Borxhet tona ndaj Atdhetarit të Madh Rexhep Qosja

DITA Online

 

Muharrem Xhafa

Jetojmë prej 27 vjetësh një periudhë çoroditjeje dhe tjetërsimi që po trullos një komb të tërë. Gjatë kësaj kohe kemi parë e përjetuar gjëra të pabesueshme: ish-komunistë që të bënin gjëmën dikur që u konvertuan në antikomunistë të flaktë, intelektualë që u bënë bishta të partive dhe u zhvlerësuan në mënyrë të skajshme, kemi parë banditë të kthehen në politikanë, kontrabandistë dhe mercenarë turlilloj që kanë sjellë shumë mbrapshtira në këtë vend.

Por unë nuk e kam fjalën për këtë kategori njerëzish. Dua të tërheq vëmendjen tek ata pak qëndrestarë që me trimëri dhe mençuri i kanë bërë ballë furtunave të kësaj kohe dhe kanë mbajtur gjallë shpresën e një populli të tërë se ky vend jo vetëm do të bëhet, por edhe do të përparojë.

Pa asnjë dyshim, Akademiku i madh Rexhep Qosja është në krye të kësaj plejade që i bëjnë nder këtij kombi. Në këtë sprovë të shkurtër por të sinqertë (pa pretenduar kurrsesi se po i them të gjitha mendimet dhe vlerësimet që kam për këtë figurë të madhe) do të përpiqem të sjell disa argumente pse shqiptarët u janë borxhlinj këtyre njerëzve të shquar.

Po për çfarë i jemi borxh Prof. Rexhep Qosjes?

1.

I jemi borxhli Profesor Qosjes për shpalosjen e një vizioni të qartë për zgjidhjen e çështjes kombëtare që ai e ka shpalosur. Si rrallëkush tjetër ai e ka shpalosur platformën e tij kombëtare për hullitë në të cilat duhet të ecim drejt një bashkimi kombëtar. Është intelektuali që e ka analizuar si askush rrjedhën historike, sidomos të shekullit të fundit dhe ka denoncuar po si askush armiqtë dhe sabotatorët e çështjes kombëtare. Duke bërë një analizë të fortë dhe të thelluar për këto zhvillime, ai ka arritur në konkluzione të fuqishme që u kanë paraprirë zhvillimeve politike. Libri i tij “Çështja shqiptare – historia dhe politika” e botuar më shumë se njëzet vite më parë, është një nga veprat më të mira jo vetëm të këtij autori, por edhe të historiografisë sonë. Për të mbërritur në një vepër tjetër madhore botuar vitet e fundit me titullin mjaft domethënës  “Shqipëria dhe Kosova – Si janë dhe si do të duhej të jenë” që të kujton veprën monumentale të Sami Frashërit që ishte në shpirtin e Rilindjes sonë Kombëtare një shekull e ca më parë.

Prof. Qosja e përmbledh kështu thelbin e librit të tij: “Shqiptarët nuk janë më të pushtuar prej Perandorisë Otomane, siç ishin në atë kohën kur do të shkruhej e do të botohej vepra e Sami Frashërit, por, siç po shohim dhe siç po bindemi çdo ditë, në jetën e tyre ende nuk janë arritur vlerat e ëndërruara politike, shoqërore dhe kombëtare të rilindësve të mëdhenj. Vlerat demokratike – shteti i së drejtës, përgjegjshmëria e zyrtarëve, barazia e dinjiteteve e të tjera, edhe më tej mbesin dëshira të ëndërruara në jetën shqiptare”.

Në gjithë korpusin e veprave të tij Rexhep Qosja, ndërsa denoncon politikat antishqiptare për copëtimin dhe zhbërjes së kombit shqiptar, i mëshon fort dhe pa lëkundje idesë së bashkimit kombëtar, si e vetmja alternativë e Shqiptarëve për të ardhmen dhe për të gjetur paqe ky rajon përherë i trazuar i Ballkanit.

E gjithë vepra e tij gjigande përshkohet nga ndjenja atdhetare, një model që është vazhdimësi logjike e rilindësve të mëdhenj shqiptarë. Rexhep Qosja është pasardhësi i gjallë i këtyre rilindësve të mëdhenj. Mos qoftë i fundit!

2.

Rexhep Qosja është një personalitet i madh i kulturës sonë kombëtare, një ikonë e saj. I pazëvendësueshëm dhe i pakrahasueshëm. Pajtohem plotësisht me vlerësimin që i ka bërë atij një personalitet tjetër i shquar i kulturës sonë, poeti dhe studiuesi Agim Vinca.

Ja çfarë shkruan ai për Rexhep Qosen:

“Rexhep Qosja është në radhë të parë studiues i letërsisë – nga më të shquarit në letrat shqipe prej fillimi e deri më sot, aq sa mund të thuhet se ai, me shkrimet e tij të shumta teorike, kritike, eseistike dhe historiko-letrare, por edhe me punën e tij shumëvjeçare në organizimin e jetës shkencore dhe të studimeve letrare në Kosovë, është bërë themelues i një shkolle të studimit të letërsisë ndër ne, shkollë kjo, e cila, nga pikëpamje teorike dhe metodologjike mbështetet kryesisht në parimet e poetikës strukturale historike, ku kombinohen kriteri “i brendshëm” me atë “të jashtëm”, teksti me kontekstin.”

3.

Rexhep Qosja është një nga mbrojtësit më të mëdhenj të gjuhës shqipe dhe të standardit të saj të arritur në kohën e Enver Hoxhës 45 vite më parë. Është për të ardhur keq që një nga ngjarjet më të mëdha kombëtare, Kongresi i Drejtshkrimit, megjithëse në një vit jubilar, u anashkalua dhe nuk u përkujtua thuajse fare ditët e fundit.

Ja çfarë shkruan Rexhep Qosja:

“Sikundër na mëson historia, politikat separatiste në jetën e një populli në shumicën e herëve kanë çimentuar themelet e ndarjeve apo të shpërbërjeve të tyre. Rrjedhimisht del përfundimi se përpjekjet për ndryshimin e parimeve të gjuhës së njësuar letrare kombëtare apo për krijimin e dy gjuhëve letrare, domethënë të gjuhëve standarde dialektore përfaqësojnë konkretizimin e politikës dhe të ideologjisë së shpërbërjes në fushën më integruese të jetës kombëtare në fushën e kulturës.

Në qoftë se ky pohim është i saktë, e unë tjetër përgjigje nuk di t’i jap pyetjes së shtruar, atëherë vetvetiu shtrohet edhe një pyetje: a kemi ne sot një ide kombëtare. E me togfjalëshin ide kombëtare unë kuptoj idenë integruese në jetën e popullit shqiptar siç ishin gjatë 150 vjetëve të fundit ideja e ruajtjes së tërësisë së tokave etnike në vitin 1912, kur krijohet shteti shqiptar jashtë të cilit mbesin gati gjysma e trojeve etnike dhe më tepër se gjysma e popullit shqiptar dhe ideja e bashkimit kombëtar pas këtij viti.

Po ta mbështesim përgjigjen në krizën që e jeton Shqipëria tani e njëzet vjet dhe në disa ide të prodhuara prej intelektualëve në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë atëherë do të përgjigjem: jo. Neve sot na mungon Ideja kombëtare.”

A kanë nevojë për koment këto fjalë brilante? A mund t’i kontestojë ndokush ato? Ai që do të guxonte t’i kontestonte, as më shumë e as më pak do të vetëdeklarohej si antishqiptar.

3.

Akademikut Rexhep Qosja i jemi borxhli për qëndrimin konsekuent që ka mbajtur për zhvillimet politike në Shqipëri dhe në Kosovë pas vitit 1990. Është intelektuali më i angazhuar gjatë këtyre 27 vjetëve, pa ndonjë vijë ndarëse midis Shqipërisë dhe Kosovës. Atij i dhëmb shpirti njëlloj për të gjithë shqiptarët, i përjeton intensivisht të gjitha situatat dhe trishtohet si askush për politikat e mbrapshta dhe shpesh antishqiptare që janë manifestuar si në Tiranë dhe në Prishtinë.

Rexhep Qosja është denoncuesi më i madh i politikës regresiste të Sali Berishës. Ai ishte ndër të parët që pikasi forcën politike që mori pushtetin në Tiranë në vitin 1992 dhe ka dënuar si askush diktaturën e Berishës nën petkun e emërtimit “demokratike”.

E kush tjetër më mirë se ai mund t’i shqiptonte këto fjalë:

“Jemi turrur që qeverisjen ta bëjnë sundim sulltanor! Deshëm s’deshëm, u pajtuam a s’u pajtuam, kundërshtuam a s’kundërshtuam jo vetëm me fjalë po edhe me  protesta e demonstrata nuk mund të mos e pranojmë se në Shqipëri dhe në Kosovë, domethënë në jetën kombëtare shqiptare, vazhdojnë të qëndrojnë edhe më tej bazat sociologjike dhe psikologjike për ngadhënjim të autoritarizmit.

Për këtë arsye edhe shumë e shumë kohë demokracinë tonë do ta shënojnë këto të këqija: despotizmi, nepotizmi, korrupsioni, populizmi dhe totalitarizmi, i kuptuar jo si trajtë po si sasi e fuqi e pushtetit, mediet e kolonizuara, gjyqësori i kolonizuar, pasiguria politike, shtetërore e jetësore e prodhuar prej dallimeve të mëdha midis të pasurve e të varfërve e të gjitha këto duan të thonë se shtetet tona janë shtete të kapura, të privatizuara prej oligarkisë politike, të shumtën e kohës, si po shihet, të ndërsalduar me një pjesë të oligarkisë ekonomike e financiare.” (Lexo në gazetën ‘DITA’ 5 qershor 2017 “Parlament i Popullit apo i shfrytëzuesve të tij”).

4.

I jemi borxhli për trimërinë Profesor Qosjes. Trimërinë shqiptarët e kanë proverbiale, por koha ka treguar se të paktë janë ata që e kanë manifestuar. Trimëria shkëlqen më shumë në kohët më të vështira. Rexhep Qosja e ka të gërshetuar si rrallëkush tjetër me mençurinë e madhe.

Pse e them këtë? Po e argumentoj këtë me një fakt të thjeshtë, pavarësisht se e di që do të më kundërvihen antikomunistët dhe antienveristët.

Në një kohë që thuajse të gjithë janë turrur se kush mund të shajë figurën e Enver Hoxhën dhe veprën e tij në shërbim të Shqipërisë dhe popullit shqiptar për gjysmë shekulli, Rexhep Qosja është ndër të rrallët që ka bërë një nga portretet më realiste për ish-udhëheqësin komunist.

Rexhep Qosja nuk është komunist. Ai është një idealist i madh. Është një atdhetar dhe një nga mendjet më të hapura e më ndritura të këtij kombi. Si trim i mençur që është, ai nuk druhet aspak t’i shpalosë mendimet e tij botërisht, edhe pse ato mendime mund të konsiderohen tabu nga disa, sidomos nga politikanët.

Po rilexoj çfarë kanë thënë e kanë shkruar disa personalitete të rëndësishëm, të huaj e shqiptarë, për Enver Hoxhën, pas vdekjes së tij. Përzgjodha ndër ta për të publikuar një vlerësim  të akademikut të njohur shqiptar Profesor Rexhep Qosjes, i cili, në një intervistë dhënë para disa vitesh në Televizion (emisioni “Shqip”) ka thënë se as duhen harruar të mirat e regjimit të Enver Hoxhës dhe as duhet të kemi “frikë” t’i përmendim ato!

Prof. Qosjen e përzgjodha jo se ky është komunist, as se ky është mik i Enverit, as se ky ka shkruar ndonjë libër në mbrojtje te Enver Hoxhës e të socializmit. Jo, jo për këto, por sepse ka pasur dhe ka guximin e një shqiptari patriot të shquar të shohë e të thotë ndryshe nga servilët e djeshëm e frikacakët e sotëm disa arritje të vërteta themelore për socializmin në Shqipëri të udhëhequr nga Enver Hoxha. Ne këto realitete i përjetojmë, i shohim, i ndjejmë çdo moment, po për shkak të politikanëve dhe partive që na sundojnë, nuk guxojmë t’i shprehim.

Rexhep Qosja guxon. Dhe thotë:

“E para, thotë Prof. Rexhep Qosja, Enver Hoxha me atë rend politiko-shoqëror, me atë politike e ideologji, e shkëputi Shqipërinë prej një varfërie të madhe, që sundonte përpara. Unë kam ne bibliotekën time dy vepra te botuara në vitin 1937, me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, të cilat i kam lexuar jo vetëm një herë me kujdes. Aty shihet se në çfarë gjendje ishte Shqipëria në atë kohë, në një gjendje shumë të dhimbshme. Enver Hoxha e ndërroi atë gjendje. I siguroi popullit bukën dhe mandej u arritën disa zhvillime para te cilave nuk mund te mbyllim sytë. Shqipëria ndërtoi institucione bashkëkohore të shtetit. Të gjitha institucionet e mundshme, që i ka një shtet, i ndërtoi ai regjim. Ai regjim zhvilloi arsimin ne përpjesëtime te mëdha, ai regjim zhduku analfabetizmin. Ai regjim ndërtoi institucionet bashkëkohore, qe i kane shtetet me te zhvilluara, te kulturës e shkencës, zhvilloi studimet albanologjike. Ne kishim para Luftës së Dytë Botërore, aty-këtu ndonjë njeri qe merrej me studime shqiptare, por Enver Hoxha me regjimin e tij bëri që studimet albanologjike të institucionalizohen dhe u realizuan arritje te mëdha në këto studime në të gjitha fushat e albanologjisë. Ky regjim ndërtoi institutet e kulturës, të operas, baletit, ansamblin me shumë rëndësi të këngëve dhe valleve popullore. Ai regjim beri institute edhe për shkencat ekzakte. Pra, ndërtoi një shtet bashkëkohor me të gjitha institucionet politike, shoqërore, kulturore, arsimore, shkencore. Nuk mund t’i harrojmë këto. Shqipëria sot ndriçohet edhe me hidrocentralet qe ka ndërtuar ai regjim. Ai regjim e mbrojti Shqipërinë  prej përmbytjeve, e shpëtoi Shqipërinë prej kënetave. U rritën tani kënetat, u rritën aq shumë sa po bëhen edhe vërshime ashtu si në Shkodër, sepse regjimi i sotëm nuk po i kushton rëndësi ose i la të shkatërrohen ato që i kishte ndërtuar ai regjim me Enver Hoxhën në krye, për mbrojtjen e qyteteve, fshatrave, fushave  prej vërshimeve e përmbytjeve.

Nuk mund dhe nuk duhet t’i harrojmë këto. E thashë më parë e dua ta përsëris se ai regjim i dha popullit shqiptar një dinjitet ndërkombëtar të njohur dhe kjo nuk është diçka e parëndësishme”.

4.

Mendimet dhe idetë e tij brilante ky personalitet i madh i kulturës dhe historisë sonë i shprehur shpesh në intervista dhe shkrime brilante që ka botuar në vijimësi në shtyp, ku do të veçoja bashkëpunimin e tij me gazetën ‘DITA’.

Në shkrimin e mrekullueshëm të tij të sipërcituar të 5 qershorit të këtij viti, “Parlament i Popullit apo i shfrytëzuesve të tij”, Rexhep Qosja shkruan:

“Jemi turrur të bëjmë prijës, madje të bëjmë prijës edhe nga ata që s’kanë treguar dhe s’tregojnë as mendje as karakter. Sot popujve dhe shteteve, thotë filozofi i njohur Karl Poper, u mungojnë prijësit (liderët) e denjë. Mendimtarë dhe intelektualë më të dëshpëruar se ç’ishte ky filozof i njohur, e shquajnë edhe më tepër dëshpërimin e tyre politik: ata thonë se shumë popuj dhe shtete sot sundohen prej mafive politike dhe financiare!”

Akademiku Rexhep Qosja ka folur edhe herë tjetër, në këta 27 vjet të sundimit të borgjezisë në vendin tonë, për Enver Hoxhën e socializmin dhe ka qenë konsekuent në ato që ka thënë e shkruar. Kombi ynë pret nga mendja e pena e Prof. Rexhep Qosjes për të shkruar mbi arritjet e mangësitë e saj lavdinë e një periudhe gati 50 vjeçare të historisë socialiste të Shqipërisë, e njohur si “Epoka e Enver Hoxhës”! “Borxh” ia kanë këtë Atdheut, popullit, kombit shqiptar, intelektualë patriotë të mëdhenj si Rexhep Qosja!

Share This Article
3 Comments
  • Vertete nje “atdhetar i madh”! U rrojt e u pispillos si nje kurve, u vesh ne rroba laviresh dhe iku prej Kosove me dale e me i mashtru shqiptaret me… “atdhetarizem” e “shqiptari” jugosllave!… Bravo Muharrem Xhafa se e paske çkulise fare!

    Dr

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *