“….a thue m’kto vorre sod ndo ‘i kunorë Atdheu ka per t’u a çuem
Si peng çmimit e bindijet e nderjet
Per shka ata psuene per Liri t’bekueme?”
Gjergj Fishta
Shqiptarët kremtojnë përvjetorët e Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 10 qershor 2013, si edhe më 25 maj ditëlindjen e Naim Frashërit, poetit tonë të dashur. Këto ngjarje dhe mbresat nga vizita në Shtëpinë Muze të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më nxitën të bëj pyetjen: Si dhe sa i kemi zbatuar në këta 135 vjet mësimet e rilindave, në ballë të të cilëvë qëndronin vëllezërit Frashëri Abdyli, Naimi dhe Samiu? Sa e kemi jusitifikuar deri më sot gjakun dhe djersën e shqiptarëve të derdhur në shekuj për liri e pavarësi dhe përparim?
Në atë shtëpi muze, e cila gjatë luftës në Kosovë u dogj, “çuditërisht” ndër të parat, por që kosovarët e rindërtuan atë të parën godinë, janë ekspozuar shumë fotografi të kohës dhe dokumente, dy prej të cilave më bënë shumë përshtypje: Fotografia e krerëve të Lidhjes dhe një poster me strukturën e shtetit demokratik që i duhet Shqipërisë për të qënë e lirë dhe e pavarur.
ORGANIZIMI I SHTETIT SHQIPTAR SIPAS PLATFORMËS SË LIDHJES SHQPTARE TË PRIZRENIT
KĒSHILLI QENDROR I PĒRGJITHSHĒM
Prokuroria e Pērgjithēshme Gjykata e Lartē
Komiteti Kombetar (Qeveria)
Dikasteri i Dikasteri i Dikasteri i Kēshilli i sanxhakēve,
Punes Botore Financave Mbrojtjes i kazave dhe nahijeve
Abdyl Frashëri ishte atdhetari, politikani, diplomati, organizatori më i shquar i Rilindjes Shqiptare në shekullin e 19-të. Qëndroi në ballë dhe i priu luftës për pavarësi dhe tërësinë e trojeve shqiptare. Abdyli na mësoi ne shqiptarëve dhe u tregoi të huajve se “Shqipëria meriton pavarësinë më tëpër se asnjë kombësi tjetër e Ballkanit dhe ne shpresojmë se ajo do ta tregojë veten më të denjë për të gëzuar respektin e Evropës dhe më të aftë për të qeverisur vetveten”.
Ai dallua si personalitet politik atdhetar që iu kundërvu rrezikut të copëtimit të trojeve shqiptare dhe synimeve dhe veprimtarisë së fqinjëve të Shqipërisë. Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës dhe i Komitetit Qëndror të Stambollit për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, Abdyl Frashëri përpiloi projekt deklaratën për pavarësinë e Shqipërisë dhe ishte njëri ndër autorët kryesorë të platformës politike, të
cilën e publikoi gjatë pranverës së vitit 1878 nëpërmjet organeve të ndryshme të shtypit europian.
Si atdhetar i aksionit, në periudhën 1878-1881, veprimtaria kryesore e Abdyl Frashërit ishte drejtuar në organizimin dhe aktivitetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lidhja, pas formimit në 10 qershor të vitit 1878 në Prizren, adaptoi platformën e përgatitur nga Abdyli, i cili me këtë prezantoi vehten si drejtues i Lidhjes, së toku me Ymer Prizrenin, Sulejman Vokshin, Vaso Pashën, etj. Asambleja e Lidhjes e zgjodhi kryetar të Komitetit të Punëve të Jashtme. Abdyl Frashëshëri kryesoi delegacionin shqiptar të Lidhjes së Prizrenit për ti parashtruar Kongresit të Berlinit, më 13 qershor 1878, kërkesën për të drejtat e Shqipërisë. Me qenëse atje çështja shqiptare atje nuk gjeti përkrahje, ai në 1879 udhëtoi në kryeqytetet kryesore të fuqive të mëdha për të mbrojtur integritetin e tokave të Shqipërisë, dhe të drejtat e shqiptarëve.
Abdyl Frashëri drejtoi ose mori pjesë në disa kuvende , si në Kuvendin e Janinës (24 korrik 1878), në Asamblenë e parë të Dibrës (1 nëntor 1878), Kuvendin e dytë të Frashërit (qershor 1880), Asamblenë Kombëtare të Gjirokastrës (23 korrik 1880) etj., ku foli për vendimin lidhur me krijimin e shtetit shqiptar autonom, duke përkrahur luftën e armatosur të shqiptarëve dhe punoi për projektin e krijimit të një qeverie të përkohshme shqiptare. Ai ishtë anëtar i qeverisë ad interim që u formua në Prizren në fillimin e vitit 1881, duke dhënë një kontribut të madh për përgatitjet politike dhe ushtarake për të mbrojtur autonominë kundër ekspeditave ushtarake otomane.
Pas shtypjes së Lidhjes, u denua me vdekje nga gjykata ormane, dënim i kthyer në burgim të përjetshem. Bëri 3 vjet burg (1882-1885) dhe u lirua për arsye shëndetësore, me kusht që të mos merrej me veprimtari politike. Por Abdyl Frashëri vijoi rrugën e vet të luftës dhe përpjekjeve për bërjen e Shipërisë. Më 25 shtator 1888, i drejtoi një memorandum kryeministrit të Italisë Francesko Kripsit, ku midis të tjerave i shkroi “….Populli shqiptar është i vetmi komb që ka zhvilluar prej kohësh një rezistencë energjike kundër pushtuesve turq. Kjo rezistencë heroike ka vazhduar deri në ditët tona. Nëse shqiptarët, për hir të karakterit të tyre krenar e luftarak, nuk e kanë lënë veten të nënshtrohen aq ultësisht …., janë ata që e kanë ndjerë më tepër peshën e zgjedhës së huaj dhe janë ata që kanë vuajtur më shumë si pasojë e kryengritjeve të pandërprera që kanë qenë të detyruar të zhvillonin për të fituar pavarësinë e tyre…Si rrjedhim, Shqipëria meriton pavarësinë më tëpër se asnjë kombësi tjetër e Ballkanit ….”.
Abdyl Frashëri vdiq 23 tetor1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978, në 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Heroit, populli i thuri këngën:
“Të lutem moj baltë e varrit/ mos i rëndo mëmëdhetarit/ po bëji ndere shqiptarit./ Abdyl beu ngreu nga varri,/shtiri sytë nga perëndimi/ të shohësh Adriatiknë/ që u bë i Shqipërisë./ Sse ti luftove dhe punove deri sa vdiqe!”
ndërsa populli i Himarës i këndoi:
“Abdyl prishe pasurinë,/ një barrë flori./ Hype vaporit e shkove,/ Vajte në Berlin ,/ Vajte te Bismarku brenda,/ ndenje në skamni./ Dhe Bismarku të pëjeti:/ “Djalë, nga je ti?”/ “Unë jam nga Shqipëria,/ Abdyl Frashëri,/ i rritur në ato male/ Me libra në gji./ Mos e bëni pjesë-pjesë,/ sikur s’ka njeri./ S’jemi grek’ as bullgarë/ as nga Mali Zi,/ Jemi vetëm shqiptarë/ dhe duam liri./ Do luftojmë që të gjithë/ sa të vritemi”.
Në këto përpjekje dhe luftë të shqiparëve, përkrah vëllai të tij të madh u rrjeshtua edhe Naimi. Në vjershën e tij “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve” ai u drejtua shqiparëve:
“O djemt’ e Mëmëdheut, o trima atdhetarë,/ të ditur, të dëgjuar u burra luftëtarë,/ sikundër të bashkuar, që ndodheshim të tërë,/ të besësë për kombin e miq për jetë bërë/ lispet dhe sot të jemi, si kemi qem’ një herë/ të lidhur, të bashkuar, vëllezër kurdoherë”.
dhe hodhi kushtrimin: Liria duhet fituar me çdo kusht dhe me çdo sakrificë.
Dashurinë për atdheun e këndoi shqip në poemën e tij “Bagëti e Bujqësi”:
“Ti, Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin Shqipëtar
Zemrënë ti ma gatove plot dëshirë dhe me zjarr”
dhe u mësoi shqiptarëve në “Historia e Skënderbeut”: “hapni sytë dhe punoni,/ të gjithë për Shqipërinë,/ tjetërë gjë mos kërkoni/ ajo sjell mirësinë”, si dhe në Fjalëtë e të Urtët :
“Njeriu po s’deshi kombin e tija/ E mëmëdhënë,/ Nuk ka pjesë nga njerëzia/ S’do as vethenë”/
Naim Frasheri na mesoi edhe se pjesë e cilës botë jemi ne shqiptarët, kur shkruan:
/Nga gjithë ç’kemi kënduar/ Për të njohur vetëhenë/ Kaqë gjë kemi mësuarë/ Të nderojmë mëmëdhenë/…./ Jak’ o ditë e bekuar/ Që lind nga perëndon!/ At’an’ e ke ndriçuar / E ne pse na harron?
Ne sot flasim në gjuhën shqip të bukur të Naimit.
Prandaj, i pikëlluar kur vdiq Naimi, shkroi poeti i madh i Lunxherisë, Andon Zako Çajupi:
“Vdiq Naimi! Vdiq Naimi!/ Moj e mjera Shqipëri/ Mëndeje-larti, zemër-trimi/ Vjershëtori si ai!”
Naimi ishte flamurtar i rilindjes shqiptare, është për ne ç’ka është Gëte për gjermanët, Shekspiri për anglezët dhe Viktor Hygo për francezët. Ai ai u futi shqiptarëve shpirtin e zgjimit, u frymëzoi atyre idealin kombëtar dhe dashurinë për atdheun, ka shkrojtur Syrja bej Vlora (AQSh, Fondi 56, dosja 8, 1909).
Kurse At Gjergj Fishta, me aq dashuri shkroi në vjershën “Gjuha shqype”: “Porsi kanga e zogut t’verës,/qi vallzon n’blerim të prillit;/porsi i ambli fllad i erës,/qi lmon gjijt e drandofillit;/porsi vala e bregut t’detit,/porsi gjama e rrfés zhgjetare,/porsi ushtima e nji tërmetit,/ngjashtu a gjuha e jonë shqyptare”.
Në një rradhë më ta, në ballë të luftës për çështjen shqiptare dhe pavarësinë e Shqipërisë, qëndronte edhe vëllai më i vogël i tyre Samiu. Ai botoi më 1899 manifestin politik e ideologjik të Rilindjes “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”, i cili përgjithësoi rezultatet e luftës dhe përpjekjeve të shqiptarëve në atë fund shekullli të 19-të dhe ndriçoi rrugën nëpër të cilën duhet ecur. Me këtë libër, Sami Frashëri synon që të ndërgjegjësojë shqiptarët por edhe të huajt se “Ne jemi m’i vjetri komp i Evropësë. Kemi të drejtë në dhet’ t’ Evropësë më tepër se çdo komp. Këtë të drejtë të shënjtëruarë shqiptarët janë të zottë të ruajnë e ta kërkojnë edhe me armë në dorë”. Ai u tregoi se “Shqiptarët flasin një nga më të vjetrat’ e më të bukura gjuhë të dheut”…dhe “Shënjë e kombësisë është gjuha; çdo komp mbahetë me gjuhët”. Ai u tregon shqiptarëve gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodheshin si pasojë e pushtimit osman, kur shkruan “ Shqiptarët janë robër të poshtuar e t’unjurë, të shkelur të çpërnderë”. Prandaj ai u tregoi shqiptarëve rrugën e shpëtimit: “..duhet të jenë të zottë të ruajnë vetë më hetëhe vendin e tyre e të mos varenë më Tyrqinë, e cia s’është e zonja për vetëhe të saj”, të cilën ai e quante “të vdekur” që duhet varrosur sa më parë. Shqiptarët nuk duhet të qëndronin më të lidhur me Perandorinë Osmane se “është vdekje e Shqipërisë” dhe se Shqiparia do të groposej nën gërmadhat e asaj perandorie. Krahas kësaj ai u tregoi shqiptarëve edhe rrezikun nga fqinjët lakmimtarë, “Kombetë që kanë rrethuar Shqipërinë duan ta copëtojnë e ta ndajnë në mes tyre”. Samiu i vlerëson si rrezik të madh edhe përçarja dhe grindjet midis vehtes, si rrjedhojë e përçarjes fetare dhe padijes. Samiu thekson me të madhe se “Shpëtimi a humbja e Shqipërisë është dë dorë të shqiptarëve”. Ai u tregon se “Shqiptarët duhet ti marrin ato që duan me pahir, t’i kërkojnë me fjalë port ë kenë edhe pushkën plot…”(faqe 69).
Pasi analizon gjendjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, në këtë manifest, Sami Frashëri parashtron të argumentuar platformën që duhej venë në jetë nga shqiptarët për ndërtimin e një shteti të pavarur e të përparuar, pas çlirimit nga zgjedha osmane dhe mbrojtjes së tërësisë së vendit. Ai tregoi se Shqipërisë i duhej një shtet modern dhe jo një sulltanat: “Po ç’i duhetë Shqipërisë një njeri në krye të qeverisë? Një mbret a pric do të prishë më shumë se s’ia ka fuqinë vëndi ynë, do të na prishë edhe vëtiatë tona duke marrë ca nga na nënë sqetullë e duke ftohur të tjerët” (faqe 70). Ai shkroi “Në ka gjën, për të cilët shqiptarët duhet të kujdesen me të teprë, ajo pa dyshim është diturija” dhe përcaktoi rrugët për këtë, nga shkollat fillore deri në universitetet dhe akadminë. Po me kaqë përkushtim përcaktoi edhe organizimin e shtetit, institucionet e tij, ushtërinë, kufinjtë e vendit, si edhe “punërat e përgjithëshme” qe duhen bërë: rrugët, hekurudhat, portet, sistemimi i lumenjve dhe tharja e kënetave, nxjerrjen e mineraleve, pyjet dhe bujqësinë. Dhe pas tyre bën thirrjen: “O burra-ni, o shqiptarë! Zihuni me të dy duart në besët, në lidhje e në bashkimt, se kjo do t’ju shpëtonjë. Jo po në mos init ë humburë. Mos vështroni bes e fe: myslimanë, katolikë, orthodhoksë, gjithë shqiptarëtë, sa janë e tek janë, janë vëllezër. Gjithë duhet të bashkohenë nënë flamurin e shënjtëruar të Shqipërisë”.
Është lapidar thënia e tij: “Bashkimi bën të mundëshme gjërat e pamundëshme, përçarja bën të pamundëshme edhe gjërat e mundëshme”.
Dhe, që nga shekulli i robërisë së rëndë, na la amanet dhe na porositi Samiu i Madh, që me aqë madhështi kanë qënë renditur në hyrje të Shtëpisë Muzë të Vëllezërve Frashëri, në Frashër, por që sot për fat të keq i kanë hequr :
– Jemi shqiptarë dhe jo turq e kaurë,
– Fetë i përçajnë kombet,
– Shqiptarët të gjithë duhet të duan njëri tetri, të kenë vëllazërinë në mest,
– Shqipëria është një dhe e pandarë,
– Duhet të jemi të bashkuar. Bashkimi duhet të futet në gjakun e sejcilit,
– S’ka në jetë më i lik njeri se tradhëtari i kombit dhe i mëmëdheut,
– M’i dashur se kombi, m’i dhëmshur se mëmëdheu, m’i ëmbël se gjuha e tij s’ka gjë tjetër për njeriun,
– Një njeri sa do të mira të ketë për veten e tij s’mund të jetë faqebardhë, do të ketë kombin dhe mëmëdheun e vet fatzi,
– Të hiqet Turqia dhe të vijë një sundues tjetër, është sikur një shtazë të ndërojë samarin dhe jo lirinë.
Mbrojtja e tërësië së trojeve shqiptare ishte në qendër të vëmendjes të gjithë rilindasve. At Gjergj Fishta tregoi: “Gjall Lirin’ na nuk e lshojmë/S’njohim mbret as krajl të huej./Zoti n’qiell e na mbi tokë:/Me gjithkënd vllazen e shokë,/Por se i cili m’cak të vet./” dhe në poemën “Lahuta e Malësisë”: bëri thirrjen “Për Shipni t’mos u dhimet jeta./Ma mirë dekë nën dhe me u kja/Se me marre gjallë mbi dhe/Për dhe t’vet kush dekë ka ra/Ai s’ka vdekun, por ka le./”. Ai ka luftuar edhe për një shtet të së drejtës, kur në vitin 1902, në vjershën “Momi” tregoi se: “M’ kambe kryekungujt prej si u vune,/Duel padija n’ krye te vendit;/Njerzt e kenun u poshtnuene,/Mbeten t’urtit jashte kuvendit.” Dhe në vjershën “Korrupsioni”: “Qi të mjerës moj Shqypni/Kthellë hi i keni në mushkni,/Pa dhimbë gjakun tuj ia pi,/”.
Po pse i rendita mesimet e Rilindasve, vetëm për ti kujtuar e nderuar? Jo, por për të analizuar ç’kemi bërë këto njëqind vjet pas shpalljes së pavarësisë, ç’po bëjmë sot dhe ku na shpie rruga e nisur.
Nuk ka nevojë për shumë komente që të argumentohet së në këtë shek ull pas shpalljes së pavarësisë, ne jo vetëm që nuk zbatuam porositë kryesore të gjithë Rilindasve por kemi ecur edhe në të kundërt:
Po pse i rendita mesimet e Rilindasve, vetëm për ti kujtuar e nderuar? Jo, por për të analizuar ç’kemi bërë këto njëqind vjet pas shpalljes së pavarësisë, ç’po bëjmë sot dhe ku na shpie rruga e nisur.
Nuk ka nevojë për shumë komente që të argumentohet së në këtë shek ull pas shpalljes së pavarësisë, ne jo vetëm që nuk zbatuam porositë kryesore të gjithë Rilindasve por kemi ecur edhe në të kundërt:
Nuk patëm një shtet ligjor në shekullin që kaloi, dhe nuk e kemi edhe sot. Shteti shqiptar ka qënë një mbretëri, pastaj një diktaturë partiake dhe asnjëherë nuk ka qënë zbatuar skema për qeverisjen e vendit, të paraqitur qysh në Lidhjen e Prizrenit me rolin vendimtar të parlamentit të zgjedhur nga sovrani dhe me institucione shteterore të pavarura dhe të kontrollueshme. Gjendja e një shteti të tillë detyruan shqiptarin të braktisë atdheun e vet në përmasa biblike, duke filluar me 5.200 shqiptarët që thyen muret e ambasadave më 2 korrik 1990 për të ikur nga sytë këmbët. Ky eksod u pasua nga ai i gushtit 1991, ku shqiptaret mbushen vaporët e gomonet dhe i ranë detit tej e për tej, kaluan shtigjet nëpër hone në malet me dëborë. Dhe ikja vazhdon edhe sot e kësaj dite. Sot ka mbi 1.5 milon shqiptarë në emigracion dhe këta janë pjesa më e gjallë dhe më e kualifikuar e kombit. U rritën fëmijët jetimë dhe punojnë argatë në dyert e botës. Pleqtë po mbyllin sytë në vetmi.
Klasa politike gjatë këtij njëqind vjetori e ka hedhur poshtë mësimin e Abdylit: “Do të vijë dita kur Europa do të bindet se shqiptarët i shërbejnë çështjes së njerëzimit dhe të qytetërimit më mire se çdo popull tjetër i lindjes…….Shqipëria meriton pavarësinë më tepër se ansnjë kombësi tjetër e Ballkanit dhe ne shpresojmë se ajo do ta tregojë veten më të denjë për të gëzuar respektin e Evropës dhe më të aftë për të qeverisur vetveten”. Nuk u bëmë të denjë për të gëzuar respektin e Europës. Mbetëm të fundit në Ballkan për tu bashkuar me Europën. Dhe, siç thotë populli, bathët tregojnë se janë larg pashkët.Ikën nga sytë këmbët, nëpër detin Adriatik dhe rrëpirat e thepisura të maleve të Pindit.
Kemi hedhur poshtë porositë e Samiut: “Duhet të jemi të bashkuar. Bashkimi duhet të futet në gjakun e sejcilit. Fetë i përçajnë kombet dhe Shqiptarët të gjithë duhet të duan njëri tetri, të kenë vëllazërinë në mest. ..Bashkimi bën të mundëshme gjërat e pamundëshme, përçarja bën të pamundëshme edhe gjërat e mundëshme”. Sot jemi ndarë në dhjetra e dhjetra parti armike më njëra tjetrën aq sa paraqiten 66 parti për zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Jemi ndarë jo vetëm në tre fe, por edhe në më shumë sekte fetare se sa gishtat e duarve, në veriorë dhe jugorë, etj. etj. Ka gjetur zbatim parulla “përça dhe sundo”. Në ndryshim nga bota e përparuar është kthyer në sistem çiflikëzimi i partive politike, dukuri e pa pranueshme për demokracinë. Është bërë e modës, për çdo prekje të interesit personal të krijohet një partiçkë e re. Ehe partitë janë ndërtuar me stilin e sulltanatit, ku ligjin e bën kryetari i përjetshëm, ku militantët shndërrohen në sejmenë, ku ligji “qepet” si xhaketë- “të më rrijë mire mua!”.
S’po na pëlqenka më gjuha shqipe, gjuhës që Naimi i këndoi “Pa shihni ç’gjuhë e mirë!/Sa shije ka e hije/ç’e bukur’ dhe e dlirë,/si gjuhë perëndie/. Dhe broçkullisin sot politikanë e shtetarë, madje edhe akademikë, fjalime boshe me më shumë fjalë të huaja, të cilave nuk u dinë as kuptimin, se sa me fjalë shqip. Shikoni dhe dëgjoni emisione televizive të stacioneve me emra jo shqip, lexoni gazetat madje dhe librat shkollorë dhe do te gjeni se edhe edhe për “pamjen e fytyrës” përdorin fjalën “luk”, që nuk përdorin fjalën e bukur shqip “zgjimi”, që përdorin “show” në vend të fjalës shqip “shfaqje”, “kurrikula” në vend të “plane mësimore” etj., etj. Shikoni emërat e lokaleve dhe reklamat e tyre në rrugët e qyteteve. Nëpër rrugët e Shqipërisë, madje edhe në murret e shkollave, gjen të shkrojtur thirrjen “Jeta osh qejf”. Nëse nuk janë dell budallallëku, janë ligësi, për të zhbërë gjuhën shqipe. I madhi Filip Shiroka, qysh më 1898 “Si po prishet gjuha shqype? shkroi me dhëmshuri, në vjershën ”: Çojmë n’dhe t’huej djalin m’u msue,/kombin tonë m’e përparue,/dhen tonë m’e nderuemun;/rri n’shkollë djali pesë – gjashtë vjet,/kur vjen n’Shkodër, shqyp nuk flet,/Shqypen ka harruemun!!!!/kur flet shqyp, asht çud m’e ndi/Gjys-për-gjys tue e përzi/.me fjalt t’gjuhve t’hueja!.E kshtu gjuha po shëmtohet,/dhe kshtu kombi po mjerohet/.
Dhe pa gjuhë nuk ka komb. Prandaj edhe shpata e aradhës së antishiptarizmit ka rënë sot mbi gjuhën standard shqipe.
Ne u karakterizuam këta njëzet vjetët e të ashtuquajturit “tranzicion” në vetshkatërruesit më të mëdhenj të vendit, në të gjithë historinë e Shqipërisë. Nën thirrjen “terapia e shokut”, prishëm në rrënjë industrinë e ngritur me djersën dhe gjakun e shqiptarëve, mbyllem minierat dhe ato që janë hapur shfrytëzohen barbarisht nga të huajt, shkatërruam sistemet e ujitjes dhe të kullimit të tokave bujqësore dhe sot përmbytemi, shkatërruam pyjet dhe shkaktuam një erosion të parapë, shkatërruam bregdetin më betonim,si edhe nga llumrat e shplara nga erozioni, qe lumenjtë shkarkojnë në det, shfrytëzojmë hidrocentralet por nuk studiojmë mbushjen e tyre me llumra që sjellin lumenjtë në liqenet e tyre, duke lënë në panjohje kapacitetin energjetik të tyre, shkatërruam sistemin arsimor me të ashtuquajturat tekste alternative të zgjedhura nga mësuesi dhe kompanitë e Sudeve i zëvendësuam me universitete private, më një numur të paparë në asnjë vend të botës mbarë, që janë kioska diplomash për të gënjyer rininë, universitet pulike janë lenë në gjendje të mjeruar për kërkimet shkencore, botimin e librave e praktikat e nevojshme ne terren, duke u hequr atyre bazën e dallimit nga shkolla e mesme. Institutet shkencore në përgjithësi janë mbyllur, madje edhe ata nga më kryesorët si Instituti Gjeologjik i Naftës dhe i Gazit, Instituti i Tokave, Intituti i Studimeve dhe Projektimeve Hidroteknike etj., etj. Edhe Akademia e Shkencave është kthyer në një institucion honorifik, pa asnjë institut shkencor. Kantieret e naftës shfrytëzohen gjithashtu nga të huajt dhe si edhe minirat e xeherorëve. Për naftën dhe xeherorët nuk jepen të dhëna se sa nxirret dhe sa përfiton shteti shqiptar nga ato, sa punëtorë kanë qënë të punësuar dhe sa punojnë sot në ato industri. Në librin e tij “Probleme shqiptare” (tetor 1943), Mehdi Frashëri ka shkruar: “Të gjeturit e karburanteve, si në kohën e paqes ashtu edhe në kohën e luftës, ka marrë rëndësi kaqë të mdhe sa lot një rol kryesor në politikën e jashtëme të shteteve. Për këto arësye karburantat në shumicën e madhe të shteteve kanë qënë sende monopoli. Më nj’anë për ti dhënë të ardhura të mjaftueshme arkës së shtetit, më anë tjetër, për ti pasë nën kontroll; Çdo masë monopolizimi i karburanteve në duart e huaja, është një vetë-vrasje, se në rast nevoje shteti i mungon faktori kryesor i çdo lëvizje”.
Këto rrënime, si edhe parulla “drejt Tiranës dhe Durrësit për një jetë më të mirë” sollën edhe ndryshime thellbësore në strukturën e popullsisë. Është e drejtë e ligjëshme dhe dëshirë e justifikuar që njerëzit të shkojnë atje ku sigurojnë një jetë më të mirë dhe më të begatë. Por në mbarë botën, këto migrime të popullsisë janë bërë në përgjigje të domosdoshmërisë për për të plotësuar kërkesat për vende të lira pune: U ngrit industria, kërkoi krahë pune, u ndërtuan edhe qytetet mbi dhjetë milionë banorë. Madje edhe në Shqipëri ka qenë zbatuar kjo përvojë. U ndërtua kombinati i tekstilit në Tiranë, u ngrit edhe lagja e Kombinatit ku banonin punonjësit e tij. U ngrit uzina e superfosfaqit, u ndërtua edhe qyteti i ri i Laçit, e kështu Bulqiza e Memaliaj, Prenjasi, u zmadhuan dhe u bënë qytete të mëdha Fieri, Elbasani, etj., etj.
Në vitet e tranzicionit, Tirana nga 244.000 banorë që kishte në vitin 1990 ka arritur në 830.000 banorë, me një dendësi 14.746 banorë/km2 në qytet dhe 10.533 në rreth , pa patur objektet prodhuese ku të punonin njerëzit dhe të fitonin për të rrojtur më mirë. Ky migracion brenda vendit ndryshoi rrënjësisht hartën e strukturës së popullsisë sipas densitetit të banorëve së Shqipërisë. Shumica e rretheve kufitare, edhe disa nga të Shqipërisë veriore dhe jugure janë pothuajse përgjysmnuar nga dendësia e banorëve për kilometër katror, duke arritur si në Leskovik me një dendësi 1,8 banorë në një kilometër katror. Përshembull, vetëm për nje vit, Malësia e Madhe në veri të Shkodrës më 2003 kishte dendësi 51-100 banorë/km2 më 2004 kishte 41,2 banorë/km2, rrethi i Pukës nga 21-50 banorë/km2 në 32,88 banorë/km2, rrethi Përmetit nga 21-50 banorë/km2 në 27,98 banorë/km2 në 2004, etj. Tashmë janë me dhjetra fshatra të rënuara, që kanë qenë të bukura e të begata, të cilat kthyera në fshatra fantazëm, ku heqin keq vetëm disa pleq. Kjo dukuri solli edhe rritjen e papunësisë në vend, pakësimin drastik të tokës së bukës, pamundësinë e zhvillimit të tregëtisë ndërkufitare, nuk mirembahen masive pyjore, toka e bukës etj, etj. Ndërtimet e bëra janë pa asnjë plan urbanizues, që të krijojë kushtet për një jetë të qytetëruar, të një qyteti europian ku duam të bashkohemi. Godinat janë bërë vend e pa vend, pa studime inxhinierike dhe sot shkatërrohen nga rrëshqitjet dhe erozioni. Dhe është për të ardhur keq, se në fushatën parazgjedhore, nga të gjitha partitë bëhen premtime për hapjen e vendeve të punës, por asnjëra nuk ka treguar konkretisht, me emer, se çfarë do të ndërtojë dhe afatet, ku do ti ndërtojë dhe sa vende pune hapen për sejcilin objekt, në mënyrë që këto premtime të jenë bindëse, të përgjegjëshme dhe jo propagandë boshe.
Kjo analizë më krijon mundësinë të kuptoj edhe një dukuri tjetër: Për fat të keq, mësimet e Rilindasve gjithënjë e më pak po kujtohen sot, përfshirë edhe ato të Vëllezërve Frashëri, që u analizuan më lart. Kjo, sepse ç’bëhet sot bien ndesh me porositë e tyre. Eshtë kjo arsyeja pse gjatë këtyre 22 vjetëve të tranzicionit nuk ka shkelur në Frashër asnjë ministër kulture për të marrë pjësë në veprimtaritë e përvitshme atdhetare-kulturore dhe shkencore që zhvillohen atje. Organet kompetente hoqën edhe rojën e Shtëpisë Muze të Vëllezërve Frashëri, duke e lënë atë pa mbrojtje si shumë monumente kulture të tjera, përfshirë edhe shtëpinë muze te At Gergj Fishtës, e cila nëpërgjithësi nuk është ngritur, e Vaso Pashës etj. U gjetën fonde për mijëra kilometra rrugë nëpër Shqipëri, por nuk u kujtua Ministria e Kulturës dhe jo vetëm ajo, të rregullonte 20 km e rrugës së Frashërit. Tani janë ringritur edhe zëra: meqë në Frashër dhe fshatrat e tjera të Dangëllisë na shumë pak banorë, të shkrihet Komuna e Frashërit, Komuna që duhet të ruhet si monument historik, sepse është Komunë shqiptare qysh nga koha e Perandorisë Osmane në shekullin e 19-të. Ti harrohet emri i Frashërit e së toku me të edhe i Vëllezërve Frashëri dhe mësimet e tyre për Shqipërinë, duan disa. Këtë deshën edhe andarët grekë me 6 maj 1914 kur dogjën 318 shtëpi në Frashër (Selenica T., fondi 662, d.38, AQSh). Dhe kjo nuk është vetëm tronditëse, është vrasja e atdheut!
Me 25 maj 2013, në përkujtim të 167 vjetorit të ditlindjes së Naimit, bëmë homazh në Frashër për të nderuar vepren atdhetare të Abdylit, Naimit dhe Sami Frashërit dhe Rilindasve të tjerë. Shoqata Atdhetare Kulturore “Vëllezerit Frashëri” organizoi veprimtarine kulturore dhe konferencën shkencore “Kontributi madhor i Vëllezërve Frashëri në krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”. Ne vajtëm në Frashër dhe nderuam vehten! E kemi për nder dhe jo vetëm detyrë të nderojmë Rilindasit e mëdhenj Abdylin, Naimin dhe Samiun! Për fat të keq, edhe këtë vit, Ministria e Kulturës nuk ju përgjigj ftesës, si edhe gjatë dhjetë viteve të fundit.
![]() |




Nje gabim duhet te korrigjohet,kur thuhet se,FETE PERCAJNE KOMBET??
Kjo nuk esht e vertete!!
A nuk eshte Malta e perzier me FE!!
Perse qendrojn te bashkuar e jo te percare!
A nuk jane Amerikanet te perziere ne Fe!
Te kesh shendet te plote ne mbarvajtjen e nje kombi,duhen standarte,qe i bejn qytetaret te vetdijshem dhe kuptim plote,se nuk luftohet per pushtet ashtu sic kan vepruar deri me sot,duke luajtur me karten e nacionalizmit kryesisht atij Fetar ne gjith shqiptarine,sidomos ata te besimit Oriental!
Feja tek Shqiptaret duhet te meret si e dores se dyte,por jo si nje vendim per percaktim te liderve politike qe percaktojne politikat rajonale!
Te jetosh ne mes te kultures kristjane,nuk ka se si mos mesosh shum nga keto tradita kulturore,ashtu sic ka mesuar edhe Vllezeria Frasheri,qe edhe pse te nje besimi tjeter fetar i kan dhene prioritet lirise se nje populli,jo shtypjes,diskriminimit pushtimit si pjes e popujve te civilizuar dhe jo grabitjes shfrytezimit per egon e Sulltanve te barbarizmit ndaj popujve qe nuk u kan rembyer lirin askujt!
Ky shkrim eshte nje essè qe e thurur nga mendja e profesorit dhe mikut tone te dashur, Alfred Frasheri, na jep drite per te kuptuar raportin tone me Rilindjen Kombetare dhe me urtesine e pafund te eterve te saj. Me nje vertetesi thuajse dramatike, profesori ballafaqon mediokritetin e klases politike te kohes sone me idete e ndritura te rilindasve te shquar. Duket qarte nevoja per te patur nje udherrefyes ne udhen kah demokracia e qe kjo udhe nuk mund te jete tjeter veçse ai gjerdan idesh e mesimesh qe Rilindja i solli universit shqiptar. Urimet me te mira mikut tone, profesorit Alfred Frasheri. Te gezoje sa me shume e me gjate Mariken, femijet e niperit e tij.