QSUT, pezullohen operacionet e planifikuara për ti rinisur në shtator

anazapta

Temperaturat e larta shtyjnë për në shtator operacionet e planifikuara. Vështirësia e furnizimit me gjak, rreziku i prekjes nga infeksionet e natyrave të ndryshme që gjatë ditëve të nxehta janë më të shpeshta, si dhe pushimet e mjekëve, janë arsyet e ndërprerjes së operacioneve të planifikuara. Megjithatë, marrja e këtij vendimi nuk do të ketë vlerë për rastet e urgjencës. Shefi i shërbimit të Kirurgjisë në QSUT, Ylli Ziçishti konfirmon se sallat operatore do të jenë në çdo moment të hapura për rastet e urgjencës apo sëmundjet e rënda, të cilat mund të vënë në rrezik jetën e pacientit. Në këto kushte, gjatë ditëve të nxehta të korrikut dhe gushtit do t’u nënshtrohen ndërhyrjeve vetëm ata pacientë që kanë urgjentisht nevojë, siç mund të jenë të aksidentuarit, të sëmurët me tumore, apo komplikacione të tjera të rënduara, për të cilat nuk mund të planifikohet në një tjetër kohë zhvillimi i ndërhyrjes për të mos vënë në rrezik shëndetin e pacientit. Ndërsa pacientët e tjerë do të duhet të presin vjeshtën për të kryer operacionet e planifikuara.

Më tej Zeçishti konfirmon se tashmë janë marrë të gjitha masat në shërbimin që ai drejton për mos pasur neglizhenca, apo incidentet gjatë sezonit të verës. “Një tiroide pret dhe mund të bëhet më vonë. Këto ndërhyrje nuk këshillohen gjatë verës pasi qafa, djersit dhe nuk e përballon. Po ashtu ka edhe shumë operacione të tjera si ato plastike, apo të natyrave të tjera që nuk kanë pse të bëhen tani në kushtet e vapës. Ndërsa operacionet urgjente siç janë tumoret, gurët në tëmth (në rastet kur pacienti ka shumë dhimbje), traumat që vijnë nga rruga, apandesitet, apo përdredhjet e zorrëve, të cilat klasifikohen si urgjenca do të bëhen. Vetë njerëzit duhet të ndërgjegjësohen që operacionet e planifikuara të mos i bëjnë nëpër vapë”, shprehet Zeçishti.

 

Urgjenca po përballet me mungesën e gjakut

Një ndër problematikat me të shpeshta me të cilën përballen spitalet gjatë ditëve të nxehta është ajo e mungesës së gjakut. Edhe shërbimi i urgjencës sikundër ndodh në shumë pavijone të tjera, po vuan mungesën e furnizimit me gjak, e cila bëhet  edhe më e dukshme me rritjen e mëtejshme të temperaturave. Sa i takon rezervave të gjakut Zeçishti thotë se nuk është momenti për të dhënë alarmin, por kjo gjendje nuk mund të pranohet në urgjencën e kirurgjisë në QSUT, e cila përballet me një fluks në rritje të pacientëve që kanë nevojë për ndihmë të specializuar dhe të menjëhershme. “ Çdo operacion ka nevojë për gjak, pasi çdo i sëmurë  përballet me hemorragji. Gjaku është problem në Shqipëri. Kudo në botë gjaku ofrohet falas, kurse tek ne, s’ka filluar ende. Kemi raste që edhe për familjarin e vet, thonë që nuk kanë gjak për të dhuruar. Kjo kërkon më shumë sensibilizim”, shton më tej Zeçishti. Pavarësisht pezullimit të kryerjes së operacioneve, pohohet se është shtuar ndjeshëm lista e pacientëve që u drejtohen urgjencave për ndihmë të specializuar nga komplikacionet që shkakton vapa. Planifikimi i operacioneve bëhet nëpër pavijone, por ngjatë muajve korrik dhe gusht nuk do të ketë atë numër që ka gjatë muajve të tjerë.

 

Mjekët marrin pushimet

Një ndër shkaqet që çon në ndërprerjen e operacioneve të planifikuara është edhe largimi me pushime i personelit mjekësor. Tashmë është detajuar edhe kalendari me datat e përcaktuara për pushimet që do të bëjë secili mjek në shërbimet e kësaj qendre spitalore, por edhe në strukturat e tjera të shërbimeve shëndetësore që veprojnë në të gjithë vendin. Ndonëse mjekët do të pushojnë gjatë verës sipas kalendarit të përcaktuara, burimet pranë QSUT-së konfirmojnë se nuk do të ketë mungesa të mjekëve në shërbimet e kësaj qendre spitalore. Aktualisht është hartuar grafiku i stafit që do të qëndrojë në punë gjatë ditëve kur mjekët e tjerë do jenë me leje. Në shërbime të caktuara, për shkak të shtimit të fluksit të pacientëve do të veprohet edhe me shtimin e personelit mjekësor që do të jetë në shërbim të popullatës, për të përballuar fluksin e lartë të urgjencave që do kenë nevojë për kujdes të specializuar.

 

Mungon gjaku në spitale, vapa redukton edhe  dhurimet

Rezervat e gjakut në spitale po shkojnë drejt mbarimit, ndërkohë që edhe numri i dhuruesve po shfaqet në rënie si pasojë e nisjes së sezonit të pushimeve. Situata problematike e krijuar gjatë javëve të fundit për shkak të aksidenteve të shumta të ndodhura, si dhe nevojave të pacientëve kronikë për gjak është shoqëruar me rënie drastike të dhurimit të gjakut. E nëse kjo situatë do të vijojë me këto ritme të sëmurët kronikë do të jenë të marrin vetëm gjysmën e sasisë së nevojshme të gjakut për shkak të mungesës së dhurimeve. Burime pranë Qendrës Kombëtare të Dhurimit të gjakut bëjnë me dije se në muajt gusht dhe korrik përballen me një rënie të theksuar të dhurimeve të gjakut, pasi qytetarët u drejtohen pushimeve. Kjo rënie tashmë ka nisur. Ndërkohë që gjatë kësaj stine nevoja për gjak është shumë herë më e lartë, për shkak të shtimit edhe të lënduarve nga aksidentet. Në rastet e këtyre të fundit, sigurimi i gjakut bie mbi familjarët të cilët duhet të dhurojnë për të shëruar të afërmin e tyre.

Ndërkohë që më e vështirë shfaqet situata tek pacientët talasemikë, si dhe tek kategoritë e tjera të sëmurëve kronikë që jetesën e tyre e kanë të varur nga marrja e gjakut. Gjatë viteve të shkuara rënia e dhurimeve gjatë verës ka qenë shumë e theksuar, veçanërisht gjatë muajit gusht ku janë regjistruar vetëm dhjetëra dhurime. Ndërsa nevoja për gjak është dhjetëra herë më e lartë, jo vetëm prej kërkesave që paraqiten nga spitalet për të sëmurët kronikë, por edhe për shkak të aksidenteve të shumta që shkaktohen si pasojë e shtimit të lëvizjes së popullatës që hyn në vend. Gjaku i dhuruar vihen në dispozicion të pavijoneve për të sëmurët kronikë, për kirurgjinë e pavijone të sëmundjeve të tjera. Përveç nevojave të përditshme që repartet përkatëse duhet të mbulojnë, në vendin tonë rezultojnë të jenë edhe 500 të sëmurë kronikë, të cilët domosdoshmërish duhet të furnizohen me gjak për të mos pësuar komplikacione të rënda shëndetësore. Pavarësisht deklaratave të vazhdueshme të bëra nga zyrtarët e dikastereve drejtuese shëndetësore mbi rritjen e dhurimeve vullnetare të gjakut, realiteti tregon një tjetër pamje: atë të mungesës masive, si dhe rënies së dhurimeve vullnetare.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *