“Agarofobia”, frika që rrezikon moshat e reja

Pranvera Kola

Pranvera Kola- DITA

Simptoma të tilla si, frika ndaj vendeve të hapura, ataket e panikut që shoqërohen me shenja fizike si të përziera, marramendje, djersitje, dhimbje gjoksi, takikardi, trazira në stomak, mund të jenë shkak i çrregullimeve të ankthit, e veçanërisht gjendjes që njihet ndryshe si agarofobia. Prej kësaj gjendjeje rrezikojnë më tepër moshat e reja. Bluzat e bardha thonë se agarofobia shfaqet kryesisht në fund të moshës 20 vjeçare, si dhe në mosha të mëdha. Mjekja Ilda Xhelili tregon shkaqet që çojnë drejt agarofobisë, simptomat karakteristike, si dhe masat që duhet të merren për trajtimin e saj.

Cili është përkufizimi i agarofobisë?
Zakonisht një fobi përkufizohet si frikë e rëndë ndaj një situate, veprimtarie, ose diçka që e bën një njeri të dëshirojë ta shmangë atë. Përkufizimi i agarofobisë është ankthi i rëndë për të qenë jashtë një situate, në të cilën ikja do të ishte e vështirë, apo e turpshme. Shpesh fobitë e ndryshme nuk janë të raportuara për shkak se shumë vuajtës të fobisë gjejnë mënyra të ndryshme për të shmangur situatat në të cilat ata janë fobikë. Fakti që agarofobia shpesh ndodh me çrregullime paniku, e bën edhe më të vështirë për të përcaktuar se sa shpesh ndodh.

Kush rrezikon më tepër nga kjo gjendje?
Sipas statistikave agorafobia prek rreth 7 për qind të popullsisë dhe mosha më e prekur është fundi i viteve të njëzeta. Sipas studimeve të shëndetit mendor, agarofobia zhvillohet si një përgjigje ndaj ekspozimit të përsëritur ndaj ngjarjeve që shkaktojnë ankth.

Teoria e shëndetit mendor që fokusohet në reagimin e njerëzve ndaj konflikteve të brendshme emocionale (teoria psikoanalitike) që e përshkruan agarofobinë si rezultat i një ndjenje të zbrazëtisë që vjen nga një konflikt i pazgjidhur edipial (kompleksi i Edipit), i cili është një tension ndërmjet ndjenjave që ka personi ndaj prindit me seks të kundërt dhe ndjenjës së konkurrencës ndaj prindit me seks të njëjtë.

Megjithëse agarofobia, si edhe çrregullimet e tjera mendore lidhen me një numër faktorësh të rrezikut psikologjik dhe mjedisor, ajo gjithashtu tenton të ketë karakter familjar dhe për disa individë mund të ketë një komponent të qartë gjenetik që kontribuon. Vajzat dhe gratë kanë më shumë probabilitet të zhvillojnë agarofobinë në krahasim me djemtë dhe burrat. Faktorë të tjerë që ndikojnë në shfaqjen e agarofobisë, ose çrregullimeve të tjera të ankthit mund të përmendin emigracionin, aftësitë e gjuhës, ndjenja e diskriminimit, si edhe etnia specifike e individit.

Cilat janë simptomat klinike më të zakonshme të agarofobisë?
Simptomat klinike përfshijnë ankthin dhe panikun që dikush do të gjendet në një situatë të sikletshme, të vështirë, apo poshtëruese, nga e cila nuk do mund të dali dot. Shembuj të situatave të tilla përfshijnë përdorimin e transportit publik, të gjendurit në vende të hapura, ose të mbyllura, ose duke qenë midis turma njerëzish. Të gjitha sulmet e panikut përfshijnë shenja të tilla si frika intensive, çorientimi, gulçimi, rrahjet e shpejta të zemrës, marrje mendsh, ose edhe diarreja e papritur. Këta individë shpesh mundohen të shmangin situata që provokojnë këto reagime.

Cilët janë faktorët e rrezikut për agarofobinë?
Agarofobia tenton të fillojë në përgjithësi pas viteve të adoleshencës, ose në moshën e rritur të hershme. Vajzat dhe gratë, individët e moshës mesatare, popullatat me të ardhura të ulëta ekonomike, të divorcuarit janë në rrezik të shtuar për shfaqjen e agarofobisë. Po ashtu, edhe njerëzit që janë ndjerë të diskriminuar mendohet të kenë një rrezik të lartë për t’u prekur nga një numër i çrregullimeve të ankthit, duke përfshirë edhe agarofobinë. Edhe përdorimi i tepruar i alkoolit mund të rezultojë në ankth të rëndë megjithëse ankthi është i përkohshëm.

Kur duhet të kërkojmë ndihmë të specializuar mjekësore?
Nëse simptomat e ankthit nuk janë të lehta dhe nuk lidhen me një situatë konkrete që e shkakton, atëherë duhet të konsultoheni fillimisht me mjekun e familjes. Ndihmën e mjekut duhet ta kërkoni patjetër nëse simptomat ndikojnë në jetën personale, shoqërore, profesionale. Po ashtu edhe nëse keni dhimbje gjoksi, dhimbje koke, marrje mendsh, shkurtim te frymëmarrjes, zbehje, dobësi të pashpjegueshme. Kur shenjat dhe simptomat janë të rënda dhe vijnë papritur, ato mund të tregojnë situata të rënda mjekësore që kanë nevojë për një vlerësim të menjëhershëm dhe trajtim spitalor.

Si vendoset diagnoza e kësaj sëmundjeje?
Përcaktimi i diagnozës është i vështirë për t’u diferencuar me llojet e tjera të ankthit që shoqërojnë çrregullime të ndryshme nervore dhe bëhet vetëm me ndihmën e mjekut specialist. Terapia konsiston në përdorimin e medikamenteve specifike sipas simptomatologjisë përkatëse, por edhe të seancave të gjata të psikoterapisë, të cilat rezultojnë të jenë shumë efikase. Rol pozitiv luan edhe ndryshimi i stilit të jetesës me më shumë aktivitet sportiv, angazhim në meditim dhe joga.

Cila është ecuria e agarofobisë?
Agarofobia zakonisht nuk largohet vetë nëse nuk trajtohet në mënyrën dhe kohën e duhur edhe pse mund të ketë periudha të përmirësimit spontan. Kujdes të veçantë duhet treguar për alkoolistët, të cilët kanë dhjetë herë më shumë gjasa të vuajnë nga një fobi, sesa ata që nuk janë të prekur nga çrregullimet e alkoolit dhe po ashtu individët fobikë mund të jenë rreth dy herë më të prirë për t’u bërë të varur nga alkooli, ose nga një drogë tjetër në raport me njerëzit e tjerë që nuk kanë qenë kurrë fobikë. Nëse nuk trajtohet, agarofobia mund të përkeqësohet deri në atë pikë ku ndikohet seriozisht jeta e personit nga vetë sëmundja, ose përpjekjet për ta fshehur, apo shmangur atë. Trajtimet për agarofobinë zakonisht synojnë të parandalojnë zhvillimin dhe përkeqësimin e mëtejshëm të saj.

Share This Article
2 Comments
  • Agorafobia, nga agora – shesh i hapur. Jo agarofobia, qe nuk dote thote asgje. Eshte e frikshme injoranca e gazetareve tane, i frikshem eshte edhe guximi i tyre per te shkruar per gjera te cilave nuk ju dine as emrin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *