ndodh rëndom me përdorimin e tyre pa kriter edhe për trajtimin e infeksioneve të natyrës virale. Kjo ka bërë që antibiotikët të humbasin efektin e tyre, çka do të thotë më shumë vdekje dhe më shumë komplikacione për njerëzit.

Disa fakte që duhet t’i dini rreth përdorimit të antibiotikëve
Duhet të dini se antibiotikët trajtojnë vetëm infeksionet bakterore. Nëse keni një infeksion viral, si për shembull një të ftohur, ju duhet të bisedoni me mjekun tuaj për mënyrën se si të lehtësoni simptomat e sëmundjes, këshillat mund të përfshijnë përdorimin e lëngjeve të ngroha dhe pushimin, e jo të veproni me vajtjen në farmaci dhe të merrni medikamente pa asnjë lloj rekomandimi.

Kujdes, disa infeksione të veshit nuk kërkojnë përdorim të antibiotikëve. Mjeku specialist do të përcaktojë llojin e infeksionit të veshit, që keni dhe nëse është i nevojshëm mund të përshkruajë përdorimin e antibiotikëve. Mjeku mund të presë disa ditë përpara se të japë antibiotikun, pasi ju mund të bëheni mirë më mirë dhe pa e filluar përdorimin e tij.

Pjesa më e madhe e dhimbjeve të fytit nuk kërkojnë trajtim me antibiotikë. Vetëm 1 në 5 fëmijë të cilët janë vizituar nga mjeku për dhimbje fyti kanë infeksione të fytit të shkaktuara nga streptokoku, i cili duhet të trajtohet me antibiotikë. Mjeku mund të konfirmojë këtë infeksion vetëm me kryerjen e testit me material nga futi. Ndaj mos veproni me përdorimin e antibiotikëve për të qetësuar simptomat pasi mund të jetë i panevojshëm përdorimi i tyre.

Mukusi me ngjyrë jeshile nuk është shenjë që duhet të filloni përdorimin e antibiotikëve. Meqenëse sistemi imunitar i trupit lufton infeksionin, mukusi mund të ndryshojë ngjyrë. Kjo është një dukuri normale dhe ju nuk e keni të nevojshme përdorimin e antibiotikut.

Ekzistojnë rreziqe të mundshme kur marrim antibiotikë që na përshkruan mjeku. Përdorimi i antibiotikëve mund të shkaktojë komplikacone duke filluar nga irritimi i stomakut, deri në reaksione alergjike serioze. Mjeku juaj duhet të vlerësojë përfitimet rreziqet përpara se të të përshkruajë përdorimin e një medikamenti.

Infeksionet rezistente ndaj antibiotikoterapisë sjellin hospitalizim më të gjatë (shtrime më të gjata në spital), kosto më të madhe mjekësore dhe më shumë vdekje. Infeksionet rezistente ndaj antibiotikoterapisë mund të prekin këdo në çdo moshë. Ndërkohë që nga keqpërdorimi i antibioikëve vështirësohet edhe trajtimi i shumë sëmundjeve. Pranvera Kola/Dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *