Njihni 3 faktorët që i dëmtojnë rëndë veshkat

Pranvera Kola

Duhet të bëni kujdes në rastet kur vuani nga diabeti, keni vlera të larta dhe të pakontrolluara të tensionit arterial, si dhe keni persona të tjerë në familje që vuajnë me sëmundje të veshkave.

Pavarësisht moshës, çdo njeri mund të preket nga sëmundjet e veshkave. Megjithatë, disa individë janë më të rrezikuar se të tjerët për të zhvilluar sëmundje të veshkave.

Bluzat e bardha të Shërbimit të Nefrologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, konfirmojnë tre shkaqet, se kur ju mund të keni risk më të lartë për të zhvilluar sëmundje të veshkave, e që janë: “Rastet kur vuani nga diabeti, keni vlera të larta dhe të pakontrolluara të tensionit arterial, si dhe keni persona të tjerë në familje që vuajnë me sëmundje të veshkave”. Ndër shkaktarët më të shpeshtë të sëmundjeve konike të veshkave janë edhe infeksionet urinare të përsëritura, trajtimin e të cilave nuk duhet që ta lini pas dore në asnjë rast.

Diabeti shfaqet kur niveli i sheqerit në gjak është shumë i lartë dhe kjo shkakton dëmtime në shumë organe të trupit, si për shembull: në veshka dhe zemë, si edhe në enët e gjakut, sy dhe nerva. Në rastet kur presioni i gjakut nuk mbahet në vlerat e rekomanduara nga mjeku, atëherë ai mund të jetë shkaktar i infarktit të miokardit, ishemisë së trurit dhe ndërlikimeve kronike të veshkave.

Janë mjaft të njohura edhe rastet në të cilat vetë sëmundjet e veshkave bëhet shkak për vlera të larta të presionit arterial, apo hipertension.

“Shkaqe të tjera të sëmundjes kronike të veshkave mund të jenë edhe formimi i gurëve në veshka dhe bllokimi prej tyre i rrugëve urinare, dëmtimet e lindura të rrugëve urinare, siç mund të jetë kthimi i urinës mbrapsht lart në veshka, lupusi dhe sëmundje të tjera të sistemit imun, sëmundje të trashëguara, glomerulonefritet, një grup sëmundjes që shkaktojnë inflamacion dhe dëmtim të nefroneve të veshkës”, vënë në dukje bluzat e bardha të QSUT-së.

Trajtimi i sëmundjeve kronike të veshkave në pjesën dërrmuese të rasteve është i vështirë, për shkak se pacientët i identifikojnë problemet në stade shumë të rënduara. Kjo ndodh si shkak i mungesës së shenjave të dukshme klinike që në fillimet e sëmundjes.

Duhet të dyshoni për sëmundje të veshkave nëse keni:

  • Dobësi.
  • Mungesë përqendrimi.
  • Mungesë oreksi.
  • Pagjumësi.
  • Ngërçe gjatë natës.
  • Ënjtje të këmbëve dhe përreth syve sidomos në mëngjes.
  • Tharje të lëkurës dhe kruarje.
  • Urinim të shpeshtë dhe sidomos gjatë natës.
  • Etje për ujë.                       p.k/dita 
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *