Letërsia e Moikomit si jazz dhe Moikomi si njeri

DITA Online

 

Prof. Fatos Tarifa

Në “shoqërinë” e librave të Moikom Zeqos gjithmonë jam ndier dhe ndihem mirë, madje një lexues i privilegjuar.

Moikomi është një dukuri intelektuale e veçantë―dhe e rrallë―në botën e letrave dhe në kulturologjinë shqiptare. Krijimtaria e tij të impresionon. Herë-herë të magjeps. Kjo, me mua, ka ndodhur në më se një rast. Është kjo ndjesi dhe respekti që kam për këtë njeri të ditur dhe intelektual publik ndër më të shquarit në vendin tonë, që më bëjnë të shkruaj e të flas publikisht për të.

Unë dhe ju, të nderuar lexues, që jeni të njohur me krijimtarinë e Moikom Zeqos, mund të mos jemi të një mendjeje nëse përpiqemi të gjejmë një cilësor për profesionin, ose për profilin intelektual të Moikomit.

A është ai, para së gjithash, një shkrimtar (prozator, poet apo eseist)? Arkeolog? Historian i letërsisë dhe i arteve? Historian i ideve? Bizantolog? Orientalist?

Apo ai është të gjitha këto së bashku, me fjalë të tjera, një dijetar erudit, një enciklopedist?

Unë mendoj se ky cilësim i fundit i përshtatet më mirë figurës poliedrike të Moikom Zeqos, subjekteve të veprës së tij dhjetëravëllimëshe dhe natyrës së studimeve, të analizave dhe, përgjithësisht, të krijimtarisë së tij intelektuale.

Në një kuptim shumë real të fjalës, Moikomi është një “ëalking archive”, ose një “ëalking encyclopedia”. Madje, shumë më tepër se kaq.

  • • •

Profilin intelektual të Moikom Zeqos e formatojnë njëherazi disa role dhe veprimtari kreative të tij: historiani i antikitetit dhe i Bizantit, novelisti, poeti, eseisti, arkeologu, piktori, muzeologu, legjislatori, ministri i Kulturës dhe, mbi të gjitha, intelektuali publik i angazhuar.

Nuk do të bëj një analizë pro forma, të detajuar të veprës së tij. Kjo, madje, është një detyrë thuajse e pamundur për këdo. Shumë kritikë dhe autorë, vendas e të huaj, janë përpjekur ta analizojnë krijmtarinë e Moikomit—më së fundmi edhe Fatmir Minguli, me vëllimin e tij Tatuazhet e shpirtit: Transletërsia e Moikom Zeqos, botuar këto ditë nga Shtëpia Botuese “Erik”. Ky është një vëllim shumë i arrirë dhe me vlera të veçanta njohëse për letërsinë moikomiane.

Por, mua më duket se letërsia e Moikomit nuk është shkruar dhe nuk shkruhet për t’u komentuar; ajo shkruhet për t’u shijuar. Letërsia e tij nuk “ngucet”, siç themi ne gjirokastritët, brenda kornizave të një zhanri apo të një stili të veçantë letrar; ajo është një zhanër letrar në vetvete.

Për më tepër, krijimtaria e Moikomit, në një pjesë të madhe të saj, nuk është as letërsi e mirëfilltë, as histori, as thjesht eseistikë. Me veprat e tij të këtyre viteve të fundit, Moikom Zeqo i “refuzon” të gjitha këto stile letrare dhe, duke i kombinuar të gjitha ato në një stil të vetëm e origjinal “moikomian”, prodhon një “prozë nga kaosi”.

Ashtu si në jetë ose në politikë, edhe në poezi Moikomi nuk është konformist. Ai nuk i përket një shkolle të caktuar dhe nuk ua nënshtron mendimin, stilin ose vargun e tij kanoneve të njohura letrare, por krijon të tjera rregulla, që përjashtojnë çdo sistem dhe çdo rregull. Nuk është mendimi i Moikomit që u nënshtrohet rregullave, por rregullat që i binden mendimit dhe talentit krijues të tij. Kjo e veçon atë nga të gjithë poetët e tjerë dhe e bën të qëndrojë mbi ta.

  • • •

Nuk e di pse, duke shkruar këto radhë për krijimtarinë letrare të Moikomin më erdhi vetiu në mendje ideja se letërsia e tij, më mirë se me çdo gjë tjetër, mund të krahasohet me jazz-in.

Po, letërsia e Moikomit ëzhtë jazz, ose, më saktë, është homologia e tij në letërsi. Jazz letrar, ose letërsi jazz.

Ajo është spontane si jazz-i, e thellë si jazz-i, e larmishme si vetë ky zhanër muzikor.

Njëlloj si jazz-i, letërsia e Moikomit është e tillë që, edhe pse absorbon shumë gjëra—histori, filozofi, pikturë, arkeologji—ajo përsëri mbetet letërsi.

Dhe, njëlloj si jazz-i, letërsia e Moikomit nuk ka një “expiration date”. Ajo lexohet e do të lexohet në çdo kohë.

Po kështu, njëlloj si për mjeshtërit e mëdhenj të jazz-it, edhe për Moikomin mund të thuhet se ai ka jetuar e mund të jetojë pa shumë gjëra, por letërsia nuk bën pjesë në to. Ai dhe letërsia janë një.

Në letërsinë e tij të gjen, edhe pse jo në kuptimin literal të fjalës, jazz-in klasik, por gjen edhe forma të tjera të jazz-it—mainstream, chamber, smooth, cool, free, ethno jazz etj.

Në të gjen të letrarizuara tonet virtuoze të Louis Armstrong-ut, por edhe pak nga Ella Fitzgerald, Duke Ellington, John Coltrane, Billie Holiday, Nina Simone, madje edhe nga legjendat më të reja të jazzit, Norah Johnes dhe Diana Krall.

Thuajse çdo herë që lexoj diçka nga Moikomi, asocimi muzikor i saj në ndjesitë e mia, bëhet, krejt instiktivisht, një  baladë  e njohur e blues-it dhe e jazzit klasik, “I put a spell on you”, që shumë nga ju, me siguri, e keni dëgjuar. Eshtë magjepëse. E tillë është edhe letërsia e Moikom Zeqos.

  • • •

Me erudicionin e tij, Moikom Zeqo më kujton Faik Konicën dhe Aleks Budën. Subjektet e tij më të preferuara i ngrenë kult një vargu figurash historike, dijetarësh dhe artistësh të shquar shqiptarë, si monarkët ilirë Pirro dhe Teuta, Skënderbeu, Pjetër Bogdani, Jan Kukuzeli, Onufri, De Rada, Naim Frashëri, Kristoforidhi, Konica, Noli, Migjeni, Çabej, Poradeci etj.

Ato i shndërrojnë në tempuj dhe altarë të shenjtë Durrësin e lashtë, Detin Adriatik, Liqenin e Pogradecit, kështjellat e moçme dhe ato mesjetare shqiptare. Në to takohesh me Homerin, me Shekspirin, me Servantesin, me Volterin, me Didëroin, me Gëten, si dhe me disa prej shkrimtarëve modernë që vetë Moikomi i preferon mbi të tjerët si, Jonathan Suift, James Joyce, Jorge Luis Borges, Gabriel Garcia Márquez, David Foster Walles etj.

Në to lexon (dhe mëson) për filozofët budistë, për dijetarët e lashtë grekë, për perandorët romakë me origjinë ilire, për qytetërimin arab dhe për mjeshtërit bizantinë. Lexon, gjithashtu, për “kuptimin e pasvdekjes”, për “dialogët e të vdekurve” dhe për “pavdekësinë e kohës”; për “perënditë pa shqisa” dhe për “botën përtej shqisave”; për “vendbanime shpirtrash” dhe për “engjëj këmbëzbathur”; për “Zonjat e Shkodrës” dhe për “Tri Maritë”; për dashurinë dhe për “erotikën heretike”; për “Diellin e Austerlicit” dhe për “Yllin e Betlehemit”; për “kozmogoninë e ujit” dhe për “teologjinë si gjeografi”; për profecitë, për njerëz imagjinarë dhe për realitete të frikshme; për të bukurën dhe të pamundurën; për jetën, për vdekjen, si edhe për kufijtë e qenë dhe të paqenë mes tyre.

  • • •

Veprat e Moikomit janë, mbi gjithçka, të tilla, prej të cilave mëson shumë. Por leximi i librave të tij është një argëtim i vërtetë intelektual. Ky sidomos—Argëtimi Intelektual—në ditët tona, kur televizioni, interneti dhe mënyrat sedentare të informimit e të argëtimit e kanë bërë librin një ornament të rrallë në duart e rinisë, merr rëndësi të veçantë. Dhe, nëse të mësuarit dhe argëtimi shkojnë bashkë, si dy funksione që realizohen njëherësh nga leximi i një libri, kjo do të thotë se një libër i tillë është i mirë dhe i dobishëm.

Por aftësia për t’u argëtuar nuk është një aftësi e lindur, ajo është një aftësi e fituar. Askush nuk mund të argëtohet duke dëgjuar ose parë në skenë një opera nëse nuk është edukuar me atë zhanër muzikor. Jazzin e pëlqejnë dhe argëtohen me të vetëm ata që janë mësuar me këtë muzikë. Letërsinë e mirë po kështu. Madje edhe shumë sporte janë argëtuese vetëm për ata njerëz që janë mësuar me to.

  • • •

Librat e Moikomit janë të mirë dhe të dobishëm. Sot paradite, duke shkruar këto radhë, kisha mbi tryezën e punës një prejt librave të tij, një libër i  mrekullueshëm, Zodiac, botuar jo shumë kohë më parë nga Zephyr Press, në Masaçusets, SHBA.

Lexova sërish disa nga poezitë e tij në atë vëllim dhe kuptova pse përkthyesit e tyre, Anastas Kapurani dhe Ueijn Miller, morën përsipër punën e vështirë për përkthimin e këtij vëllimi në anglisht, në gjuhën që lexohet më shumë në të gjithë globin.

Kuptoj, gjithashtu, përse poeti i njohur ukraino-amerikan, Ilia Kaminski, i cilëson poezitë e Moikomit në këtë vëllim si një “kozmologji” më vete, i krahason ato me Komedinë hyjnore të Dantes, me Katër kuartetet e Eliotit (për këtë vepër ky autor u nderua me Çmimin Nobel), si dhe me Elegjitë e Duinos të Rilkes, ndërsa autorin e tyre, Moikomin, e konsideron si një ndër të rrallët poetë në kohën tonë që synojnë madhështinë.

Poezitë e këtij vëllimi janë në anglisht dhe në shqip dhe i japin mundësi kujtdo që t’i lexojë e të mrekullohet prej tyre. T’i lexojë e të rreket pas tyre në labirintet e thella të historisë, në kohë të shkuara e të ardhshme, në këtë botë dhe në botë të tjera, të vjetra e të reja, reale e të imagjinuara.

Është gjithnjë po ai Moikom që kemi njohur për dekada me radhë: poeti erudit—më erudit se të gjithë poetët tanë—arkeologu i thellësive të historisë e të shpirtit njerëzor, intelektuali publik i shqetësuar dhe i angazhuar. Por, me këtë vëllim elegant, tronditës e stimulues për mendimin, ai vjen, siç shkruan Kaminski, si një poet që është “vërtet i gjerë e kompleks” dhe që “me talentin e tij poetik, prej mitologjive e traditave të lashta flet me një zë të ri, që është njëherësh i bukur dhe i jashtëzakonshëm”.

  • • •

Poezitë e Moikomit kanë një gjuhë që reflekton jo vetëm thellësinë e një mendjeje që rrëmon në lashtësi, në qytetërimet e para të racës njerëzore, por edhe përmbajnë metafora të shumta që e bëjnë çdo varg një mendim më vete dhe çdo mendim një varg a një poezi të re. Përkthyesit e tyre duhet ta kenë pasur shumë të vështirë t’u jepnin mendimeve dhe fjalëve të Moikomit kuptimin, peshën, ngjyrën dhe tingullin e tyre të vërtetë, siç i gjejmë ato realisht në poezitë e tij—atë kuptim, atë peshë, ato ngjyra dhe ata tinguj që asnjë tjetër poet shqiptar nuk ka mundur të na i dëshmojë deri më sot.

Moikomi është një poet sui generis, pa të ngjashëm në racën e poetëve shqiptarë dhe unë mendoj se, kjo shoqëri post-teknologjike në të cilën jetojmë, e ka veçuar atë prej të gjithë atyre që, duke shkruar poezi që të ishin të pëlqyeshme për tregun letrar, kanë humbur kuptimin e vërtetë poezisë dhe, mbi të gjitha, trazinë e shpirtit krijues si antidot i babëzisë së tregut.

Moikomi, siç thotë Miller, është një poet “gjithnjë i mërguar”, pa të tjerë poetë rreth e qark tij, por, unë do të shtoja, paradoksalisht—dhe për meritën e tij—i rrethuar nga më shumë njerëz që e duan dhe e çmojnë më shumë se çdo poet tjetër që kam njohur deri më sot. Sepse, ndërsa si njeri, Moikomi është edhe poet, si poet, ai është, në radhë të parë, njeri.

Share This Article
3 Comments
  • Sa per kuriozitet, ky Prof. Fatos Tarifa ka gje lidhje me ate ish-Ambasadorin Fatos Tarifa qe e qeruan nga Amerika se e kapen me vjedhje?

  • Profesor Tarifa ! E pelqeva referatin tuaj , por per Mojkom Zeqon do te thosha se ja pelqej poezine , prandaj e quaj edhe fillozof te poezise .Pershendetje!
    Fatmiri

  • Uau. Fatosi per Qerozin, Qerozi per Fatosin, Xhufi per Pufin, Pufi per Xhufin, aman se na nxorret zoret e barkut. Po Karl Marksi cfare don ketu? Apo shok me Koizomin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *